
Raporti i FBI: Predha e Aleks Nikës nuk ka shenja identifikuese.
“Ziver Veizi dhe Aleks Nika u qëlluan me plumba 9 mm, por predhat nuk duken nga e njëjta armë”
Predhat që kanë vrarë demonstruesit Ziver Veizi (për të cilin akuzohet Agim Llupo) dhe Aleks Nika, kanë peshë dhe kalibër të njëjtë. Megjithatë, sipas ekspertizës së kryer nga FBI më 5 janar 2012, nuk mund të thuhet se ato janë të njëjta. Predhat në fjalë janë të kalibrit 9 mm, kanë peshë 8 gramë, janë qitur nga armë me gjashtë vjaska, por për të konkluduar nëse janë qitur nga e njëjta armë, është e nevojshme që të kryhen verifikime mikroskopike. Krahasimi që bën prokuroria dhe gjykata mes predhave të Ziver Veizit dhe Aleks Nikës, nënkupton hetimin e Agim Llupos edhe për vrasjen e protestuesit nga Lezha. Kjo pasi me ekspertizë është provuar se automatiku i Agim llupës ka qëlluar dhe ka vrarë Ziver Veizin. Është për t’u sqaruar se edhe automatiku që mbante Llupo dhe disa gardistë të tjerë, MP-5 dhe armët “Bereta” që mbante Ndrea Prendi dhe gardistët e tjerë, kanë kalibër të njëjtë, 9 mm. Ndërkohë te Kryeministria më 21 janar ka pasur gardistë me kallashnikov, pasi në vendngjarje janë gjetur edhe predha të tilla. Më poshtë, shpjegimi i gjykatës në lidhje me hetimin e vrasjeve:
Më datën 21.01.2011 është bërë këqyrja e viktimave, ku janë gjetur në trupin e shtetasit Ziver Veizaj dhe Faik Myrto, respektivisht nga një predhë metalike e kalibrit 9 mm, të cilat janë marrë me cilësinë e provës materiale për ekzaminime të mëtejshme. Gjithashtu janë këqyrur dhe marrë me cilësinë e provave materiale edhe teshat e viktimave dhe tre të dëmtuarve me armë luftarake.
Janë bërë vendimet për ekspertimin mjekoligjor mbi ekzaminimin e kufomave, si dhe vendimet për kryerjen e ekspertimeve mjekoligjore për të dëmtuarit me qëllim përcaktimin e kategorisë së dëmtimit dhe mjetin që i ka shkaktuar.
Janë bërë edhe vendimet për kryerjen e ekspertimit kimiko-ligjor për teshat e sekuestruara viktimave dhe të dëmtuarve me armë zjarri, për të përcaktuar në to praninë e faktorëve plotësues të qitjes.
Po më datën 21.01.2011, ora 18:00, është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, brenda oborrit të ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe pikërisht nga pjesa veriore e tij, janë gjetur një sasi gëzhojash prej të cilave 131 gëzhoja të kal. 9 mm, si dhe gëzhoja kalibër 7.62 mm, të shpërndara në mënyrë të çrregullt, të cilat janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale.
Për të përcaktuar llojin e fishekëve dhe të armëve nga të cilat janë qitur gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, janë bërë vendimet për kryerjen e ekspertimeve teknike dhe balistike. Për këtë qëllim janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale armë të efektivave të Gardës së Republikës, të cilat sipas planit të masave dhe instruktazhit të datës 21.01.2011, si dhe urdhri nr. 28/1 i datës 19.01.2011 (edhe këto të marra me cilësinë e provës materiale mbi bazën e vendimit të prokurorit më datën 21.01.2011) kanë qenë të dislokuara ditën e ngjarjes në objektin e Këshillit të Ministrave.

Sipas aktit të ekspertimit tekniko-kimik të armëve e balistik të predhave me nr.975, datë 07.02.2011, është arritur në konkluzionin se: “…predha e gjetur tek viktima Ziver Veizi është qitur nga arma automatike me numër në shul “244” dhe numër të gërvishtur në pjesën plastike “244”. Veprimet hetimore të mëtejshme kanë vërtetuar se kjo armë është përdorur nga personi nën hetim Agim Llupo, me detyrë shef i Shtabit (zv/komandant) i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 07.02.201 ka lëshuar urdhrin e ndalimit për shtetasin Agim Llupo, urdhër i cili është ekzekutuar më datë 08.02.2011.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e saj nr. 258, datë 10.02.2011, ka vendosur:
-Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit ndaj personit nën hetim Agim Llupo.
– Caktimin e masës së sigurisë “arrest ne burg” ndaj personit nën hetim Agim Llupo.
Rezulton se gjatë hetimeve të këtij procedimi penal, janë kryer ekspertime të ndryshme balistike. Pas kryerjes së ekspertimeve balistike në Institutin e Policisë Shkencore Tirane, Prokuroria i është drejtuar me ane të një «Letër-Porosie për jashtë shtetit», sipas përcaktimeve procedurale të nenit 509 të Kodit të Procedurës Penale, Laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), në Qunatico të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokuroria ka kërkuar që në Laboratorin e FBI-së të kryheshin ekspertimet balistike të predhave, gëzhojave si dhe armëve.
Sipas «Raportit të ekzaminimit» nr.163G-SP-215, datë 5 janar 2012, të Laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), është konkluduar se: « … Predha me nr. Q4 (predha e gjetur në trupin e viktimës Aleks Nika) dhe predha nr. Q2 (predha e gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi), peshojnë afërsisht 123 grain (8 gramë), dhe kanë dalë nga një tytë me gjashtë vjaska të thelluara dhe të ngritura nga e djathta. Për shkak të mungesës së shenjave korresponduese mikroskopike me vlerë, këta plumba (predha) nuk mund të identifikohen si të qitura nga e njëjta tytë, nga tytat e pistoletave të dërguara për ekzaminim, apo nga tytat që kanë qitur ndonjërin nga plumbat (predhat) e dërguar për ekzaminim…» Ky «Raport ekzaminimi» nr.163G-SP-215, datë 5 janar 2012, i Laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), ka mbërritur ne Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 17.01.2012.
4 persona janë vrarë gjatë përleshjeve mes Gardës së Republikës dhe demonstruesve më 21 janar. Përleshjet u zhvilluan te Kryeministria, pasi rreshtat mbrojtës të policisë ishin thyer.
Aleks Nika e Veizi, dy skedarë fotosh tek FBI
TIRANE – Sipas një vendimi të datës 14 korrik 2011, të Prokurorisë së Tiranës, grupi i hetimit ka vendosur të dërgojë për ekspertizë në zyrat e FBI-së dy skedarë fotografish që bëjnë fjalë për vrasjen e Aleks Nikës dhe Ziver Veizit. Gjykata e Tiranës thekson se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 14.07.2011, ka vendosur edhe kryerjen e ekspertimit teknik pranë Laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), në Qunatico të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokuroria ka kërkuar që gjatë këtij ekspertimi teknik të kryhet pastrim i imazheve fotografike dhe filmike. Konkretisht, Prokuroria ka dërguar për ekzaminim imazhe fotografike të skedarit, që bën fjalë për viktimën Aleks Nika; Skedar fotosh; 32 pamje video që bëjnë fjalë për viktimën Ziver Veizi; Imazhe të marra në televizionin «Top-channel», si dhe pamje të marra në aparatin telefonik të deklaruesit Hysni Peposhi. “Deri në ditën e sotme, konkluzionet në lidhje me këtë ekspertim nuk kanë mbërritur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Prokurori kërkon shtyrjen e afatit të paraburgimit për personin nën hetim Agim Llupo, pasi kërkon të kryejë veprime të tjera hetimore që të konkludojë nëse mund të pasurohet me prova të tjera rezultati në lidhje me ekzaminimet e bëra me predhën e gjetur në trupin e viktimës Aleks Nika, si dhe për të administruar rezultatet e ekspertimit teknik për pastrimin e imazheve fotografike dhe filmike”, thekson Gjykata e Tiranës më 8 shkurt 2012.
Vendimi që la në burg Agim Llupon
Shkëlqim Mustafa në vendim: Ata çanë rreshtin e policëve, për disa minuta neutralizuan edhe gardistët.
Gjyqtari: Demonstruesit hynë brenda rrethimit të Kryeministrisë

Demonstruesit e 21 janarit kanë hyrë brenda rrethimit të Kryeministrisë, ata kanë çarë e zmbrapsur rreshtin e parë të policisë dhe më pas kanë marrë nën kontroll një pjesë të territorit brenda perimetrit të sigurisë. Gjyqtari i Tiranës, Shkëlqim Mustafa, ka zbardhur vendimin me të cilin la në burg edhe për tre muaj gardistin Agim Llupo. Në këtë vendim, gjyqtari shprehet se demonstruesit hynë brenda rrethimit, hodhën sende të forta, morën nën kontroll një pjesë të territorit, neutralizuan për disa minuta gardistët dhe qëlluan dhunshëm komandantin e Gardës, Ndrea Prendin. Sipas gjyqtarit, Kryeministria u sulmua me një automjet që ndaloi vetëm nga aktivizimi i urës mbrojtëse. Më poshtë, publikohet vendimi i gjykatës me optikën e gjyqtarit mbi rrjedhën e ngjarjeve:
* * *
Në datën 21.01.2011, nga ana e subjektit politik Partia Socialiste e Shqipërisë është njoftuar zhvillimi i një demonstrate në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 14:00, duke u marrë edhe leja përkatëse pranë organeve kompetente. Ky subjekt më parë kishte njoftuar për kalimin e stadit të “tubimit” nga “protestë” në “demonstratë”. Rezulton e provuar se gjatë zhvillimit të tubimit është ushtruar dhunë nga shumë pjesëmarrës me mjete të forta rrethanore të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e forcave të Policisë së Shtetit, si dhe atyre të Gardës së Republikës, gjatë veprimeve që këto të fundit kryenin për ruajtjen e godinës së Kryeministrisë. Po kështu, pas përfundimit të demonstratës ka rezultuar se kanë mbetur të vrarë tre demonstrues, shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj e Hekuran Deda, ndërsa disa ditë më vonë ka vdekur në spital (në Turqi) shtetasi Aleks Nika.
Si nga provat e administruara gjate hetimit, edhe nga transmetimet direkte që kanë bërë stacionet e ndryshme televizive (transmetime të cilat janë sekuestruar nga organi i Prokurorisë), është provuar qartësisht dhe pa asnjë ekuivok se nga ana e demonstruesve fillimisht është ushtruar dhunë intensive me mjete të forta, si shkopinj prej druri apo gurë, ndaj forcave të Policisë së Shtetit. Në këtë kohë, forcat e Gardës së Republikës kanë qenë brenda rrethimit të godinës së Kryeministrisë, dhe për sa kohë që demonstruesit nuk janë futur brenda rrethimit, nuk kanë ndërhyrë dhe nuk kanë kryer asnjë veprim. Demonstruesit pasi kanë arritur që të thyejnë dhe të mposhtin rreshtat e forcave të Policisë së Shtetit, kanë tentuar që të hyjnë forcërisht brenda rrethimit të godinës së Kryeministrisë. Nga ana e forcave të Gardës së Republikës është paralajmëruar me megafon, por demonstruesit kanë filluar që të qëllojnë në mënyrë intensive me gurë, duke u future pjesërisht në territorin brenda gardhit të Kryeministrisë. Sulmet e demonstruesve me gurë ndaj forcave të Gardës kanë zgjatur për një kohë jo të shkurtër. Kjo provohet edhe nga procesverbalet e këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku brenda rrethimit janë gjetur një sasi tepër e konsiderueshme e sendeve të forta të përdorura kundër forcave të Gardës së Republikës. Me përshkallëzimin e dhunës nga ana e demonstruesve, të cilët kanë arritur dhe të futen brenda rrethimit e të neutralizojnë për pak çaste forcat e Gardës, duke kontrolluar një pjesë të terrenit, apo duke ngritur flamur të bardhë, e veprime të tjera. Si kanë tentuar të avancojnë (demonstruesit) në drejtim të hyrjes së Kryeministrisë, nga ana e forcave të Gardës, pas paralajmërimeve me megafon është filluar që të qëllohet në ajër. Vazhdimisht nga disa demonstrues është qëlluar me gurë dhe mjete të forta ndaj forcave të Gardës, duke u shkaktuar atyre dëmtime jo të vogla, përfshi dhe komandantin e Gardës, personin nën hetim, Ndrea Prendi, i cili është dëmtuar me mjete të forta me intensitet goditjeje të madhe, në sy. Gjithashtu, nga ana e demonstruesve është sulmuar me anë të një autoveture, e cila ka marrë vrull në drejtim të forcave të Gardës, por ajo është penguar vetëm nga aktivizimi i urës metalike që ndodhej në oborrin e Kryeministrisë.
Llupo, hetimet u zgjatën edhe 3 muaj

Agim Llupo është gardisti i vetëm që është mbajtur në masën e sigurisë arrest me burg që nga shkurti i vitit të kaluar pas akuzave të ngritura ndaj tij në lidhje me ngjarjen e 21 janarit. Më 8 shkurt 2012, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës zgjati afatin e paraburgimit për Agim Llupon deri në datën 8 maj 2012. Kërkesa e Prokurorisë për zgjatjen e hetimeve ndaj Agim Llupos mësohet se është bazuar në ekspertimin që po i bëhet predhës që ka vrarë Aleks Nikën. Po kështu, Prokuroria ka deklaruar se ka në dorë edhe disa fotografi dhe filmime mbi vrasjen e Aleks Nikës, të cilat është e nevojshme të verifikohen me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë në lidhje me këtë episod. Gjykata e Tiranës, pasi ka dëgjuar argumentet e Prokurorisë, është shprehur se pranon shtyrjen e afatit të hetimit edhe me tre muaj për Agim Llupon, duke i lënë kohë Prokurorisë të bëjë hetimet e saj.
Të akuzuarit
Ndrea Prendi
komandant i Gardës së Republikës me gradë gjeneral, i akuzuar për kryerjen e veprës penale vrasje me dashje dhe veprime për pengimin e së vërtetës.
Sipas Prokurorisë, Prendi ka vrarë demonstruesin Faik Myrtaj e më pas i ka ndërruar tytën armës së tij.Margarit Kume
punonjës i Gardës së Republikës, shofer i komandantit Ndrea Prendi. Akuzohet për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ka dhënë pistoletën e tij për t’i ndërruar tytën me atë të Ndrea PrenditAgim Llupo
me detyrë shef i Shtabit (zv.komandant) i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës. Akuzohet se me armën e tij automatik, tip MP-5, ka vrarë demonstruesin Ziver Veizi. Sipas Prokurorisë, Agim Llupo hetohet edhe për vrasjen e dy demonstruesve të tjerëArmando Kasaj
me detyrë shef i Shërbimit IT pranë Këshillit të Ministrave. Akuzohet nga Prokuroria se ka shpërdoruar detyrën. Kasaj, sipas akuzës, ka kopjuar e fshirë filmimet e 21 janarit në serverin e kamerave të Kryeministrisë. Ai e ka riformatuar pajisjen më 22 janar në orën 00:51, duke fshirë gjithë pamjet.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











