
SHKODER/ Lihet në burg. Nëna e adoleshentit, 3 orë në borë për të parë të birin në Gjykatë.
“Na dhunoi, doja ta trembja, arma u shkreh papritur”
Gjykata e Shkodrës vendosi dje masën “arrest me burg” për 17-vjeçarin M. Murraca, i cili u arrestua pasi vrau me armë zjarri babain e tij 43-vjeçar, Sokol Murraca. Adoleshenti është rrëfyer para trupit gjykues për krimin e rëndë brenda familjes, ndërsa ka shfaqur pendesë. Ai deklaroi se gjithçka kishte ndodhur në kushtet e një tronditjeje të rëndë psikologjike, pas dhunës që babai i tij kishte ushtruar mbi të dhe nënën. “Babai prej shumë vitesh ushtronte në mënyrë sistematike dhunë fizike ndaj nesh”, u shpreh 17-vjeçari dje në Gjykatë. Sipas tij, ditën e ngjarjes, i ati kishte shkuar në shtëpi në gjendje të dehur dhe kishte filluar të ushtronte dhunë mbi të. Më pas kishte nisur të qëllonte me bishtin e një lopate nënën e tij. Madje, adoleshenti pohoi në Gjykatë se i ati i kishte kërcënuar disa herë se do t’i vriste me armën e cila i mori jetën. “U trondita kur pashë babain që po dhunonte nënën. Mora armën për ta trembur, por në këtë moment babai filloi të përleshej me mua dhe u hodh mbi automatik. Arma u shkreh në mënyrë të pavullnetshme dhe babai mbeti i vdekur”, u shpreh më tej 17-vjeçari i akuzuar për vrasje. Sipas dëshmisë së tij, i ati e kishte marrë armën automatike vetëm disa ditë para se të vritej prej saj. Ai ka mohuar të kishin pasur më parë armë në shtëpi. Në polici, adoleshenti ka pohuar se kishte qenë hera e parë që prekte armë me dorë, por ky veprim rezultoi fatal për jetën e të atit. Ndërkaq, nga fshati i largët Prekal i komunës Postribë, kanë udhëtuar për më shumë se 3 orë nëna e adoleshentit, djali i vetëm i saj, si dhe gruaja e xhaxhait. Dy gratë e familjes kanë sfiduar motin e keq dhe trashësinë e dëborës, që arrin rreth dy metra, për të parë djalin e tyre që përtej hekurave. Ato kanë qëndruar të përlotura, teksa shpresonin se gjykata do të vendoste një masë më të lehtë. Pas masës së dhënë nga gjykata, të dyja gratë janë nisur sërish drejt fshatit të largët, ndonëse zona është e bllokuar dhe qarkullimi i mjeteve është i pamundur.
© Panorama.alVrau 17-vjeçarin: Mendova se ishte ujk
LUSHNJE – Burg pa afat ishte masa e sigurisë që vendosi dje gjykata e Lushnjës për 69-vjeçarin Ibrahim Gjolena. Ai akuzohet për vrasjen e një 17-vjeçari katër net më parë në fshatin Kolonjë. Gjolena u shpreh para trupit gjykues se nuk kishte pasur qëllim të vriste njeri dhe se krimin e ka kryer pa dashje. Sipas tij, menjëherë pas ngjarjes sinjalizoi policinë dhe se qëlloi kur kishte vënë re se diçka po lëvizte në hyrje të vathës së deleve në pronësi të tij. “Nuk e mendova se ishte njeri…, mendova se ishte ujk, pasi në këto kohë ujqërit po na sulmojnë bagëtitë”, u shpreh i arrestuari. Ndërkohë, avokati mbrojtës i të pandehurit me akuzën e vrasjes i kërkoi trupit gjykues të jepte masën e “arrestit në shtëpi” për klientin e tij, pasi ai sipas tij nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe se vrasja është kryer pa dashje. Por vendimi i gjykatës ka qenë i prerë, duke e lënë në burg pa afat 69-vjeçarin Gjolena deri në përfundim të hetimeve. Ngjarja e rëndë ndodhi katër net më parë, kur 17-vjeçari me inicialet F.B., nga fshati Bubullimë, dyshohet se po tentonte të grabiste bagëtitë e Gjolenës në fshatin Kolonjë. Por ai u qëllua për vdekje nga i zoti i shtëpisë. m.r











