Vrasja në Dukagjin nga një grua: Për hakun e prindërve

Sep 14, 2012 | 12:14

Viktima Marash Tonaj

Lena Pjolli, vajza e viktimave të 2003, qëlluar nga vëllai i viktimës.

Vrasja në Dukagjin për gjakmarrje është kryer nga një grua 32 vjeçe. Lena Pjolli, nënë e dy fëmijëve, u vetëdorëzua mbrëmë në Policinë e Shkodrës dhe pranoi autorësinë e krimit ku mbeti i vrarë Marash Tonaj. “Unë e vrava. Mora hakun e prindërve të vrarë”, është shprehur 32-vjeçarja në Polici menjëherë pas vetëdorëzimit. Grupi i hetimit dyshoi pas vrasjes se motivi i saj ishte gjakmarrja. Por deri mbrëmë, kur u vetëdorëzua autorja, blutë nuk kanë pasur të dyshuar femrat e familjes. Vëllai i viktimës, Nikë Tonaj, 9 vjet më parë vrau me armë zjarri pas një grindjeje për një vijë uji bashkëfshatarët e tij, Nikë dhe Lula Pjolla, burrë e grua. Autori Nikë Tonaj është dënuar për krimin, por ai është ende në kërkim, pasi policia nuk arriti ta kapë.
Në pamundësi për të marrë hak direkt tek autori Nikë Tonaj, 32- vjeçarja Pjolli ka menduar që të zbatojë rregullat e Kanunit dhe të ekzekutojë vëllain e tij, Marash Tonaj. Lena Pjolli është një nga gjashtë fëmijët e çiftit të vrarë në vitin 2003. Ajo jetonte në Torovicë, pasi ishte e divorcuar dhe nënë e dy fëmijëve. Por ajo kishte pak kohë që kishte shkuar në shtëpinë e prindërve në komunën Shalë. Gjatë 24 orëve të fundit, në ambientet e Policisë u shoqëruan mbi 10 persona nga fshati Vuksanaj, të cilët mendohej se kanë dijeni mbi autorët e mundshëm të vrasjes së 49-vjeçarit Marash Tonaj, mëngjesin e dy ditëve më parë. Ndërkohë që Policia e Shkodrës shoqëroi edhe djalin e viktimave (vëllai i Lena Pjollit), i cili ka mohuar faktin se ka lidhje me vrasjen e Tonajt. Duket se shoqërimi i të vëllait në Polici ka bërë që 32- vjeçarja të vetëdorëzohet dhe të marrë përsipër krimin për hakun e prindërve të saj. Policia e ka arrestuar atë mbrëmë, por janë duke hetuar nëse krimin e ka kryer e vetme, apo ka pasur edhe persona të tjerë që e kanë ndihmuar. Ndërkaq, blutë gjetën edhe armën e krimit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, bëhet e ditur se arma automatike, model 56, u gjet rreth 200 metra larg vendit ku ndodhi vrasja e Tonajt, bashkë me 6 gëzhojat e plumbave që i morën jetën atij. Ekspertiza pritet të konfirmojë nëse autore ka qenë 32-vjeçarja, apo persona të tjerë të familjes.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura