FIER- Ende asnjë të dhënë për autorin e dytë të vrasjes së ish-policit Ylli Kalemaj, të shpallur në kërkim. Sipas policisë, i arrestuari Gentian Liçaj nuk ka pranuar të japë asnjë version lidhur me ngjarjen. Policia e Fierit e ka parë të arrestuarin si pikë kyçe për të zbardhur dinamikën e ngjarjes së një viti më parë, por në kushtet e heshtjes, zbardhja bëhet më e vështirë. Burime të Prokurorisë bënë të ditur se kanë prova të mjaftueshme për ta cilësuar si të dyshuar kryesor të arrestuarin Gentian Liçaj, 36 vjeç, banues në Buzmadh Fier. Ndërsa shtetasi i shpallur në kërkim është Xhezmi Hyka 50 vjeç, banues në Gorishovë Fier. Ata akuzohen për veprën penale të “vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”. Kjo pasi ata dyshohen se në vendin e quajtur “Selisht” në Cakran të Fierit, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Ylli Kalemaj. Ngjarje e ndodhur në muajin maj të vitit të kaluar në autostradën Levan- Tepelenë, ku viktima ishte i punësuar si rojë e mjeteve të firmës ndërtuese.











