Vrasja e këngëtares Emmy, nis gjyqi

Jun 7, 2011 | 11:36

Aziz Kelmendi, biznesmeni kosovar i akuzuar për aksidentin prej të cilit humbi jetën këngëtarja Elsina Hidersha, e njohur edhe si Emmy, kërkoi dje gjykim të shkurtuar në Gjykatën e Tiranës.Me këtë kërkesë ai duket se pranon aktet e prokurorisë në gjendjen që e akuzojnë për vrasje nga pakujdesia. Ndërkohë, familjarët e këngëtares i kërkuan gjykatës të ligjëroheshin si palë në proces me anë të një avokati. Biznesmeni Kelmendi ishte i pranishëm dje në seancë, e para në radhë në gjykimin e tij, për akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” në dëm të Elsina Hidershës. Gjykata vetëm administroi kërkesat e palëve, pa u shprehur për asnjë prej tyre. Vendimi mbi pranimin apo refuzimin e tyre do të shpallet në seancën e radhës, seancë e caktuar për t’u zhvilluar ditën e mërkurë. Kërkesa për gjykim të shkurtuar u aprovua dje edhe nga përfaqësuesi i Prokurorisë në proces, prokurori Ervin Karanxha. Nëse gjykata do të pranojë kërkesën e Kelmendit, ai përfiton uljen e një të tretës së masës të dënimit përfundimtar, në rast se deklarohet “i fajshëm” në përfundim të gjykimit. Kërkesa për gjykim me kohë të shkurtuar u artikulua nga avokati mbrojtës i të pandehurit Kelmendi gjatë shtrimit të kërkesave paraprake. “Kërkojmë që gjykimi në ngarkim të të pandehurit që unë përfaqësoj të zhvillohet me kohë të shkurtuar, pasi mendojmë se çështja mund të zgjidhet në gjendjen në të cilën ndodhen aktet”, tha avokati. Në vijim, gjykata u njoh me pretendimin e avokatit të familjarëve të Emmy-t, që kërkoi legjitimimin e tyre si palë e dëmtuar në proces. Duke paraqitur disa akte, mes të cilave edhe një vendim gjykate për çelje trashëgimie, avokati u shpreh se “kërkojmë legjitimimin tonë si palë në proces”. Ky pretendim i familjarëve të viktimës Hidersha u kundërshtua nga avokatët e biznesmenit të pandehur. “Të rrëzohet kjo kërkesë, pasi do të zvarriste procesin”, pretenduan avokatët e Kelmendit para gjykatës. Sipas avokatëve, për këtë kërkesë familjarët e këngëtares mund t’i drejtoheshin gjykatës me një padi civile. Aziz Kelmeni u vu nën akuzë për ngjarjen e ndodhur më 27 shkurt të këtij viti pranë pub “Venue”, në Tiranë. Sipas prokurorisë, këngëtarja u tërhoq për disa metra zvarrë nga automjeti i drejtuar nga Kelmendi, ku ishte varur nga jashtë në xhamin gjysmë të hapur. Pak më parë ajo kishte debatuar ashpër me biznesmenin. “Shtetasi Aziz Kelmendi, pasi ka ecur disa metra ngadalë, më pas ka rritur shpejtësinë dhe para lokalit “Bang-Bang” ka frenuar. Në këtë moment viktima është shkëputur nga mjeti duke u rrëzuar në asfalt, ku ka pësuar dëmtime të rënda në kokë”, thuhej në kërkesën për gjykim të prokurorisë.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura