Vrasja e Elenit, Prokuroria e Gjykata lirojnë Ilia Bashon. Policia s’gjeti prova. Basho: Jam qytetar model

May 15, 2012 | 11:50

(djathtas) Ilia Basho dje gjatë kthimit në familje pas lirimit nga Burgu 302 në Tiranë

Organi i Akuzës paraqet kërkesën në Gjykatë: Të shkojë në shtëpi, policia s’gjeti prova. Basho: Jam qytetar model.

Një javë para se të mbushte tre muaj të plotë qëndrimi në paraburgim, Ilia Basho, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij Eleni Basho, është liruar dje nga Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë.
Ka qenë një kërkesë “rrufe” e Prokurorisë së kryeqytetit për “zëvendësim mase” ajo që ka sjellë lirimin e 39-vjeçarit të dyshuar për ekzekutimin e gruas së tij Elenit, e cila u qëllua me dy plumba më 2 shkurt 2012 në mbrëmje teksa kthehej në banesën e saj në Shkozë. Burime pranë Gjykatës së Tiranës sqaruan se i dyshuari Ilia Basho e fitoi lirinë me kërkesë të prokurorit që po ndjek hetimet ndaj tij për akuzën e vrasjes. Në një seancë ku ka qenë i pranishëm edhe i dyshuari Basho, prokurori i çështjes, Etien Kapo, ka kërkuar dje zëvendësimin e masës nga “arrest me burg” në “detyrim për paraqitje”. Avokati mbrojtës ka pranuar ndryshimin e masës, e cila është realizuar nga gjyqtari Altin Shkurti, i njëjti që në muajin shkurt pati vendosur “arrest me burg” për të dyshuarin. Lirimi i të pandehurit Basho u konfirmua dje edhe nga mbrojtësi i tij ligjor, avokati Lazer Sokoli. I kontaktuar në telefon nga “Panorama”, avokati Sokoli tha se më në fund drejtësia u vu në vend. “Drejtësia u vu në vend. U arrestua ai që nuk duhet të arrestohej. Më në fund, fëmijët që prej disa muajsh nuk kanë gjallë nënën e tyre, sot do të kenë babain në shtëpi”, u shpreh avokati. Prokuroria ndërkohë ka pohuar se policia nuk gjeti prova të reja për fajësinë e Ilia Bashos. “Ekzistonte motivi, pra shkaku i tradhtisë dhe xhelozisë, por nuk kishte prova që ta implikonin të dyshuarin në vrasje”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, dy herë me radhë u bënë analiza të përbashkëta me policinë për dosjen në fjalë, por nuk u referuan prova të reja. Ndodhur në këto kushte, i dyshuari nuk mund të mbahej në qeli më tej pasi rrezikohej të ndodhte situata e burgimit të padrejtë.
Reagimi i Ilia Bashos

Ilia Basho dje gjatë kthimit në familje pas lirimit nga Burgu 302 në Tiranë

Veprimi i parë që ka kryer Ilia Basho pas daljes nga paraburgimi ka qenë ulja në një lokal me avokatin e tij mbrojtës. Ndërsa pinte kafe aty, Ilia Basho ka thënë për News 24 se nuk uron që t’i ndodhë ndokujt ajo që i ka ndodhur atij. “Jam një njeri i lirë. Do të doja që kjo që më ndodhi mua të mos i ndodhte dikujt tjetër. Mendoj se jam një qytetar model për Shqipërinë, që këtej e tutje ju lutem më lini ta pi këtë kafe dhe të vete te fëmijët e mi. Vetëm kaq kërkoj. Ju lutem, më lini në privatësinë time”, ka thënë Ilia Basho. Pak minuta më pas, në një deklaratë tjetër, Ilia Basho është shprehur se në gjithë jetën e tij ka kryer vetëm dy faje. “Jam qytetar model, kam marrë vetëm dy gjoba, dhe ato për parkim të gabuar”, tha Basho. Ai nuk preferonte të bënte komente në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij dhe tashmë as për lirimin nga paraburgimi. “Më lini rehat, dua të takoj fëmijët e mi dhe vetëm kaq. Më lini rehat në shqetësimin tim. Prokuroria dhe policia le t’i gjejnë vrasësit”, tha Ilia Basho dje pak kohë pas lirimit nga paraburgimi.
Arrestimi
Ilia Basho u ndalua nga policia më 21 shkurt 2012, pak javë pasi bashkëshortja e tij u qëllua për vdekje nga persona të paidentifikuar në zonën e Shkozës në Tiranë. Pas ndalimit, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, masë që u la më pas në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Para gjykatës, prokuroria në këto seanca paraqiti disa mesazhe telefonike, të shkëmbyera mes të dyshuarit drejtuar një femre me të cilën kishte lidhje jashtëmartesore. “Më prit dhe pak! Ajo do të largohet nga skena pa u bërë zhurmë dhe ti nuk do të kesh fare punë, se di unë si ta rregulloj. Ti ke ngrënë një shpullë, por asaj do t’i kthehen dhjetë të tilla mbrapsht”, thuhej në një nga këto SMS.                       ar.ba

I dyshuari u përlot kur takoi nënën e fëmijët
Ilia Basho kthehet në shtëpi, familja e Elenit nuk e pret

TIRANE – Ilia Basho është rikthyer i lirë në shtëpinë e tij në Shkozë, 72 ditë pasi kishte dalë nga aty me pranga në duar. Ai ishte ndaluar nga policia si i dyshuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Eleni Basho, më 2 shkurt të këtij viti. Pak orë pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës, i shoqëruar nga vëllai dhe avokati i tij, Lazër Sokoli, Ilia Basho zbriti dje nga një makinë e kuqe “Ford Fiesta” në oborrin e vilës së vet, ku e priste nëna, dy fëmijët dhe të afërmit. Pasi kishte kaluar rreth një orë nga lirimi i tij nga Burgu 302, ku qëndronte prej afro tre muajsh, në orën 18:45 Ilia Basho mbërriti te shtëpia në Shkozë. Ndërsa hynte brenda ai u përqafua i përlotur fillimisht me të ëmën e më pas me të gjithë të afërmit që kishin shkuar për ta pritur në shtëpi. Ai nxitoi të futej brenda duke u shmangur që t’u përgjigjej pyetjeve të medias. Bashon mësohet se djali dhe vajza po e prisnin në dhomën e ndenjës. Avokati i tij, Lazër Sokoli, deklaroi se nuk është momenti i përshtatshëm që ai të bisedojë me median, pasi ka nevojë të çmallet me fëmijët. Nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, përfshi edhe përfaqësuesit e medias, është konstatuar dje se pjesëtarët e familjes së laborantes Eleni Basho nuk kishin shkuar ende në shtëpinë e ish-dhëndrit për ta pritur pas lirimit nga burgu.

Mesazhet
Sipas akuzës, Ilia Basho i ka nisur të dashurës së tij
Yllka Shehaj këto SMS:

“O të marr, o do vdes, prandaj kujdesu për fëmijët e mi po s’u bë kjo që dua unë”.

“Nesër, ose në datë 2 do të zgjidhet kjo punë”.

“Më prit dhe pak, më prit deri me 15.12.2012 dhe ajo do të largohet nga skena pa u bërë zhurmë dhe ti nuk do të kesh fare punë se si do ta rregulloj. Ti ke ngrënë një shpullë, por asaj do t’i kthehen dhjetë të tilla mbrapsht”.

Si u vra laborantja dentare
Eleni Basho zbuloi tradhtinë e Ilias

Viktima Eleni Basho

TIRANE – Më 2 shkurt 2012, rreth orës 18:30, në lagjen “Shkozë” është vrarë me armë zjarri shtetasja Eleni Basho, e cila ka qenë bashkëshorte e të pandehurit Ilia Basho. Vrasja e saj ka ndodhur vetëm pak çaste pasi viktima kishte zbritur nga autobusi dhe ishte nisur më këmbë për të shkuar në shtëpi. Eleni Basho kishte dalë atë pasdite për të shpërndarë disa materiale dentare, të cilat i tregtonte kompania e përbashkët e saj me Ilia Bashon. Ky i fundit, në vitet 2003-2004, kur punonte në Tatime, krijoi kompaninë “Nova Dental”, por e kishte hedhur në emër të gruas për të shmangur konfliktin e interesit. Në dy vitet e fundit, Ilia Basho ka pasur një lidhje intime me shtetasen Yllka Shehaj. Kjo lidhje, sipas policisë dhe Prokurorisë, ishte zbuluar nga Eleni Basho, e cila po shkonte drejt divorcit me të shoqin, me të cilin kishin konflikte të vazhdueshme.

© Panorama.al

Te lidhura