Vrasja e Megit, një kamera fiksoi ngjarjen, por nuk duket fytyra e atentatorit

Feb 5, 2012 | 11:00

Megi Jokiçi me të fejuarin Granit Ribaj

Krimi te “Komuna e Parisit”, viktima, absolute në shkollë.

Vrasja e Megit, shoqet e shkollës: Na duket si ëndërr.

Gjyshes i thanë se 25-vjeçarja ka bërë aksident me makinë, s‘e di për atentatin.

Megi Jokiçi ka marrë një plumb aksidental ndërsa po priste të shkonte për të pirë një kafe, një rastësi fatkeqe për vajzën 25-vjeçare, e cila, sipas shoqërisë së saj, nuk i preferonte shumë kafenetë. Megi Jokiçi po shkonte për kafe me të fejuarin e saj kur u qëllua me një plumb kallashnikovi në nofull te rruga “Komuna e Parisit” në Tiranë. Në pritje për të pirë një kafe ajo ndodhej edhe atë natë, duke qëndruar brenda makinës së saj bashkë me të fejuarin, Granit Ribaj. Dentistja e diplomuar vetëm dy vite më parë u gjend fatalisht në vendin e gabuar. Shoqëria e saj e shkollës, shumica e të cilëve janë stomatologë, si edhe vetë ajo, tregojnë se Megi në plan të parë gjithmonë ka pasur mësimet dhe që nga gjimnazi e gjatë shkollës së lartë ajo merrte vetëm dhjeta. Pastaj rëndësinë e shkollës e kishte zënë karriera e përkushtimi në punë dhe qëndrimin nëpër kafene sërish nuk e preferonte. “Ishte vajzë e qetë, e urtë dhe mësonte shumë. Ishte mësuar të jetonte vetëm kur familjen e kishte në Fier dhe ajo që i interesonte më shumë ishte të bëhej një stomatologe e zonja”, tregon një prej shoqeve të saj të gjimnazit. Të gjithë e kujtojnë Megin si një vajzë të qeshur, simpatike dhe të përkushtuar ndaj familjes dhe të fejuarit të saj,

Megi Jokiçi

Granitit, të cilin e kishte njohur në shkollë dhe ishte dashuruar, duke e kurorëzuar lidhjen me fejesë prej dy vitesh. “Ata ishin çifti ideal. Pothuajse edhe moshatarë. Shokë prej vitesh, të dashuruar, me të njëjtin profesion dhe bënin shumë për njëri-tjetrin. Natën e ngjarjes Graniti ka shkuar ta merrte Megin te klinika ku ajo punonte deri vonë, afër Medresesë, dhe do dilnin për kafe me kushëririn e tij. Aty ku po e prisnin atë natë. Pse nuk shkuan pak më vonë aty…?”, shprehet shoqja e përbashkët e Megit dhe e Granitit. Asnjë prej miqve të saj nuk e beson dot se Megi nuk jeton më. “Na duket si një ëndërr e keqe, nga e cila mezi presim të zgjohemi për të bindur veten që nuk është e vërtetë. Por fatkeqësisht është realitet. Realitet me të cilin duhet të mësohemi”, tregon një prej shoqeve.
NE SHTEPINE E MEGIT
“Të rroni vetë!” – është fraza që dëgjojmë më së shumti në shtëpinë e Megi Jokiçit. Dera e apartamentit në katin e katërt te pallati i ri pranë “Don Boskos” në Tiranë, qëndron e hapur vazhdimisht duke pritur vizita ngushëllimi. Megi ishte vetëm 25 vjeçe. Më 11 maj të këtij viti do të festonte ditëlindjen e saj të 26-të. Sapo kishte nisur jetën, që iu pre në mes nga plumba që ishin nisur për tjetër kënd. Nga tri gratë që presin në dhomën e ndenjjes, njëra është gjyshja e saj. E kanë të pamundur të përfundojnë qoftë edhe një fjali. Nuk mund të flasin shumë. Fjalët u ndërpriten nga lotët. “Prindërit i telefonuan dhe u thanë që Megi ishte në spital, kishte pësuar një aksident, por jo të rëndë. Vetëm kur shkuan atje e kuptuan se çfarë kishte ndodhur…”, tregon njëra nga gratë e veshur me të zeza. Pritja mbrapa derës së sallës së operacionit në Spitalin Ushtarak ka qenë më e gjata e jetës së tyre. Ata mbanin me shpresa njëri-tjetrin se Megi do të mbijetonte. Ajo nuk ishte gati për të ndërprerë në mes gjithçka. “Ajo akoma s’e kishte nisur jetën. Si mund të ikte kaq shpejt?”, pyet nën zë një prej të afërmve që ndodhet në dhomën e ndenjjes.
FAMILJA
Milloshit, babait të Megit, duket se hidhërimi i ka shtuar disa rrudha dhe thinja më shumë. Ndërsa nëna, Hemnolina, ende nuk e pranon dot atë që ka ndodhur. Ata e prisnin të vishej me të bardha përkrah Granitit e të sillte në jetë nipërit e mbesat e tyre. E cili prind nuk e ëndërron këtë? Por ja që për prindërit e Megit kjo ëndërr nuk mundet më të bëhet realitet. Dikush ia mori jetën Megit. Në mënyrën më të padrejtë, më tragjike dhe më të dhimbshme. Se kush, ende nuk dihet. Por ata tashmë një gjë e dinë shumë mirë, që në jetë asgjë nuk është e sigurt. Madje as vetë jeta. Ajo që më shumë se asnjë tjetër nuk e ka pranuar humbjen e Megit, është motra e saj 21-vjeçare, Ingridi. Ajo nuk ka humbur vetëm motrën, por edhe shoqen më të mirë. Vajzën që herë-herë është bërë edhe prind për të duke e këshilluar. Motra e Megit ende nuk e ka marrë veten dhe nuk ka dalë nga dhoma e saj, ku herë pas here shkon edhe një psikologe.

Kamera fiksoi atentatorin, por s’duket fytyra

Policia i mori imazhet nga kamera e një biznesi pranë vendit të ngjarjes

Makina lëvizi me drita të fikura. Autori me xhup e kapuç

Makina e Megit pas vrasjes

Tirane – Një kamera ka filmuar skenën e krimit në vendin ku u qëllua me armë ndaj shtetasit Aleksandër Gocaj dhe ku mori një plumb aksidental edhe 25-vjeçarja e pafajshme, Megi Jokiçi. Burimet nga grupi hetimor kanë thënë se nga shqyrtimi i pamjeve të marra nga kjo kamerë është mësuar edhe skema e ngjarjes. Sipas hetuesve, rreth orës 21:30, shtetasi Aleksandër Gocaj, së bashku me dy persona të tjerë, ndodhej në makinën e tij fuoristradë “Toyota”, në rrugën “Komuna e Parisit”. Në këtë kohë, në afërsi të vendit ku ndodhej makina e Gocajt, krejt rastësisht, Megi Jokiçi kishte ndaluar makinën e saj në anë të rrugës. Brenda në makinë ndodhej edhe i fejuari i 25-vjeçares. Rreth orës 21:30, një automjet tip “Benz” ka kaluar aty dhe pasi është afruar te fuoristrada ku ndodhej Aleksandër Gocaj, 27 vjeç, nga Mati, ka qëlluar me armë. Sipas imazheve të kapura nga kamerat identifikohet qartë arma e përdorur në ngjarje, një automatik “Kallashnikov”. Sipas imazheve të filmuara duket qartë se personi që ka zbritur nga makina tip “Benz” ka pasur një kapele ose kapuç në kokë dhe po kështu xhupin e kishte ngritur deri në pjesën e veshëve. Nga imazhet hetuesit thanë se personi që ka qëlluar me armë nuk mund të identifikohet. Regjistrimi përmban edhe momentin kur arma “vjell” flakë nga tyta e saj gjatë të shtënave, të cilat kanë qenë me breshëri drejt makinës ku ndodhej Aleksandër Gocaj. Për fat të keq, diagonal me trajektoren mes vrasësit dhe makinës së 27-vjeçarit nga Mati ndodhej automjeti i Megi Jokiçit. Një prej plumbave të kallashnikovit ka depërtuar makinat dhe e ka goditur 25-vjeçaren në nofull. Vajza humbi shumë gjak gjatë transportimit në spital dhe në orën 23:50 ka gjetur vdekjen. Kamera e sigurisë, e cila ka kapur ngjarjen, mësohet se ka fiksuar edhe momentin kur pasi ka shtënë me armë, vrasësi ka hipur në makinën tip “Benz” disa metra më tutje dhe më pas makina është larguar me drita të fikura. Sipas Policisë, objektivi i ngjarjes ka qenë shtetasi Aleksandër Gocaj, 27 vjeç, i cili ndodhet në SQU jashtë rrezikut për jetën, pasi ka marrë vetëm një plagë në shpatull. Skena e ngjarjes është filmuar nga një prej kamerave në një biznes të zonës dhe më pas është administruar nga policia. Për fat të keq, imazhet filmime kanë shërbyer për zbardhjen e mekanizmit të ngjarjes, por jo për identifikimin e autorit të krimit.

I plagosuri te “Komuna e Parisit”: S‘munda ta shoh autorin e ngjarjes

Aleksandër Gocaj, objektiv i sulmit, s’e ndihmon hetimin
TIRANE – Personi që dyshohet se ka qenë objektiv i atentatit të ndodhur tri ditë më parë te “Komuna e Parisit”, shtetasi Aleksandër Gocaj, 27 vjeç, nuk i ka ndihmuar hetuesit me dëshmitë e tij në lidhje me ngjarjen. Sipas burimeve nga Policia dhe Prokuroria, pista zyrtare për krimin e ndodhur te “Komuna e Parisit” është se ndaj 27-vjeçarit është qëlluar për hakmarrje për shkak të problemeve dhe precedentëve të tij penalë. Gocaj ishte kontingjent policie për disa ngjarje të ndodhura në vendin e tij të origjinës, ndërsa hetohej edhe për aktivitetin që ka pasur në Itali gjatë qëndrimit të përkohshëm atje. Duke qenë se atentati i ndodhur te “Komuna e Parisit” ka lidhje me të, Policia dhe Prokuroria kanë këmbëngulur të marrin në pyetje 27-vjeçarin. Pasi u qëllua me armë në drejtim të tij mbrëmjen e së enjtes, Gocaj u dërgua në spital për ndihmë mjekësore pasi mori një plumb në shpatull. Disa orë më vonë, pasi mjekët përfunduan ndërhyrjet e nevojshme, 27-vjeçari është marrë në pyetje nga hetuesit. Ata kanë këmbëngulur të mësojnë nëse 27-vjeçari kishte arritur ta shihte personin që e qëlloi me armë. Më pas hetuesit kanë dashur të dinë nëse 27-vjeçari kishte konflikte, hasmëri apo mosmarrëveshje në Tiranë apo në Mat. Pas të gjitha pyetjeve që i janë bërë të riut, mësohet se ai ka dhënë përgjigje negative duke mos dhënë kështu asnjë ndihmesë në hetimin e ngjarjes. Aleksandër Gocaj mësohet të ketë pohuar se nuk ka arritur ta shohë personin që ka shtënë me armë. Sipas të riut nga Mati, gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe në mënyrë të papritur, aq sa ai nuk ka arritur të shohë asgjë nga momenti kur breshëria e kallashnikovit është shkrehur drejt makinës ku ai ndodhej me dy persona të njohur të tij. Policia ka përjashtuar mundësinë që atentati të ketë qenë ndaj këtyre personave, duke deklaruar kështu se objektivi ka qenë 27-vjeçari nga Mati, i njohur si kontingjent policie prej disa vitesh. Aktualisht i plagosuri në atentatin te “Komuna e Parisit” ndodhet në spital. Ai ruhet me efektiva policie për të qenë në dispozicion të hetimit në çdo rast, pasi është një nga personat okularë në lidhje me ngjarjen. Po kështu, dyshohet se ai mund të ketë dijeni mbi motivet e sulmit me armë që i mori jetën Megi Jokiçit, e cila u ndodh rastësisht në skenën e krimit.

Hakmarrja
Grupi hetimor i Policisë së Tiranës është duke hetuar pistën e hakmarrjes si shkak për ngjarjen e ndodhur të enjten te “Komuna e Parisit”. Burimet nga hetimi kanë thënë se objektivi i sulmit me armë zjarri ka qenë shtetasi Aleksandër Gocaj. Sipas Policisë, vrasësi i Megi Jokiçit ka qëlluar për të vrarë 27-vjeçarin nga Mati, ndërsa vdekja e vajzës 25-vjeçare ka ndodhur pas goditjes aksidentale me armë zjarri. Sipas Policisë, Aleksandër Gocaj ka precedentë penalë në Burrel dhe në Itali, çka dyshohet se ka sjellë edhe tentativën për ta vrarë atë ditën e enjte të kësaj jave. Pista kryesore dhe zyrtare e Policisë është se atentati i ndodhur te “Komuna e Parisit” është kryer për hakmarrje ndaj krimeve të kryera më parë prej Aleksandër Gocajt.

Furtunë në Policinë e Tiranës

Rivendosja e rendit, Bernard Çaushaj merr detyrën e drejtorit në kryeqytet

Vrasjet dhe relacioni për 21 janarin, ikin 3 drejtuesit
E gjithë kupola drejtuese e Policisë së Tiranës ka ndryshuar dje, ende pa kaluar 48 orë nga vrasja e dy femrave në kryeqytet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, ka firmosur largimin nga detyra të drejtorit e Policisë së Tiranës, Sajmir Muça dhe dy zëvendësdrejtorëve, Gjergji Jorgo dhe Dorian Muça. Në krye të Policisë së Tiranës vjen Bernard Çaushaj, pas një karriere të suksesshme në drejtimin e Policisë së Korçës së fundi, ndërsa më parë ka drejtuar me rezultate pozitive edhe Drejtorinë e Policisë së Beratit, Shkodrës dhe Fierit. Vendet e lëna bosh nga largimi i dy zv.drejtorëve të deritanishëm të Policisë së Tiranës janë zënë nga Arjan Kurti, që emërohet nëndrejtor për hetimin e krimeve, ndërsa ka ardhur nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit. Zv.drejtori tjetër i emëruar në Policinë e Tiranës për rendin dhe sigurinë publike, është Gazmend Hamitaj, i cili ka kryer detyrën e shefit të sektorit në Drejtorinë e Tiranës. Ndryshimet në radhët e Policisë së Tiranës erdhën pas një analize të detajuar të kriminalitetit dhe punës së Policisë pas ngjarjeve të ndodhura të enjten, kur dy femra u vranë në Tiranë në një hark kohor prej disa orësh. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës kanë thënë se ndryshimet në këtë institucion kanë pasur si shkak edhe relacionin drejtuar Prokurorisë së Tiranës nga Policia, në të cilin rekomandohej pushimi i hetimeve për organizimin e protestës së 21 janarit me argumentin se nuk ishin gjetur prova dhe elemente të veprës penale.

Ndryshimet në Polici
Sajmir Muça – Nga drejtor policie në Tiranë shkon kancelar te Shkolla e Policisë

Bernard Çaushaj – nga drejtor policie në Korçë emërohet drejtor policie në Tiranë

Dorian Muça – Nga zv.drejtor në Tiranë, shkon shef sektori te pastrimi i parave në Drejtorinë e Përgjithshme

Gjergj Jorgo – Nga zv.drejtor në Tiranë, shkon shef sektori i forcës lëvizëse në Drejtorinë e Përgjithshme

Ylli Metko – Nga Shkolla e Policisë shkon drejtor në Korçë

Artan Cuku – Nga shef i sektorit të pastrimit të parave shkon drejtor në Vlorë

Shemsi Prençi – Nga drejtor i forcës lëvizëse, shkon drejtor policie në Dibër

Arjan Kurti – Nga Drejtoria e Krimeve të Rënda, emërohet zv.drejtor për hetimin e krimeve

Gazmend Hamitaj – Nga shef sektori në Drejtorinë e Tiranës, emërohet zv.drejtor për rendin e sigurinë publike

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura