VLORË- Policia e Vlorës identifikon dhe shpall në kërkim dy vëllezër, të dyshuar si autorët e ekzekutimit të 25 vjecarit Altin Nelaj.
Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se autorët e dyshuar janë Ardemir Reis Trokaj, 30 vjec dhe Geno Reis Trokaj, 25 vjec, lindur në Llakatund dhe banues në Vlorë.
“Nga hetimet intensive të kryera nga specialistë të hetimit të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, ka rezultuar se shtetasi Ardemir Trokaj, në bashkëpunim me vëllain e tij, Geno Trokaj, dhe dy persona të tjerë, kanë zbritur nga një automjet tip Ford Mondeo me portobagazh, me ngjyrë jeshile me targa italiane, AH 060 GM., ka ndaluar viktimën, i cili po ecte në këmbë dhe pas debatesh për motive të dobeta, ka nxjerrë një pistoletë tip “Miniblou” dhe ka shtënë mbi viktimën një herë duke e lënë të vdekur”-theksojnë burimet e policisë.
Menjëherë autorët janë larguar në këmbë duke lënë në vendin e ngjarjes dy automjete, një Ford Mondeo (automjeti i sipërcituar) dhe një tjetër tip fuoristradë Mercedes-Benz, ngjyrë e zezë me targa VL 0566 D, pak minuta më larg të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe disa sende personale të autorëve të krimit.
© Panorama.al











