Vrasja e Rizik, dosja “pa autor”

May 21, 2012 | 13:49
Anwar Rizik, i vrarë në Tiranë

Prokuroria i kërkon Policisë plotësimin me prova të dosjes së vrasjes me bombë të shtetasit palestinez Anuar Rizik, i cili u ekzekutua në Tiranë dhjetë ditë më parë në oborrin e banesës së tij. Katër ditë më parë, Prokuroria ka marrë në dorëzim dosjen penale të Policisë në lidhje me ngjarjen dhe pasi ka analizuar përmbajtjen e saj ka arritur në përfundimin se nuk ka prova dhe informacione të mjaftueshme për identifikimin e autorit të ngjarjes. Pas shpërthimit të ndodhur më 9 maj 2012 në portën e oborrit të banesës së shtetasit Anwar Fouad Rizik, pranë Qytetit Studenti në Tiranë, Prokuroria mbikëqyri hetimet, por duke qenë se dosja ishte pa autor, materialet e saj u mbajtën në Polici gjatë javës së parë të hetimit. Disa ditë më vonë, fashikulli hetimor i kaloi Prokurorisë me gjithë materialet e mbledhura. Grupi hetimor, pasi analizoi përmbajtjen e dosjes, arriti në përfundimin se nuk ka prova të bazuara e të mjaftueshme për identifikimin e autorit të atentatit që i mori jetën 43-vjeçarit palestinez, që ishte njëherësh edhe zv.drejtor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. “Nga shqyrtimi i materialeve dhe provave të mbledhura deri tani nuk ka prova për identifikimin e autorit”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, dosja do të delegohet në Polici për veprime të mëtejshme, me qëllim zbulimin e autorit të ngjarjes pasi për momentin mungojnë elementet e nevojshme. Po kështu, sipas Prokurorisë, edhe pistat e hetimit janë të vakëta pasi mbështeten vetëm në informacione operative, por jo në prova dhe në fakte konkrete. Sipas organit të akuzës, pista e vendosjes së eksplozivit në hyrje të banesë së Anwar Fuad Rizik, për shkak të konflikteve të pronësisë në fabrikën e Fushë-Krujës, është versioni më i mundshëm, por numri i personave që dyshohen në këtë pistë është i madh. “Janë një numër i madh personash dhe provat e mbledhura nuk flasin për ndonjërin konkretisht. Është e nevojshme që dyshimet të individualizohen te persona konkretë, pasi konflikti i pronësisë për tokën ku është vendosur fabrika ka vite që vazhdon”, thanë burimet e Prokurorisë së Tiranës.
Vrasja me bombë
Mëngjesin e 9 majit 2012, në orën 07:45, një shpërthim i fuqishëm ndodhi në portën e oborrit të banesës private ku jetonte me familjen shtetasi palestinez Anwar Fuad Rizik. Ai po dilte nga shtëpia me djalin e vogël, kur sapo ka hapur kanatet e portës së oborrit është aktivizuar shpërthimi i bombës. Biznesmeni palestinez gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa fati shpëtoi djalin 5-vjeçar që ndodhej disa metra pas të atit në oborrin e shtëpisë. Pas ngjarjes, policia ngriti disa pista hetimi, por më e forta ishte ajo që kishte të bënte me detyrën e Anwar Fuad Rizik. Ai prej vitesh punonte në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë si inxhinier, ku nga viti 2010 kishte marrë edhe detyrën e zv.menaxherit. Sulmimi i kësaj fabrike 12 herë radhazi me lëndë plasëse gjatë viteve të fundit dhe konflikti evident i pronësisë me fisin Zalla në Fushë-Krujë, frymëzuan hetimin në pistën e vrasjes për shkak të fabrikës. Më shumë se 20 persona u shoqëruan në Fushë-Krujë dhe Tiranë, por të gjithë u lanë të lirë pa kaluar 48 orë, pasi nuk kishte prova ndaj tyre. Edhe në ditët në vazhdim, grupi i hetimit vazhdoi me kontrolle në Fushë-Krujë, ndërsa dy anëtarë të fisit Zalla, që kishin dërguar mesazhe kërcënuese ndaj pronarëve të fabrikës, u morën në pyetje në lidhje me ngjarjen, por rezultuan se nuk kishin dijeni, të paktën nga pohimet e tyre para hetuesve.

Zbardhet mekanizmi i shpërthimit të bombës
TIRANE – Pak ditë më parë, ekspertët e Policisë Shkencore në Tiranë kanë përfunduar kryerjen e ekspertizës në lidhje me mekanizmin shpërthyes që ishte vendosur në hyrje të oborrit të Anwar Fuad Rizik. Bomba, sipas Policisë, ka qenë një prodhim i realizuar në Shqipëri me një skemë e cila është ndeshur edhe më parë, por që nuk njihet në masë nga njerëzit e thjeshtë. Lënda plasëse ka qenë e lidhur me një kapsollë, e cila është aktivizuar në momentin e hapjes së derës. Trupi i bombës ka qenë i lidhur me një tel në njërin kanat të portës, ndërsa telit që aktivizonte kapsollën ka qenë i lidhur në kanatin tjetër. Hapja e portës nga Anwar Rizik ka shkaktuar aktivizimin e kapsollës dhe për rrjedhojë bomba ka plasur. Sipas të dhënave të Policisë, në vendin e ngjarjes ka qenë e vendosur një sasi prej 250-300 gramësh eksploziv. Nga ekspertiza konfirmohet se lënda shpërthyese ka qenë me tritol dhe jo me granatë siç u pretendua fillimisht.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura