
Grupi hetimor i sektorit të krimeve të rënda dhe antiterrorit në Policinë e Tiranës, i cili po heton vrasjen me bombë të shtetasit Anwar Rizik, ka sekuestruar pamjet filmike të protestave që banorët e Fushë-Krujës kanë zhvilluar pranë fabrikës së çimentos në këtë zonë. Pista e vetme e hetimit, sipas burimeve të Policisë, mbetet konflikti mes fabrikës së çimentos dhe banorëve të zonës ku është ngritur kjo sipërmarrje. Konflikti ka vite që vazhdon për shkak të pronësisë së tokës, ndërsa që nga viti 2010, Anwar Rizik ishte emëruar zv.drejtor i fabrikës së Fushë-Krujës dhe kishte marrë rol të veçantë në këtë çështje. Sipas burimeve nga Policia, me një urdhër të 43-vjeçarit që nga viti 2010 ishte ndërprerë pagesa mujore me këste për banorët e zonës, të cilëve u ishte zënë toka nga ndërtimi i fabrikës. Shkak ishte bërë një vendim për të rillogaritur shumat që ishin paguar deri në këtë kohë dhe një rivlerësim për tokën e zënë nga fabrika. Ky vendim shkaktoi protesta te banorët e zonës, të cilët në dy raste dolën dhe bllokuan rrugën në shenjë proteste për çështjen e pronësisë. Pikërisht për këtë arsye, Policia dhe Prokuroria kanë sekuestruar imazhet filmime të protestave të mbajtura nga banorët e zonës për të parë nëse ndonjë nga banorët mund të jetë i dyshuari për ngjarjen. Protestat në rrugë kanë qenë ana publike e reagimit të banorëve, pasi dyshohet se në prapaskenë ata kanë kryer disa vendosje eksplozivi pranë fabrikës dhe në rrugën e hekurudhës që e lidh atë me pjesë tjetër të zonës.
Trupi niset për në Palestinë
Pasditen e djeshme, trupi i pajetë i palestinezit Anwar Rizik u përcoll drejt Aeroportit të Rinasit për të udhëtuar drejt vendit të tij të lindjes, në Betlehem. Për shkak të përshpejtimit të procedurave, transportimi i tij drejt vendlindjes u krye një ditë para afatit të përcaktuar, pasi dokumentet e nevojshme u plotësuan më shpjet. Ceremonia e organizuar nga Ambasada Palestineze nisi dje rreth orës 18:00 në sheshin “Nënë Tereza”, para Universitetit Politeknik në Tiranë dhe nga aty makina e funeralit që mbante trupin e pajetë të Anwar Rizik udhëtoi drejt Rinasit. Kortezhit mortor iu bashkëngjit trupi diplomatik palestinez, drejtuesit dhe kolegët e tij të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, të afërmit që do të udhëtonin me të drejt Betlehemit, me të cilët ishte edhe bashkëshortja e tij, Elda Ferracaku dhe i vëllai, Rami Rizik. Anwar Rizik do të prehet përjetësisht në banesën e tij të fundit në Betlehem, me kërkesë të familjes së tij. Në Tiranë u krye dy ditë më parë një meshë homazh në kishën ortodokse, duke qenë se ai i përkiste fesë së krishterë. Sipas burimeve të Ambasadës, përfaqësia diplomatike ka bërë të mundur përfundimin në kohë mjaft të shpejtë të procedurave dhe plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, pavarësisht se janë shfaqur disa vështirësi për shkak të problemeve ekzistuese në Palestine. Ndërsa të gjitha shpenzimet e ceremonisë, transportit dhe funeralit, i ka paguar fabrika e çimentos ku ai ishte i punësuar prej vitesh si zv.drejtor.
© Panorama.alAtentati
Shtetasi palestinez Anwar Rizik, i cili jetonte në Shqipëri që prej vitit 1999, u ekzekutua me anë të një bombe të vendosur në portën e oborrit të banesës së tij në Tiranë. Ai po dilte në mëngjes nga shtëpia së bashku me djalin kur teksa hapte derën, bomba shpërtheu. Fëmija i vogël arriti të shpëtojë për mrekulli pasi ndaloi në oborr të merrte disa lodra.Kamerat
Një kamera e parkimit, e cila ishte instaluar në pallatin pranë vendit të ngjarjes dhe kamerat e Ambasadës Amerikane nuk kanë arritur të fiksojnë asnjë person të dyshimtë të afrohet te porta e banesës së 43-vjeçarit. Kamera e parkimit u verifikua nga vetë Policia shqiptare, ndërsa kamerat e Ambasadës i verifikoi personeli i saj, që konfirmoi se nuk kishte imazhe që i shërbejnë hetimit.











