FIER- Autori i vrasjes së një 53-vjeçari në fshatin Strumë të Fierit ka pranuar autorësinë e krimit. Sipas Policisë, 25- vjeçari Alfred Abedini, i cili ishte punësuar si roje i vathës së bagëtisë, ka pohuar se i kishte bërë thirrje viktimës, Muharrem Muskaj, para se të qëllonte. Por ai nuk i është bindur thirrjes, duke tentuar të vjedhë bagëtinë në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Ngjarja ndodhi në fshatin Strumë, zonën në kufi me Beratin, rreth orës 22:30 të së enjtes. Sipas burimeve nga Policia, autori Alfred Abedini ka qenë zgjuar teksa ruante vathën e bagëtive. Sikurse ai ka deponuar në polici, tre persona kanë hyrë brenda vathës dhe kanë tentuar të vjedhin. Ai iu ka kërkuar të largohen, por nuk i janë bindur. “I gjendur në këto kushte, i paralajmërova për herë të fundit të mos afroheshin pasi unë isha i armatosur dhe se do të qëlloja nëse vazhdonin. Por njëri prej tyre më kërkoi të mos afrohesha unë, ndryshe do të më vrisnin. Më pas qëllova pa e ditur se çfarë do bëhej. Desha ta gjuaj nga këmbët”,- ka deklaruar autori i vrasjes. Sipas dëshmisë së tij, sapo kanë dëgjuar të shtënat, dy bashkëpunëtorët e viktimës janë larguar duke e lënë shokun e tyre. Pas ngjarjes, 25-vjeçari ka lajmëruar pronarin e bagëtive, tek i cili punonte prej vitesh, duke i rrëfyer krimin. Më pas është sinjalizuar edhe policia, e cila mbërriti në fshatin e largët dhe arrestoi autorin. Sipas Policisë, 25-vjeccari Alfred Abedini u arrestua për veprat penale “vrasje me dashje”, si dhe “prodhim e mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”. m.r











