
FIER – Vrasja e Shpëtim Heqimit në Fier nuk ka ende një autor të dyshuar. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se janë shoqëruar dhe pyetur deri më tani 25 persona. Por ata janë pyetur në cilësinë e dëshmitarit apo të personave që kanë njohje me viktimën, dhe jo si të dyshuar për krimin. Të njëjtat burime bënë të ditur se hetimi është përqendruar në verifikimin e thirrjeve dhe mesazheve të viktimës në telefonin e tij celular. Policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes telefonin dhe disa sende të tjera personale të 44-vjeçarit. “Brenda javës që vjen do t’i bëhet një kërkesë kompanisë celulare përkatëse për të na vënë në dispozicion tabulatet e numrit të telefonit të Shpëtim Heqimit. Do të verifikohen thirrjet e tij gjatë muajve pas lirimit nga burgu, si dhe nëse ka pasur kërcënim apo mesazhe provokuese në celularin e tij”, bënë të ditur burime nga Prokuroria e Fierit. Ndërkaq, personat që kanë qenë dëshmitarë në vendin e ngjarjes, klientë të lokalit, kanë deponuar se e kishin parë autorin, i cili ka qenë i pamaskuar. Por asnjëri prej tyre nuk e ka njohur, çka dëshmon se ai nuk është së paku banor i së njëjtës lagje ku banonte Heqimi. Ata kanë bërë përshkrimin fizik të tij, por deri më tani nuk ka të dhëna nëse grupi i hetimit ka marrë orientimin e duhur në sajë të përshkrimeve të dhëna nga personat e marrë në pyetje. Ata kanë deklaruar se autori ka ardhur me hap normal në lokal. Viktima nuk e ka njohur (së paku kështu dyshohet, përderisa viktima nuk ka bërë asnjë reagim vetëmbrojtës). Më pas, vrasësi i ka dalë pas 44-vjeçarit që gjendej i vetëm në tavolinë, duke e qëlluar me një plumb në kokë. Katër plumba të tjerë i kanë përshkuar trupin, ndërsa predha e gjashtë është gjetur në tokë.











