Vrasja e Megit, dështojnë dy kamerat e vendngjarjes

Feb 15, 2012 | 12:30

Megi Jokiçi

Hetuesit: Aleksandër Gocajt iu vendosën 800 gramë eksploziv në makinë.

Sistemi i një banke filmoi atentatin te “Komuna e Parisit”

Dy nga tri kamerat që ndodheshin në vendin e ngjarjes ku u vra me armë 25-vjeçarja Megi Jokiçi kanë rezultuar të papërdorshme në hetimin e ngjarjes së mbetur ende pa autor. Pas ekspertimit të imazheve të kamerave të marra në vendin e ngjarjes pranë “Komunës së Parisit” në Tiranë, grupi i hetimit ka arritur në përfundimin se vetëm një nga tri kamerat ka arritur të fiksojë sekuenca të ngjarjes. Bëhet fjalë për kamerën e marrë nga një bankë, e cila ndodhet në zonën ku ndodhën të shtënat me armë, që aksidentalisht i morën jetën dentistes Megi Jokiçi, e cila ndodhej krejt rastësisht në vendngjarje. Kamerat dhe imazhet e marra nga një qendër tregtare në këtë zonë nuk e kanë ndihmuar hetimin, pasi njëra prej tyre nuk kishte fare memorie për ruajtjen e pamjeve, kurse kamera tjetër ka fiksuar vetëm disa njerëz që vrapojnë, por asgjë nga momenti i ngjarjes. Sipas hetuesve, pikëvështrimi i kamerës me memorie nuk ka qenë direkt drejt vendit ku një person i zbritur nga një “Mercedes Benz” qëlloi me armë ndaj shtetasit Aleksandër Gocaj, ndërsa plagosi 27-vjeçarin dhe i mori jetën Megi Jokiçit.
Kamera e tretë
Kamera e tretë e marrë në vendin e ngjarjes ka qenë ajo që ka fiksuar momentet kryesore të mekanizmit të atentatit ndaj Aleksandër Gocajt. Ndonëse kjo kamera është administruar si provë, sipas hetuesve, ajo nuk ndihmon në identifikimin e autorit të ngjarjes. Personi në fjalë ka zbritur nga një makinë tip “Benz” me drita të fikura dhe pasi ka qëlluar me breshëri arme në drejtim të Aleksandër Gocajt, është larguar me vrap. I plagosuri me një plumb në shpatull ka thënë se nuk e ka parë personin që e qëlloi me armë, ndërkohë që ngjarja ka mbetur ende pa autor. Katër ditë pas atentatit te “Komuna e Parisit”, në një makinë që Aleksandër Gocaj kishte marrë në provë për ta blerë, u gjet një sasi e madhe eksplozivi e montuar në shasi.
Eksplozivi
Eksplozivi i vendosur në makinën e të dashurës së Aleksandër Gocajt ka pasur për qëllim eliminimin e tij të plotë fizik. Sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se sasia e lëndës së vendosur në makinën me targa të huaja KCJ 337, ka qenë plot 800 gramë. Burimet e Policisë kanë pohuar se nëse një lëndë e tillë në këtë sasi do të shpërthente, atëherë dëmet do të ishin të pallogaritshme. Mbrëmjen e 6 shkurtit 2012, rreth orës 20:30, në Kombinat, në afërsi të rrugës “Hamdi Cenoimeri”, është konstatuar se në shasinë e automjetit tip “Benz”, me targa të huaja KCJ 337, në përdorim të shtetases Ada Thaqi, 23 vjeçe, është vendosur një sasi eksplozivi. Policia filloi hetimin duke zbuluar menjëherë se makina i përkiste partneres së shtetasit Aleksandër Gocaj, 27 vjeç. Ky person, katër ditë para gjetjes së eksplozivit në makinë, ishte qëlluar me armë zjarri në afërsi të “Komunës së Parisit” në Tiranë, ku mbeti i plagosur në shpatull. Sipas hetimeve të Prokurorisë, makina ishte marrë te një servis në Laprakë nga shtetasi Aleksandër Gocaj. Ai e kishte marrë automjetin “në provë” për disa ditë, ndërsa mësohet se pas 30 janarit 2012 mjeti nuk është lëvizur, pasi shtetasja Ada Thaqi, së cilës do t’i jepej makina, ka pasur një problem në dorë dhe nuk arrinte të drejtonte mjetin. Ndërkohë, autorët e krimit kanë montuar bombën në makinë me shënjestër të vetme Aleksandër Gocajn, të cilin, pasi nuk kanë arritur ta sulmojnë me anë të bombës, e kanë qëlluar me armë në ngjarjen ku gjeti vdekjen edhe shtetasja Megi Jokiçi, e ndodhur krejt rastësisht në vendngjarje.

Megi Jokiçi u vra teksa priste kushërirën në parkim
Shtetasja Megi Jokiçi, 25 vjeçe, gjeti vdekjen më 2 shkurt para mesnate, pasi u qëllua me armë te “Komuna e Parisit”, ku u ndodh krejt rastësisht në momentin e ngjarjes. Dentistja që kishte vetëm dy vite që kishte përfunduar studimet e larta, ndodhej bashkë me të fejuarin në makinë duke pritur një kushërirën e saj. Megi kishte parkuar makinën në anë të rrugës dhe kishte ndaluar në pritje të një kushërirës së saj, të cilin do ta merrte me vete për të dalë për kafe. Në kohën kur Megi dhe i fejuari i saj po prisnin aty, një person ka zbritur nga një makinë tip “Benz” dhe pasi është afruar në makinën ku ndodhej Aleksandër Gocaj me dy persona të tjerë, ka shtënë me armë. Si pasojë e breshërive, një nga plumbat e ka prekur Megi Jokiçin në nofull dhe në pjesën e qafës. Si pasojë e kësaj plage, 25-vjeçarja humbi shumë gjak dhe rreth orës 23:30 të mbrëmjes së 2 shkurtit gjeti vdekjen në spital pa arritur të mbijetonte. Sipas hetimeve të policisë dhe prokurorisë, shënjestra e ngjarjes së ndodhur te “Komuna e Parisit” ka qenë shtetasi Aleksandër Gocaj, ndërsa Megi Jokiçi nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen e ndodhur, por është qëlluar aksidentalisht.

Dëshmia
Personi që ka qenë objektiv i atentatit me armë te “Komuna e Parisit”, por edhe i eksplozivit të vendosur në makinën e shtetases Ada Thaqi, nuk ka dhënë ndihmëse për hetimin e ngjarjeve, edhe pse është marrë në pyetje më shumë se një herë. Sipas burimeve nga hetimi, ka dyshime serioze për autorësinë e ngjarjeve te grupe personash me të cilët Gocaj është në konflikt. Sipas hetimeve, 27-vjeçari është ndjekur në detaje nga autorët e sulmeve ndaj tij, por gjatë deklarimeve ai nuk pranon të ketë dijeni për autorët e atentateve që i janë bërë së fundi.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura