
KORÇE/ Rigjykimi zbut dënimet. Babai i Talellit: Më ngel vetëgjyqësia.
Rigjykimi i çështjes për vrasjen e taksistit Fredi Talelli në Devoll shpëton nga burgu i përjetshëm të akuzuarin kryesor dhe lehtëson pozitën e pesë të tjerëve. Pas rishqyrtimit të çështjes së kthyer nga Gjykata e Apelit, Gjykata e Shkallës së Parë pranoi kërkesën për gjykimin e shkurtuar për ta. Përmes një seance të tensionuar, trupi gjykues, pasi ka dëgjuar konkluzionet e mbrojtjes, ka dhënë vendimin e tij për 6 të rinjtë. Treshja e gjyqtarëve ka dënuar me 25 vite burg Elkiero Revanin si autorin kryesor të krimit tronditës dhe me 8.4 vite Arnest Xhaçkën për shkak të moshës së tij të mitur kur ndodhi ngjarja. Domeniko Kumria dhe Kastriot Papleka janë dënuar respektivisht me 5 dhe 3 vite burg si bashkëpunëtorë të krimit. Togat e zeza kanë dhënë vendimin e tyre edhe për Amarildo Selmanin, i cili ka përfituar lirimin me kusht nën vëzhgim për një periudhë 2-vjeçare. Po të njëjtin vendim kanë komunikuar edhe për personin e gjashtë të përfshirë në këtë krim të ndodhur rreth një vit e gjysmë më parë, Jurgen Zeqja. Rreth një vit më parë, në po të njëjtën gjykatë, por nga një trupë tjetër gjykuese, mes sherresh dhe tensionesh u dha dënimi burg për jetë për Elkiero Revanin, 16 vite izolim të miturit Arnest Xhaçka dhe 10 vite burgim për pronarin e servisit në Elbasan, Domeniko Kumria, që hodhi makinën në përroin e Shushicës dhe strehoi të akuzuarit. Në fund u dënuan me 5 vjet Kastriot Papleka për pengim në zbulimin e së vërtetës dhe nga 6 muaj dy minorenët e fundit. Zhvillimi për herë të dytë i procesit gjyqësor ka sjellë edhe një kërkesë të dytë nga Prokuroria. Organi i akuzës, gjatë paraqitjes së pretencës, ka arsyetuar se të akuzuarit për vrasjen e taksistit Fredi Talelli kanë vepruar në këtë mënyrë: Arnest Xhaçka dhe Elkjero Revani janë organizatorët dhe ekzekutorët me armë zjarri dhe me mjete të forta të taksistit Talelli. Qëllimi ka qenë grabitja e mjetit të tij tip “Benz” dhe e sendeve të tjera personale. Për shkak të mizorisë së vrasjes, prokurori ka kërkuar burgim të përjetshëm për Revanin dhe 25 vite burg për Xhaçkën. Për katër të pandehurit e tjerë që akuzohen për moskallëzim të krimit dhe përkrahje të autorit është kërkuar 13 vite burg. Dhënia e dënimit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të familjarëve të Talellit. Babai i viktimës, Fiqiri Talelli, është shprehur i zhgënjyer nga Drejtësia dhe ka kërcënuar me vetëgjyqësi. “Vendimi i Gjykatës është shumë i padrejtë. Unë do t’i pres përjashta. Gjashtë persona vranë djalin tim, nuk menduan për dy fëmijët e tij dhe bashkëshorten, të cilët mbetën rrugëve, për mua si prind, kurse Gjykata dha këtë dënim. Pse, çfarë bënë ata? Mos vallë therën një pulë? Jo, vranë një njeri. Ata meritonin dënimin maksimal. Me këtë që dhanë, pse s’i lanë fare të lirë?! Unë nuk e lë me kaq, djali im u vra, Gjykata e dha mendimin e saj, kurse unë do të bëj timen. Do t’i gjej kudo që të shkojnë. Nëse donin makinën, le t’ia merrnin, ua kisha bërë hallall, por jetën e djalit nuk e fal”, deklaroi ai.
Krimi u zbulua pas gjetjes së makinës
Fredi Talelli u vra në mënyrë makabre në nëntor të vitit 2010 nga 6 të rinjtë, të cilët pas vrasjes vodhën automjetin e tij me qëllimin për ta shitur, ndërsa trupin e hodhën buzë një kanali në fshatin Koritë. Disa ditë pasi policia zbuloi makinën në lumë, në Elbasan arriti të zbulonte autorët e më pas dhe vetë viktimën, baba i dy fëmijëve. Ai punonte si taksist në linjën e Kapshticës, ku kishte marrë natën e krimit dhe dy protagonistët kryesorë të ngjarjes.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











