
SARANDE – Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim tre persona si të implikuar në vrasjen e ndodhur në fshatin Gjashtë. Në kërkim të tyre është angazhuar edhe FNSH-ja, por dy prej tyre dyshohet se kanë kaluar nëpërmjet Sopotit dhe janë strehuar në Lazarat. “Bashkë me kërkimet për kapjen e autorit të vrasjes së Ardian Beqirit dhe plagosjes së Ferdinand Xhangos e Orest Ziflajt, janë zbuluar edhe emrat e bashkëpunëtorëve të Bledi Ruçit. Në kërkim janë edhe vëllai i tij, Elton Ruçi, si dhe 20-vjeçari Martin Buxheli”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit. Mësohet se këta dy të fundit kanë qenë me autorin para se të ndodhte krimi dhe e kanë shoqëruar atë me një makinë të dytë në fshatin Gjashtë. Gjatë arratisë, 27-vjeçari Bledi Ruçi mori rrugën Sarandë-Lukovë, ndërkohë që vëllai i tij dhe 20-vjeçari Martin Buxheli dyshohet se nëpërmjet malit të Sopotit janë futur në Lazarat, vend i origjinës së Buxhelit. Martin Buxheli është person me precedentë penalë. Më 30 tetor 2009, ai është arrestuar (asokohe 17 vjeç), si i dyshuar për shkatërrimin me tritol të një “Benzi” me targë DL 24 21 B, në pronësi të biznesmenit M.M. në Delvinë. Për vrasjen e Gjashtës, Policia ka vazhduar edhe gjatë së dielës kontrollin e disa banesave në Delvinë, ndërkohë që kërkimet në terren janë përqendruar në malin e Sopotit, midis Delvinës dhe Lazaratit. Një grup forcash policore ka marrë në ruajtje edhe banesën e Muharrem Ruçit, babait i dy të kërkuarve, për të evituar ndonjë hakmarrjeje të mundshme apo rikthim të tyre në banesë. I plagosuri Orest Ziflaj ka lënë spitalin, pasi gjendja e tij është përmirësuar. Ai është rimarrë sërish në pyetje nga Policia, për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes së ndodhur pasditen e së premtes, ku mbeti i vrarë 42-vjeçari, pronar i një lokali në fshatin Gjashtë. Ziflaj ka pohuar se ai është shok i dy vëllezërve Ruçi dhe i Martin Buxhelit. “Nuk e dija se sherri do të përfundonte në vrasje. Nuk kam qenë te lokali fillimisht, por te busti i ‘Azem Hajdarit’ në hyrje të fshatit. Pasi kam shkuar aty, kam dëgjuar të shtënat dhe mbeta i plagosur nga plumbat”. Sipas Ziflaj, në momentin e grindjes, në vendngjarje kanë qenë dy vëllezërit Ruçi dhe 20-vjeçari Buxheli. sh.d
Në kërkim
Bledi Ruçi,
27 vjeç
Elton Ruçi,
25 vjeç
Martin Buxheli,
20 vjeç











