
DURRES/ Hetim në periudhën e qëndrimit në Francë për biznesmenin.
Sytë nga Parisi për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit të njohur nga kryeqyteti, Gentian Zguri (Gashi), i cili mbeti i vrarë në një nga trotuaret e Durrësit mesditën e 12 nëntorit të shkuar. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nga ekzekutimi i 35-vjeçarit, Policia dhe Prokuroria e Durrësit nuk kanë asnjë të dyshuar për vrasjen e pronarit të lokalit Rock & Roll në kryeqytet, ndonëse dyshimet për persona të ndryshëm që mund ta donin të vdekur Gashin janë të shumta. Grupi i hetimit që është ngritur për zbardhjen e ngjarjes, vetëm për një gjë është i sigurt, që biznesmeni është vrarë me porosi. Të njëjtat burime thanë se mendohet se urdhri për ekzekutimin e tij ka ardhur nga kryeqyteti francez. Duke i seleksionuar një e nga një pistat që mendohen se mund të kenë lidhje me vrasjen e Gentian Zgurit, oficerët e hetimit i kanë hedhur sytë nga Parisi, vend në të cilin viktima ka qëndruar dhe punuar për një kohë të gjatë. Mësohet se palës franceze i është kërkuar bashkëpunim për të hetuar në lidhje me jetën e 35-vjeçarit, në kohën që ka jetuar në kryeqytetin francez. Referuar jetës së mëparshme, ku 35-vjeçari akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike në Itali, është kërkuar hetim edhe në Francë për jetën e Gashit. Aktualisht grupi hetimor vijon të hetojë në këto pista: Ekzekutim për larje hesapesh, konflikte që viktima ka pasur me persona të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit, pista e hakmarrjes, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera që kanë të bëjnë me aktivitetin e tij të përditshëm. Por, më shumë përparësi i është dhënë pistës së parë, asaj të larjes së hesapeve. Burime konfidenciale sqarojnë se po hetohet e kaluara e viktimës, si edhe konfliktet apo hasmëritë që ky shtetas mund të ketë pasur me ndonjë person, me të cilin ka bashkëpunuar për ezaurimin e veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike, ndaj dhe sytë janë drejtuar nga Parisi, ku mendohet se viktima ka punuar për një kohë të gjatë. Ndërkohë nuk është lënë pas dore pista se 35-vjeçari mund të jetë hequr qafe për çështje pronësie. Aktivitetet e shumta ku ishte angazhuar Gashi ua kanë vështirësuar shumë punën hetuesve, pasi u duhet që të hetojnë në drejtime të ndryshme. Megjithatë, burime nga grupi i hetimit thanë se puna për zbardhjen e plotë të vrasjes vijon dhe hetimet janë në rrugë të drejtë, por për të arritur në fazën finale, duhet akoma punë. Fillimisht Policia dhe Prokuroria ngritën shumë pista për vrasjen e biznesmenit, që u qëllua me një pistoletë me silenciator në mes të qytetit të Durrësit, por pasi janë hetuar, disa prej tyre janë sfumuar. Paralel me hetimet vijojnë shoqërimet në polici. Persona të ndryshëm që njiheshin me viktimën, shokë, të afërm, si dhe dëshmitarë të cilët rastësisht janë gjendur në vendin e ngjarjes në momentin e ekzekutimit të 35-vjeçarit, vijojnë që të shoqërohen në polici për të deponuar. Personazhi i njohur në fushën e biznesit, por edhe për policinë, Gentian Gashi, me mbiemër të ndryshuar, mbeti i vrarë në Lagjen Nr.4 të qytetit bregdetar. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e datës 12 nëntor, në rrugën “Skënderbej”, përballë godinës së Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











