TIRANE – Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin e fajësisë për shtetasin Arben Xheraj, i akuzuar për vrasje në Durrës dhe urdhëron rigjykimin e dosjes së tij në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë. Më 1 qershor 2011, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin, njëzëri, të Vendimit Nr. 1042, datë 09.07.2010 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi) dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Po kështu, Kushtetuesja ka vendosur rrëzimin, me shumicë votash, të kërkesës për pushimin e Vendimit Nr. 417, datë 20.06.2001 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për mungesë juridiksioni. Personi përfitues nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është shtetasi Arben Xheraj, i cili është bërë i njohur pasi e paditi Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut, e cila i dha pjesërisht të drejtë duke gjobitur vendin tonë me 2 mijë euro për shkeljen e të drejtave të të akuzuarit për vrasje. Shqiptari i akuzuar për vrasje dhe i burgosur në Itali prej vitit 2002, ka pretenduar në Strasburg se rishikimi i vendimit që e kishte shpallur të pafajshëm në gjykatat shqiptare ishte i padrejtë dhe në dëm të tij.
Çështja e ka zanafillën në vitin 1995, kur Prokuroria e Durrësit e akuzoi Arben Xherajn për vrasje, bazuar në provat e dhëna nga babai i viktimës së krimit. I ati i viktimës kishte thënë se Xheraj ishte një nga vrasësit e djalit të tij (i vrari para se të vdiste ia kishte pohuar këtë në çastet e fundit të jetës), ndërsa hetimi për tre personat e tjerë u ndërpre. Nga ana tjetër, babai i Arben Xherajt u mor në pyetje dhe i tha policisë se djali i tij, edhe pse akuzohej për vrasjen, ishte nisur për në Itali në kohën kur kishte ndodhur krimi. Më 27 nëntor 1996, Gjykata e Apelit e dënoi të akuzuarin me 20 vjet burg. Një vit më vonë, në Gjykatë u depozitua kërkesa për rishikimin e vendimit, bazuar në autopsinë, që tregoi se viktima kishte vdekur menjëherë, pa pasur mundësi të fliste me askënd. Disa dëshmitarë pretendonin ndërkohë se kishin udhëtuar drejt Italisë me të akuzuarin Xheraj para se të ndodhte vrasja. Më 14 dhjetor 1998, Gjykata e Durrësit vendosi të rrëzojë dënimin me 20 vjet dhe e shpalli të pafajshëm Arben Xherajn për akuzën e vrasjes. Ky vendim nuk iu bë me dije në kohën e duhur të gjykuarit dhe as familjes së tij. Veç kësaj, Gjykata Europiane ka gjetur vonesa dhe shkelje të tjera në mënyrën si është trajtuar kjo çështje nga Prokuroria e Durrësit. Më qershor 2001, në Gjykatën e Lartë u anulua vendimi i pafajësisë për Xherajn. Ai u arrestua në vitin 1999 në Itali për trafik droge dhe u dënua me 16 vjet burg, duke vazhduar kryerjen e dënimit. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Strasburgut ka vendosur dënimin e Shqipërisë me 2 mijë euro gjobë për parregullsitë e gjykatave dhe Prokurorisë.











