
Një person i dytë është identifikuar dhe është shpallur në kërkim për vrasjen e 49-vjeçarit Abdulla Vrapi, i cili u qëllua pesë herë me armë zjarri dy ditë më parë në Tiranë.Policia ka mbërritur tek personi i dytë nga disa dëshmi që janë dhënë pas ngjarjes, por më kryesorja deklarimet e Albert Vrapit, djalit të viktimës, dyshohet se arma nuk është shkrepur nga Indrit Tresa, tashmë i arrestuar, por nga kushëriri i tij 48-vjeçar, me iniciale E.D. Megjithatë, Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se është arrestuar autori i dyshuar i vrasjes së Abdulla Vrapit, 22-vjeçari Indrit Tresa, me akuzën “vrasje me dashje”, të cilit në momentin e arrestimit i është gjetur edhe arma e krimit, një pistoletë tip “Bereta” 17-ëshe, me kalibër 9 milimetra. Sipas burimeve nga grupi hetimor, arma është ajo me të cilën është kryer vrasja, pasi 6 gëzhojat e gjetura në vendngjarje përputhen plotësisht me të. Ndërsa vetë personi i arrestuar nuk ka pranuar të japë shpjegime rreth ngjarjes, por njëkohësisht nuk e pohon dhe as nuk e mohon autorësinë në ngjarje. Nga ana tjetër, dëshmitari kryesor i ngjarjes, Albert Vrapi, dëshmon se vrasjen nuk e ka kryer Tresa, por kushëriri i tij, të cilin e njeh mjaft mirë dhe e ka identifikuar para oficerëve të policisë gjyqësore. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit thanë se “U arrit identifikimi dhe kapja e autorit të vrasjes, i cili dyshohet të jetë shtetasi Indrit Shefqet Tresa, 22 vjeç dhe ndaj tij u mor masa e arrestit në flagrancë. Po ashtu, në lidhje me këtë ngjarje filloi procedimi penal dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit E.D., 48 vjeç, nga fshati Mjull Bathore”.
DJALI I VIKTIMËS
Mes dëshmitarëve okularë që u shoqëruan për t’u marrë në pyetje rreth ngjarjes, ku mbeti i vrarë Abdulla Vrapi, policia pyeti edhe djalin e tij, Albert Vrapi, i cili ishte dëshmitari kryesor, njëkohësisht edhe personi që kishte konflikt me Indrit Tresën. Gjatë deklarimeve të rij 23-vjeçari Vrapi, ka treguar zanafillën e konfliktit me të dyshuarin, që sipas tij ka nisur rreth 4 muaj më parë, pas një përplasjeje makinash tek Shkolla e Baletit. Ndërsa sipas tij, dy ditë më parë kur ndodhi vrasja, ai kishte ardhur bashkë me persona të tjerë me paramendim për t’u konfliktuar. “Ata ishin gjashtë veta, me sa mbaj mend. Por armën nuk e ka shkrepur Indriti, sepse po e shihja shumë mirë se çfarë kishte në dorë. Armën e shkrepi kushëriri i tij. Pastaj ia mori Indriti nga dora dhe u larguan, në kohën kur ne po i flisnim babait”, mësohet të ketë dëshmuar Albert Vrapi për grupin hetimor. Një i afërm i familjes Vrapi, i cili nuk preferoi të identifikohet me emër, tregoi dje për gazetën se si ka nisur konflikti mes djalit të Abdulla Vrapit, Indrit Tresës dhe personit që sipas tij ka kryer vrasjen. “Ata i përplasën makinën Albertit katër muaj më parë. Pasi bënë debat për dëmin që i ishte shkaktuar makinës, Alberti i mbajti makinën në formë pengu, derisa Indrit Tresa dhe personi tjetër që ishte me të, t’i paguanin paratë për dëmin që i kishin shkaktuar. Ky problem u zgjidh pas disa ditësh, ata morën makinën dhe Alberti mori paratë e dëmit. Por problemi tashmë ishte se ata vinin herë pas here rreth lagjes dhe debatonin me Albertin dhe Adbullain, se përse nuk kishin besim dhe ua mbajtën peng makinën. Për këtë arsye ka nisur gjithë konflikti mes tyre”, u shpreh dje kushëriri i viktimës.
VIKTIMA
Abdulla Vrapi, 49-vjeçari që u vra dy ditë më parë në Tiranë për të shpëtuar të birin nga plumbat, ishte i plagosur para se të ndodhte konflikti. Disa të afërm të tij treguan dje se Vrapi kishte rënë nga tarraca e katit të dytë, kur po kryente punime në shtëpi dhe kishte thyer krahun. Sipas dëshmitarëve, ai është futur për të shpëtuar të birin, madje edhe u është lutur autorëve që të largoheshin dhe të mos e vazhdonin më këtë konflikt. Por, në momentin kur autori i drejtoi armën të birit, ai i doli para dhe u qëllua me 5 plumba duke gjetur vdekjen.
I DYSHUARI
Indrit Tresa, personi i arrestuar si i dyshuar për vrasjen, administron një prej linjave të autobusëve të Baldushkut, gjithashtu ka në pronësi edhe një hotel pranë Saukut, bashkë me personin tjetër që është shpallur në kërkim. Tresa ka qenë i shoqëruar edhe nga 3 miqtë e tij në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe është zbuluar nga policia nëpërmjet makinës tip “Passat”, me xhama të thyer nga përleshja tek vendi i ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, i dyshuari është gjetur në hotelin e e tij, para të cilit është gjetur e parkuar edhe makina. Policia tha se i ka sekuestruar edhe pistoletën e krimit.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











