
Gjykata e Tiranës vendosi dje masë të përkohshme sigurie me 40 ditë burg për Bledar Balliun, të akuzuar nga Prokuroria si autor i vrasjes së shtetasit Aleksandër Koliçit mbrëmjen e së premtes në Tiranë.Trupi gjykues vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 40-ditor për 34-vjeçarin Balliu, të njohur edhe me emrin Arif Shehu, i dyshuar për akuzën e “vrasjes me paramendim”. Para gjyqtares së gatshme Ardiana Bera, i arrestuari Balliu mohoi kategorikisht të ishte ai autori i vrasjes së Koliçit. Sipas tij, mbrëmjen e ngjarjes nga ora 20:30 deri në orën 23:00 ai ka qenë duke pirë kafe në një bar panë banesës së tij, që ishte në një zone me atë të viktimës Aleksandër Koliçi. Sipas Balliut, ajo që e afronte me ngjarjen, ka qenë vetëm afërsia gjeografike. I arrestuari Bledar Balliu kërkoi që pretendimet e tij të konfirmoheshin duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit ku kishte qenë në momentet e ngjarjes. Të njëjtën gjë pretendoi edhe mbrojtësi i tij ligjor, avokati Petraq Semani, sipas të cilit, provat e paraqitura nga Prokuroria nuk përligjnin dyshimet mbi klientin e tij. “Ditën e ngjarjes klienti im ka qenë duke pirë kafe poshtë shtëpisë. Nuk ka lëvizur fare nga ai vend, përveçse për të blerë një kartë rimbushëse. Fakti që ai ka qenë pak metra më larg vendit të ngjarjes, nuk e provon akuzën. Klienti im njihej me viktimën, por ai nuk ka pasur marrëdhënie me të jashtë burgut. Nuk kishte arsye pse ta vriste”, tha avokati. Në përfundim, prokurori i kërkoi gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” pa afat për të dyshuarin, ndërsa avokati kërkoi moscaktimin e asnjë mase sigurie. Nga ana e saj, gjykata vendosi përfundimisht caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me afat 40-ditor ndaj tij, në pritje të provave të reja të pretenduara para gjykatës nga i dyshuari Balliu dhe avokati i tij.
PROKURORIA
Pretendimet e Prokurorisë se Bledar Balliu mund të jetë ekzekutori i Aleksandër Koliçit, bazoheshin në disa prova të gjetura në banesën e 34-vjeçarit, pas arrestimit, si edhe nga deklarimet e disa personave. Gjatë leximit të akt-akuzës, përfaqësuesi i Prokurorisë në proces tha se mes të akuzuarit Bledar Balliu dhe viktimës Aleksandër Koliçi ka pasur kontradikta të forta të hershme. Duke cituar para gjykatës arrestimin e të dyve në të njëjtin operacion policor në vitin 2006 dhe më pas gjykimin në një proces të përbashkët, prokurori tha se “mes të dyve ka pasur kontradikta të forta në burg”. Po sipas prokurorit, kontradiktat mes Koliçit dhe Balliut janë konfirmuar për organin e akuzës edhe nga deklarimet e familjarëve të viktimës. Në lidhje me momentet e ngjarjes, prokurori pohoi se ka mospërputhje mes deklarimeve të të arrestuarit dhe atyre të personave të tjerë pranë tij natën e ngjarjes. Sipas prokurorit, Balliu ka pretenduar se në momentin e ngjarjes ka qenë duke pire kafe në një lokal në zonën ku u vra viktima. Po sipas tij, ai ka lëvizur vetëm për 5 minuta për të blerë një kartë telefoni rimbushëse. Por sipas Prokurorisë, nga deklarimet e marra nga punonjës të lokalit ka rezultuar se koha e largimit të Balliut nga lokali ka qenë rreth 20-25 minuta. Po sipas prokurorit, shitësi i dyqanit pranë lokalit nuk ka konfirmuar versionin e Balliut për blerjen e një karte rimbushëse. Njëkohësisht, prokurori pohoi sekuestrimin e një bluze sportive në banesën e Balliut, në të cilën ndodhen elementë plotësues, gjurmë kimike, të ardhura nga qitja me armë. Gjithashtu, prokurori bëri të ditur sekuestrimin si provë materiale të një gëzhoje pranë vendit të ngjarjes, si edhe të një antiplumbi në banesën e Balliut.
Bledar Balliu: Kam alibi, merrni kamerat e sigurisë
TIRANE – Bledar Balliu nuk dukej fort i përqendruar dje në gjykatë kur gjyqtarja i pohoi se akuzohej nga Prokuroria për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”. “Që do të thotë?”, – iu drejtua ai gjyqtares. Kryesuesja e seancës i lexoi në vazhdim dispozitën përkatëse të kësaj vepre në Kodin Penal. Më pas, duke folur në gjyq, Balliu e përjashtoi veten nga ngjarja. Para gjykatëses ai tha se gjithçka mund të verifikohej nga kamerat e sigurisë të lokalit ku ai kishte qenë në momentet e ngjarjes. Sipas Balliut, këto pamje do të vërtetonin kohën e shkurtër të largimit të tij nga lokali, si edhe faktin që ai ka qenë veshur me një këmishë lejla, dhe jo me bluzën “adidas” të pretenduar nga Prokuroria. “Kam qenë veshur me këmishë lejla, me treçerekshe dhe me atlete. Jam ngritur nga lokali në orën 22:30 dhe kam dalë për të blerë një kartë rimbushëse. As 5 metra larg kam pyetur në një minimarket. Aty nuk gjeta. Pashë edhe një “exchange” më poshtë. As aty nuk kishte. Kur u ktheva në lokal kamerieri më kishte marrë kafen, pasi kishte mbaruar. Kishte lënë vetëm ujin. Më parë unë pata porositur një kafe dhe një ujë me shishe qelqi. I thashë kamerierit të më sillte një kafe tjetër. Ndërsa bluza “adidas”, që thotë prokurori, nuk është bluzë. Ajo është xhup, që unë e përdorja kur bëja vrap. Kam pasur me tepër se një muaj e gjysmë pa e veshur. Ajo ka qenë e lënë aty në portmonto. Ka pasur kripën e djersës kur unë e vishja për vrap. Nga ora 20:30 deri në orën 23:00 nuk kam lëvizur nga lokali. Gjithçka është e filmuar, pasi lokali ka kamera sigurie. Merrini dhe shikojini. Ka pasur edhe njerëz të tjerë aty vërdallë. Unë kam qenë i veshur me këmishën lejla”, tha nga tavolina e të pandehurve i dyshuari Balliu. Po dje, avokati i Balliut i paraqiti gjykatës dy fatura të lokalit, ku kishte pire kafe i arrestuari mbrëmjen e ngjarjes. Sipas avokatit, faturat kishin të përcaktuar kohën dhe datën kur ishin prerë. ar.ba
Viktima dhe i dyshuari, të dy të dënuar për “trafik droge” në 2008-n
Shtetasi Aleksandër Koliçi, 43 vjeç, i ekzekutuar me armë zjarri pak ditë më parë në Tiranë, por edhe personi i arrestuar nga policia si autor i dyshuar i ngjarjes, janë dënuar më parë nga gjykata me akuzën e “trafikut të lëndëve narkotike”. Koliçi dhe Balliu u arrestua në vitin 2006 gjatë aksionit “Poter Al”, ndërsa në vitin 2008, Gjykata e Krimeve të Rënda dha dënimin ndaj tyre. Për shkak se pranuan gjykimin e shkurtuar, për këta dy persona gjykata e ndali çështjen dhe në vitin 2008 shpalli vendimin. Për akuzën e trafikut të drogës, Bledar Balliu u dënua me 12 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë, por ,më pas, përfitoi sipas ligjit nga ulja e 1/3, për shkak të gjykimit të shkurtuar. E njëjta gjë ndodhi edhe me Aleksandër Koliçin, ai u dënua me 12 vjet burg, por përfitoi uljen e dënimit në 6 vjet, pasi bëri marrëveshje me Prokurorinë e Gjykatën që të dëshmonte trafikun, në këmbim të uljes së dënimit. Për këtë shkak, dënimi i Koliçit ra në 6 vjet burg dhe më pas u aplikua ulja e 1/3, duke e dënuar përfundimisht të akuzuarin me 4 vjet burg. Vendimi u shpall në vitin 2008 nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, sipas së cilës Koliçi dhe Balliu kishin bashkëpunuar më parë mes tyre për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të narkotikëve”.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











