
TIRANE – Prokuroria i kërkon Policisë të rimarrë në pyetje vajzat që ndodheshin në tavolinë me Nadien Zenelin në momentin e vrasjes së tij tek ish-Blloku në Tiranë. Tri ditë pas ngjarjes, prokuroria ka analizuar materialet dhe provat e grumbulluara nga policia në lidhje me ngjarjen. Burime nga organi i akuzës kanë pohuar dje se nga shqyrtimi tërësor i materialeve që ndodhen në dosje deri tani, ka rezultuar se nuk ka ende prova të mjaftueshme për zbulimin e autorit të vrasjes së 32-vjeçarit. Për shkak të mungesës së provave të nevojshme për identifikimin e autorit, prokuroria ka vendosur që ta delegojë në polici dosjen penale për vrasjen e të riut nga Dibra, banues në Fushë-Krujë. Dosja penale në lidhje me vrasjen është dërguar ditën e djeshme nga prokuroria për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për kryerjen e veprimeve “për zbulim autori”. Një ndër porositë që prokuroria i ka lënë policisë për zbardhjen e ngjarjes, është marrja në pyetje e dy vajzave që ndodheshin në tavolinë me Nadien Zenelin dhe dy miqve të tij në lokalin te Blloku, ku ndodhi vrasja. Krimi ndodhi mbrëmjen e së martës rreth orës 22:00, në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë. Teksa qëndronte në lokal “Baroque”, Nadien Faik Zeneli, 32 vjeç, lindur në Tërnovë të Dibrës e banues në Fushë-Krujë, është qëlluar tri herë me armë dhe është vrarë, ndërsa janë plagosur shtetasit Tafë Ukë Mandri, 23 vjeç, lindur në Shumat të Dibrës e banues në Paskuqan Tiranë, si dhe shtetasi Bledar Nazif Miho, 25 vjeç, lindur në Qafë-Murre Dibër e banues në Tiranë. Autori ka qenë një i vetëm që është afruat te tavolina e viktimës dhe ka qëlluar me armë në distancë të afërt. Policia deklaroi se për hetimin e kësaj ngjarjeje u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor. Paraprakisht Policia deklaroi se po hetonte konflikte te mëparshme të viktimës. Më tepër sesa pista e vrasjes për shkak të biznesit, pasi viktima ishte vetëpunësuar në një kompani që merrej me tregtinë e kromit, policia po heton konfliktet apo çështjet personale si shkak të ngjarjes. Naiden Zeneli ishte dhëndër i fisit Haka në Fushë-Krujë dhe person me dijeni për vrasjen e dy efektivave të Policisë në vitin 1999 në këtë qytet.
Pezullimi i dosjes
Pezullimi i hetimeve për një dosje penale parashikohet në ligjin e procedurës penale si zgjidhje për rastet kur dosja nuk ka provat e nevojshme për ngritjen e akuzës apo identifikimin e autorit të krimit. Pezullimi shoqërohet me dërgimin e dosjes në polici për zbulim autori.











