
ELBASAN/ Autori zhduku celularin nga vendi ku u ekzekutua Almir Cani.
Sipas grupit hetimor, zhdukja nga vendi i ngjarjes i celularit të 37-vjeçarit është bërë nga autorët me qëllim fshehjen e çdo prove që do të çonte në identifikimin e tyre. Nisur nga ky fakt, Policia dhe Prokuroria e Elbasanit i kanë kërkuar operatorëve të telefonisë celulare të zbardhin thirrjet e kryera ose të marra në celularin e viktimës Cani. Pas rimarrjes në pyetje të familjarëve të pronarit të diskos, i ati i tij ka deklaruar se pak kohë pasi i biri ishte ngjitur në shtëpi, në lagjen “Dyli Haxhire”, një person e ka marrë në celular. Babai nuk ka dhënë shpjegime se cili ishte në telefon, madje as i biri nuk ka shprehur ndonjë shqetësim që të linte dyshime. Pak më vonë, duket i njëjti person që telefonoi e ka thirrur në emër Almir Canin nga poshtë pallatit. Ky i fundit, pasi ka parë se kush ishte jashtë, ka zbritur pa asnjë mëdyshje. Kaq është arritur të ndërtohet në skemën e policisë për momentin e fundit para vrasjes me plumb në kokë të babait të një fëmije. Veç faktit që emri i autorit është mister, po të tilla mbeten dhe motivet e krimit. Fillimisht u dyshua për një konflikt të çastit që Almir Cani mund të kishte pasur në lokalin e tij, që ndodhej poshtë shtëpisë ku banonte, pranë shkollës së mesme “Kostandin Kristoforidhi”. Në pyetje u morën dhjetëra persona, por ashtu si dhe familjarët ata mohuan të kishin dëgjuar ndonjë grindje nga ana e pronarit të lokalit të njohur në qytet. Në ditën e dytë të hetimeve, Prokuroria e Elbasanit ka hedhur dyshimin për një konflikt të vjetër të viktimës me autorin. Të enjten, rreth orës 00:50, një djalë e ka thërritur viktimën Almir Cani një herë në telefon, e më pas poshtë banesës së tij, dhe sapo ky i fundit ka zbritur, ai ka qëlluar dy herë me armë tip pistoletë në kokë, një plumb i së cilës i shkaktoi vdekjen. Autori, me gjakftohtësi i ka marrë nga dora edhe celularin, si edhe gëzhojat e pistoletës dhe është larguar. Nga ana e saj, Policia deklaron se autori ka qenë pa precedentë penalë, çka ka vështirësuar punën për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.











