
TIRANE-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani permes nje mesazhi publik ka shprehur sot hidhërimin e thellë për vrasjen në krye të detyrës të Kryekomisar Adem Tahiri dhe i ka përcjelle familjes ngushëllimet më të sinqerta.
Sipas Nishanit, rënia në krye të detyrës e shefit të Komisariatit të Shijakut është një humbje e madhe për familjen, por edhe për kolegët dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi.
Kreu i Shtetit e konsideron vrasjen e Kryekomisarit Tahiri një akt të rëndë kriminal ndaj forcave të rendit që me përkushtim dhe disiplinë punojnë për garantimin e rendit dhe sigurinë e jetës së qytetarëve.
“Presidenti i Republikës ka bindjen e thellë se pavarësisht egërsisë dhe pabesisë që mund të shfaqin krimi dhe kriminelët, nuk do të munden ta thyejnë forcën e shtetit dhe ligjit, nuk do të munden ta përkulin kurajën dhe trimërinë e punonjësve të Policisë së Shtetit, nuk do të munden t’i shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë”- thuhet ne njoftim.
Nishani u bën thirrje të gjithë vajzave dhe djemve që shërbejnë në forcat e policisë të qëndrojnë akoma më fort në betejën e tyre me krimin, pasi sipas tij, ne krah të tyre është i gjithë populli.
“Presidenti Nishani kërkon nga të gjitha strukturat shtetërore që të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë dhe të vendosin përpara drejtësisë autorët e saj”- perfundon mesazhi.
© Panorama.al











