
TIRANE – Personi që mbeti i plagosur nga roja i parkimit të një qendre tregtare në kryeqytet, pasditen e së shtunës, rezulton se ka qenë në kërkim për një vrasje të kryer 16 vjet më parë. Pas dy ditësh mjekimi në spital, personi është identifikuar saktësisht nga Policia. Ai është vënë në pranga në pavijonin e neurokirurgjisë në Spitalin Ushtarak, pasi është zbuluar identiteti i tij i vërtetë, nëpërmjet krahasimit të gjurmëve të gishtave. Policia tha se i dyshuari është 34-vjeçari Rexhep Toshi nga Korça, i dënuar me 24 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1996 në qytetin e tij të lindjes. I arratisur nga burgu që prej vitit 1997, Rexhep Toshi ka mundur t’i fshihet më së miri Policisë, duke përdorur një identitet të rremë, por gjithçka ka zgjatur deri të shtunën kur ai u plagos nga polici privat Besnik Ismailgeci, pas një debati që pati me të. Për këtë ngjarje Policia e Tiranës arrestoi rojën Besnik Ismailgeci, i cili në fakt deklaroi se gjithçka ka ndodhur për vetëmbrojtje, pasi ishte në krye të detyrës. Në fakt ishte pikërisht ky incident që çoi oficerët e Policisë Gjyqësore në identifikimin dhe arrestimin e të shumëkërkuarit për vrasje, i cili deri mëngjesin e djeshëm nuk kishte dhënë asnjë identitet dhe nuk kishte as dokumente identifikimi. Pas këmbënguljes së Policisë, i plagosuri ka treguar emrin e tij të vërtetë, Rexhep, por ka përdorur mbiemrin Pengu, që në fakt është mbiemri i personit që ai ka vrarë në Korçë në vitin 1996. Gjithçka është zbuluar nga verifikimi i gjurmëve të gishtave, pasi hezitimi i tij për të folur ka bërë që oficerët e Policisë të dyshojnë se pas kësaj fshihej diçka. Brenda pak minutash u arrit zbulimi i identitetit të vërtetë të tij dhe rezultoi që të jetë i dënuar për dy vepra të ndryshme penale. Sipas Policisë, ai është dënuar me 24 vjet burg për vrasjen e 37-vjeçarit Shkëlqim Pengu, pas një debati në bilardo që ka pasur me të në vitin 1996, në qytetin e Korçës. Por pasi ka bërë vetëm një vit burg, është arratisur gjatë trazirave të vitit 1997 duke u larguar drejt Greqisë. Por edhe atje ai u shpall në kërkim, u akuzua dhe u dënua me 12 vjet burg për trafik droge. Gjatë 15 viteve që ai rezulton person në kërkim, ka jetuar mes Greqisë dhe Shqipërisë, por kryesisht në shtëpinë e vëllait të tij më të vogël, duke përdorur emra të ndryshëm.











