Vrasja e Rolanda Kajës, policia merr dëshminë e 5-vjeçares

Jun 21, 2011 | 9:35
Rolanda Kaja, kufoma e së cilës u gjet më 10 qershor në një kanal në rrugën Ishëm-Lalëz. Majtas, dy prindërit e saj dhe e bija duke folur për gazetën

Vajza 5-vjeçare e viktimës së Ishmit, Rolanda Kaja, jep dëshminë për policinë e Durrësit mbi krimin ndaj së ëmës.Pas rrëfimit të së miturës për skenat e dhunës ndaj së ëmës nga ana e të akuzuarit për vrasje në gazetën “Panorama”, grupi hetimor mbërrin në Kryevidh të Kavajës. Mësohet se një psikologe, shoqëruar nga një inspektor krimesh dhe inspektori i zonës në fshat ka mbërritur paraditen e djeshme në familjen e Reshit Kajës. Për rreth 1 orë, ata kanë qëndruar në shtëpinë e familjes Kaja, duke regjistruar dhe një herë fjalët e të bijës së 29-vjeçares, gjetur 10 ditë më parë e vrarë, hedhur në një kanal të zonës së Ishmit në Durrës. Në praninë e psikologes, vajza e mitur ka treguar se çfarë ka parë në kohën kur jetonte me të ëmën dhe dhunën deri në injektimin me gjilpërë në trup nga ana e të akuzuarit kryesor për ngjarjen, Lefter Keçi. Deri dy ditë më parë, policia e Durrësit ishte e bindur se Keçi, 26-vjeçari nga Shijaku është ekzekutori i Rolanda Kajës. Kjo, bazuar në përgjimet telefonike që ai ka realizuar me bashkëpunëtorin e tij, tashmë në pranga, Euxhen Muka, si dhe dëshmitë e shoqeve të Kajës. Por, faktet e dhëna në gazetën “Panorama” të së hënës kanë çuar grupin hetimor drejt një tjetër prove: atë të deklarimeve të një personi kyç për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Pavarësisht moshës së mitur, të dhënat që tregon e bija e viktimës Kaja, korrespondojnë saktësisht me verifikimet e kryera në rrugë operative nga policia. Për më tepër, zbardhin faktin se një injeksion i fortë në damarë ka shkaktuar vdekjen e Rolanda Kajës. I pyetur mbrëmë nga gazeta, Reshit Kaja, pohon që në Kryevidh kanë shkuar dy inspektorët dhe psikologia. “Morën në pyetje vajzën, na morën dhe ne. U kërkuam të njëjtën gjë: Të kapen autorët dhe drejtësia të veprojë deri në fund”. Gjyshi i të miturës thotë se, mbesa e vogël ka treguar të njëjtat të dhëna, në prani të psikologes, ashtu siç u bënë të njohura dhe në gazetë. “Lali Teri i ra me grushte mamit, i çau duart me thikë dhe pastaj i nguli gjilpërë në krah”, ishte dëshmia e fortë e të miturës, e cila rezulton të ketë qenë e pranishme në skenën e krimit. Pritet që dëshmia të jetë pjesë e dosjes hetimore, për të provuar autorësinë mbi vrasjen e Rolanda Kajës. Nga ana tjetër, edhe policia provon se krimi nuk ka ndodhur në zonën ku u gjet trupi i pajetë i 29-vjeçares më 10 qershor, por në një tjetër vend. Dyshohet se i gjithë ngjarja ka ndodhur për një shumë prej 20 mijë eurosh që Lefter Keçi kishte përfituar, ndonëse Rolanda Kaja pretendonte se ishin të sajat. Policia ka bllokuar tabulatet telefonike, që provojnë presionin e ushtruar, çka ka sjellë dhe vendimin ekstrem, për eliminimin fizik të saj. Aktualisht në pranga ndodhet vetëm 26-vjeçari Euxhen Muka, i cili deri tani duket se ka ndihmuar autorin të arratiset, por nuk ka pranuar se di gjë për krimin. Ai sot pritet të paraqitet në Gjykatën e Durrësit, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Autori në Greqi

Dyshohet se është larguar drejt Greqisë i akuzuari direkt për vrasjen e Rolanda Kajës, Lefter Keçi. Dy ditë pas krimit rezulton se shoku i tij, Euxhen Muka i ka dërguar një mesazh telefonik, ku e lajmëronte se policia kishte ngushtuar rrethin. Prej këtij momenti Keçi është larguar, duke u arratisur në rrugë ilegale drejt shtetit fqinj.

 

KAVAJE/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura