
UPDATE- Një 45- vjeçar është qëlluar për vdekje gjatë orëve të natës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Orikumit të rrethit të Vlorës, ku viktimë ka mbetur shtetasi, Sokol Veizi. Mësohet se 45- vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa është qëlluar me armë në ambientet e një lokali me disa plumba, nga autorë të cilët ende nuk janë identifikuar.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet që kanë çuar në vrasjen e 45- vjeçarit, i cili mësohet se ishte peshkatar në qytet.
Gjirokastra po ashtu është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku një bari i identifikuar si, Haki Hana, 20- vjeç u gjet i vdekur në fshatin Valarë të Gjirokastrës.
Fillimisht u mendua se 20- vjeçari mund të kishte gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë nga zjarret që kanë përfshirë zonën, por hetimet e policisë zbuluan se bariu ishte vrarë me armë gjahu. Pak orë pas vrasjes policia tha se ka arrestuar autorin e vrasjes, Xhevat Dudumi.
Siç raportohet ngjarja ka ndodhur pranë lumit Drino, ndërsa autori pasi ka vrarë me armë bariun e ka djegur atë në tentativë për të humbur gjurmët e krimit.
© Panorama.al











