Vrasja për gjak, në burg i dyshuari

Aug 28, 2012 | 12:21
Viktima Gjin Guri

SHKODER – Përballë provave të paraqitura nga prokuroria, autori i dyshuar për vrasjen e Gjin Gurit javën e kaluar, nuk e ka pranuar akuzën. Lazër Lisi, i cili akuzohet se ekzekutoi 20-vjeçarin Guri në shenjë hakmarrjeje për të vëllain, ka dalë dje para trupit gjykues. Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten e shkuar në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ku mbeti i plagosur nga plumbat dhe vëllai i viktimës. Nga dëshmia e të mbijetuarit Xhevahir Guri dhe provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, mes tyre dhe automatiku i krimit, prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë burg pa afat për 21-vjeçarin Lisi. Por ky i fundit e ka mohuar autorësinë e krimit pranë organeve hetimore në momentin e arrestimit, ndërkohë që në Gjykatë nuk është shprehur, duke ia lënë momentit të gjykimit në themel të çështjes. Njëkohësisht Isuf Lita që ishte dhe avokati mbrojtës i Lisit, e ka vlerësuar jo të ligjshëm arrestin në flagrancë, pasi 21-vjeçari nuk është arrestuar në tentativë për të ikur nga vendi i ngjarjes, si dhe nuk ka prova të konsiderueshme që vërtetojnë autorësinë e tij. Gjykatësi Arben Zefi megjithatë nuk ka ngurruar të pranojë kërkesën e organit të akuzës, duke vlerësuar të ligjshëm arrestin dhe duke caktuar si masë sigurimi personal ndaj 21-vjeçarit Lazër Lisi atë të arrestit me burg. Lisi akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese të Gjin Gurit dhe plagosjen e vëllait të tij, Xhevahirit. Viktima dhe i plagosuri kanë qenë në oborrin e shtëpisë së tyre kur janë qëlluar me breshëri automatiku. Si pasojë, 20-vjeçari Gjin Guri ka vdekur në vend, ndërkohë që vëllai i tij Xhevahir Guri edhe pse është plagosur, e kaloi rrezikun për jetën. Nga Policia është pohuar zyrtarisht se motivet e vrasjes lidhen me hakmarrjen, pasi në vitin 2008 kushëriri i dy vëllezërve Guri ka vrarë me thikë për motive të dobëta vëllain e Lazër Lisit, Nard Lisin.                     r.d

© Panorama.al

Te lidhura