
Krimet e Rënda: Saleo Stojani, fajtor për moskallëzim krimi.
Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje mbylljen përjetë në qeli të 26-vjeçarit Jetnor Nakoleci, i akuzuar për vrasjen e oficerit të Policisë, Roland Likaj, në tetor 2010 në qytetin e Vlorës. Pesë gjyqtarët e një trupe gjykuese vendosën deklarimin fajtor të Nakolecit për akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe e dënuan atë me “burgim të përjetshëm”. Dy të bashkëpandehurit e tij, Saleo Stojani, i njohur për vjedhjet e kryera kur ishte minoren dhe E. Zeqo, u dënuan me nga një vit e gjashtë muaj burg për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Gjykimi i kësaj dosjeje te Krimet e Rënda u mbyll pas me tepër se 20 seancash gjyqësore. Në nisje të këtij gjykimi në korrik të vitit 2011, trupa gjykuese refuzoi kërkesën e Jetnor Nakolecit për gjykim të shkurtuar.
VENDIMI
Jetnor Nakoleci, personi që mesnatën e 17 tetorit 2010 në Vlorë shkrepi një armë në drejtim të një oficeri policie që po u prishte “planin e vjedhjes” së një vile, e priti i qetë dje vendimin e fajësisë. I ngritur më këmbë teksa gjykata shpalli verdiktin, që mund t’ia heqë përjetësisht lirinë, ai dëgjoi i heshtur pa shfaqur asnjë reagim. “Deklarimin fajtor të të pandehurit Jetnor Xhevahir Nakoleci për veprën penale të ‘vrasjes në rrethana të tjera cilësuese’ dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm”, artikuloi kryesuesja e trupës gjykuese, gjyqtarja Nertina Kosova. Sipas vendimit të gjykatës, Nakoleci u deklarua i fajshëm edhe për akuzën e “vjedhjes me dhunë”, “vjedhjes me dhunë më shumë se një herë” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Për këto vepra penale ai u dënua me një total prej 16 vitesh burg. Në përfundim, në bashkim të dënimeve, përfundimisht gjykata vendosi ndaj tij “burg përjetë”, dënim që duhet ta kryejë në një burg të sigurisë së lartë. Për dy të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje gjykata vendosi nga 1 vit e 6 muaj heqje lirie për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Ditët në vijim ata pritet të lirohen nga qelitë, pasi e kanë kryer dënimin me kohën e paraburgimit.
VRASJA
Oficeri i Policisë së Vlorës, Roland Likaj, u ekzekutua me armë nga një distancë e afërt në lagjen “1 Maji” të qytetit, pak sekonda pasi u komunikoi kolegëve të tij në telefon se po ndiqte tre të dyshuar. Më herët, tre të pandehurit, Nakoleci, Stojani dhe Zeqo, kishin “shënjestruar” për të vjedhur një vilë të qytetit bregdetar. Lëvizjet e tyre në orët e vona janë pikasur nga oficeri Likaj. Në një nga rrugicat ai u është afruar me automjetin e tij privat dhe i ka pyetur ku banonin. Sipas prokurorisë, pasi ka marrë përgjigje nga dy prej tyre në distancë, Likaj ka formuar një numër në aparatin e tij celular. Referuar hetimit, kur ka filluar të flasë, ai është qëlluar në mënyrë të befasishme dhe të menjëhershme në kokë, në anën e majtë, rrëzë veshit, me armë zjarri pistoletë nga ana e shtetasit Jetnor Nakoleci, duke mbetur i vdekur në vend.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











