Vrasja në Smilkovc, dënohen dy shqiptarë të tjerë

Jul 12, 2012 | 16:13

SHKUP- Gjykata e Shkupit dënoi edhe dy shqiptarë të tjerë të arrestuar gjatë operacionit “Monstër” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Ndaj Rrahman Asanit nga Shkupi u shqiptua dënimi prej tre vite e gjysmë burg për zotërim të paligjshëm të armëve, ndërsa ndaj Nazif Mehmetit u dhane tre vite burg, per te njejten akuze.

Rrahmani gjatë fjalës përfundimtare mohoi se armët janë të tij dhe se as që ka ditur se ka pasur armë në shtëpinë e tij, ndërsa Mehmeti ka theksuar se kishte siguruar armët për t’u mbrojtur nga grabitësit, për shkak se kishte një lokal që vazhdimisht kercenohej nga grabitjet. Por ai në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se është i bindur se asnjëherë nuk ka përdorur armën.

Një muaj më parë me veprën për posedim ilegal të armëve u dënua Ibrahim Sejdini nga Shkupi me gjashtë vite burg.

Mediat proqeveritare maqedonase raportuan sot se me këto dënime mbyllen katër akuzat e ngritura si pjesë e operacionit “Monstër” lidhur me posedim të paligjshëm të armëve.

Ndërkohë, MPB jozyrtarisht bën të ditur se akoma po vijojnë hetimet për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit, për të cilën gjashtë veta ngarkohen për kryerjen e saj si vepër terroriste.

Operacioni “Monstër” ka vazhduar me akuzat e partive opozitare shqiptare për arrestime të shqiptarëve të pafajshëm dhe akuzat për terrorizëm. Një pjesë e partive kanë akuzuar gjithashtu për ngecje të procesit gjyqësor, për shkak se MPB sipas tyre ka dështuar në hetimet e këtij rasti, duke mbajtur në burg njerëz të pafajshëm. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar një proces gjyqësor transparent dhe të bazuar në dëshmi dhe fakte.  (INA)

© Panorama.al

Te lidhura