Vrasja e Gjashtës, policia “frikë” t’i afrohet Lazaratit

Sep 4, 2012 | 11:22
Viktima e Sarandës, Ardian Beqiri

SARANDE- Bledi Ruçi dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Elton Ruçi e Martin Buxheli, fshihen në malin mbi Lazarat. Kështu bëri të ditur Policia e Sarandës, sipas së cilës tre të dyshuarit janë të rrethuar, por ndërhyrja për momentin është e pamundur, pasi konsiderohet e rrezikshme për shkak se ata janë të armatosur. 27- vjeçari Bledi Ruçi dyshohet se është personi që tërhoqi këmbëzën e armës automatike në lokal “Ardi” në fshatin Gjashtë, ku mbeti i vdekur në vend pronari i tij, Ardian Beqiri. Të plagosur mbetën edhe dy persona, njëri prej të cilëve Orest Ziflaj. Edhe ai dyshohet se ishte bashkëpunëtor i autorëve, por në rrethana ende të paqarta ai mbeti i plagosur me armë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se tre të kërkuarit dyshohet se qëndrojnë të fshehur rrëzë malit të Sopotit, shumë pranë banesave të Lazaratit. Të njëjtat burime thanë se tre të shumëkërkuarit janë të armatosur dhe kjo përbën një rrezik të madh në rast ndërhyrjeje, duke llogaritur këtu edhe ndonjë reagim të mundshëm  të banorëve të Lazaratit. Në raste të ngjashme, këta të fundit nuk e kanë kursyer kundërpërgjigjen ndaj uniformave blu. Veç Bledi Ruçit, që është i armatosur me armë zjarri tip “Kallashnikov”, Policia dyshon se edhe i vëllai Eltoni dhe Martin Buxheli kanë armë më vete. Ndërkohë, forcat e Policisë kanë ngushtuar rrezen e kërkimit në malin e Sopotit, midis Delvinës dhe Lazaratit. Burimet policore dyshojnë se të kërkuarit ndihmohen nga banorë të Lazaratit. sh.d

© Panorama.al

Te lidhura