Vrasja në Ballsh, Xhaxhai i 13-vjeçarit: Drejtësi ose hakmerremi

Jul 8, 2012 | 12:15
Xhaxhai i 13-vjeçarit, Selfo Lamaj

Një grindje mes fëmijëve gjatë lojës rreth dy javë më parë, është bërë shkak i vrasjes me thikë të 13-vjeçarit në Ballsh, Xhevit Lamaj. Familjarët e viktimës, të përlotur për tragjedinë, pohuan se fëmijët ishin grindur me njëri-tjetrin, por nuk e kishin menduar se ngjarja mund të precipitonte deri në vrasje. Autori, Y.K., 13 vjeç, nga fshati Usoj, është liruar dje pasi sipas Policisë nuk e ka mbushur moshën për përgjegjësi penale, ndërsa është arrestuar vëllai i tij, 21 vjeç, Edison Kamaj, si bashkëpunëtor në vrasje. Babai i viktimës, Bilbil Lamaj, nuk përmbahet nga dhimbja për humbjen e të birit. Ai nuk flet asnjë fjalë, ndërsa i vëllai, Selfo Lamaj (xhaxhai i fëmijës), kërkoi ndëshkimin e autorëve për të evituar hakmarrjen mes palëve. “Nipi im ishte duke luajtur me shokët, kur ata kanë shkuar për t’u hakmarrë pas një sherri që kishte ndodhur rreth dy javë më parë mes kalamajve. Kush e mendoi se mund të arrinte deri këtu… Në këto kushte që ne ndodhemi, duhet të veprojë ligji. Kërkojmë që shteti të marrë masa që të mos ketë vend për hakmarrje. Njerëzit nuk mund të luftojnë ndaj njëri-tjetrit nëse ligji vepron ashpër”, u shpreh xhaxhai i 13- vjeçarit, Selfo Lamaj. Mësohet se autori 13-vjeçar me inicialet Y.K., është nga fshati Usoj i Mallakastrës. Por ai kishte të afërm në qytetin e Ballshit dhe vinte aq shpesh, sa kishte zënë shokë thuajse të gjithë

Viktima Xhevit Lamaj

bashkëmoshatarët e lagjes ku ndodhi krimi, përfshirë edhe viktimën. Rreth dy javë më parë, ata janë konfliktuar, derisa fëmija i ka kërkuar ndihmë edhe të vëllait më të madh, 21-vjeçarit tashmë të arrestuar, Edison Kamaj. Bashkëmoshatarët e viktimës janë të vetmit dëshmitarë të ngjarjes, gjithsesi krimi ka ndodhur aq shpejt, sa ata kanë pasur vështirësi në rindërtimin e skenës. “Ishim duke luajtur jo shumë larg shtëpive, aty ku luajmë përherë. Disa djem, shumica mosha jonë, erdhën dhe i folën diçka Bushit (viktima njihej me këtë emër në Ballsh), por ne nuk e dëgjuam se çfarë i thanë. Pastaj Y.K. u përlesh me Bushin. Aty u bë rrëmujë dhe ne vetëm kur e pamë të shtrirë me gjak shokun tonë. Nuk e pamë se si ndodhi dhe kush e goditi”, u shpreh M.M., njëri prej bashkëmoshatarëve të viktimës. Të njëjtën gjë pohuan edhe shokë të tjerë të 13- vjeçarit, vdekja e të cilit i ka bërë të heshtur dhe kanë braktisur dje gjatë gjithë ditës lojën. Dhimbja ka pllakosur dje të gjithë qytetin e Ballshit. Banorë të shumtë kanë shkuar për ngushëllim në banesën e viktimës, rreth 200 metra larg vendit të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes dje ishin vendosur edhe lule. Xh. Lamaj u qëllua me thikë rreth orës 22:30 të së premtes.

BALLSH/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura