Vrasja e palestinezit, 10 mijë dollarë informatorit

May 21, 2012 | 16:24

TIRANE- Personi i cili do të japë informacion për vrasjen e shtetasit palestinez Anuar Rizik, shpërblehet me 10 mijë dollarë. Njoftimi është bërë sot nga drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ku thuhet se shpërblimi i jepet ati personi që do të japë informacion të dobishëm që të çojë në kapjen e autorit të kësaj vrasje.

“Theksojmë se në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është ngritur një Grup i Posaçëm hetimor të cilët po punojnë intensivisht edhe me Drejtorinë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale.”-thuhet në deklaratën e policisë.

Vrasja me bombë
Mëngjesin e 9 majit 2012, në orën 07:45, një shpërthim i fuqishëm ndodhi në portën e oborrit të banesës private ku jetonte me familjen shtetasi palestinez Anwar Fuad Rizik. Ai po dilte nga shtëpia me djalin e vogël, kur sapo ka hapur kanatet e portës së oborrit është aktivizuar shpërthimi i bombës. Biznesmeni palestinez gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa fati shpëtoi djalin 5-vjeçar që ndodhej disa metra pas të atit në oborrin e shtëpisë. Pas ngjarjes, policia ngriti disa pista hetimi, por më e forta ishte ajo që kishte të bënte me detyrën e Anwar Fuad Rizik. Ai prej vitesh punonte në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë si inxhinier, ku nga viti 2010 kishte marrë edhe detyrën e zv.menaxherit. Sulmimi i kësaj fabrike 12 herë radhazi me lëndë plasëse gjatë viteve të fundit dhe konflikti evident i pronësisë me fisin Zalla në Fushë-Krujë, frymëzuan hetimin në pistën e vrasjes për shkak të fabrikës. Më shumë se 20 persona u shoqëruan në Fushë-Krujë dhe Tiranë, por të gjithë u lanë të lirë pa kaluar 48 orë, pasi nuk kishte prova ndaj tyre. Edhe në ditët në vazhdim, grupi i hetimit vazhdoi me kontrolle në Fushë-Krujë, ndërsa dy anëtarë të fisit Zalla, që kishin dërguar mesazhe kërcënuese ndaj pronarëve të fabrikës, u morën në pyetje në lidhje me ngjarjen, por rezultuan se nuk kishin dijeni, të paktën nga pohimet e tyre para hetuesve.

© Panorama.al

Te lidhura