
Prindërit e 35-vjeçares mohojnë konfliktet brenda familjes.
Hetime për transaksionet financiare me ortakun Bituni.
Prindërit e Eleni Bashos, 35-vjeçares së vrarë me tre plumba në mbrë-mjen e 2 shkurtit, nuk pranojnë që vajza e tyre të ketë folur rreth mundësisë së divorcit me bashkëshortin Ilia Basho. Ndryshe nga ç’është publikuar ditët e fundit, se e ëma e Elenit, Theodhora Dodi, ka qenë në dijeni të konflikteve familjare të vajzës me Ilian e këto i ka rrëfyer edhe në polici, vetë ajo mohon që të ketë bërë deklarata të tilla. “Po bëhet lëmsh kjo histori dhe ne jemi shumë të mërzitur si prindër. Humbëm vajzën dhe tani po humbim edhe mendjen me ç’po lexojmë e dëgjojmë. Ne themi që s’ka pasur probleme Eleni me Ilian, e nëpër media shkruhet ndryshe. Flas të paktën, ne si prindër nuk jemi në dijeni se kanë pasur konflikte në çift ata të dy. Nuk na është ankuar ndonjëherë vajza për këtë gjë. Çfarë të bëj unë? Të them se ziheshin përditë, ngaqë kështu ua do qejfi medias”, thotë e acaruar e ëma, ndërsa shton se me kaq e ka mbyllur tragjedinë e familjes së saj me median.
Sakaq, dy familjet që u bënë miq nga krushqia në vitin 1992 dhe komshinj në Shkozë që nga viti 2001, duket se vazhdojnë të ruajnë marrëdhëniet, pavarësisht se policia përfshiu në listën e të dyshuarve për vrasjen e Elenit Bashos

edhe vetë bashkëshortin e saj, Ilia Basho. Pas kthimit në Tiranë nga Andon Poçi, fshatit të lindjes ku u varros e ndjera në datën 3 shkurt, prindërit e Elenit, Thanas dhe Theodhora Dodi, kanë hyrë dhe kanë dalë nga shtëpia e Ilias. Po ashtu, edhe dhëndri nga banesa e tyre. E njëjta gjë konfirmohet edhe për dy fëmijët e çiftit, Thanasit 15- vjeçar dhe Athinasë 11-vjeçare. Djali e ka marrë vesh menjëherë humbjen e nënës, ndërsa vajza vetëm 4 ditë më parë. Nga jashtë dy shtëpive të familjes Dodi dhe Basho ngjan sikur miqësia vijon njësoj si para vdekjes së Elenit, ndërsa nga brenda nuk mund të deklarojmë dot se si është e vërteta, sa kohë asnjëra palë nuk pranon që të ketë probleme mes tyre.
Nga ana tjetër, hetimet rreth vrasjes së Eleni Bashos nuk po arrijnë dot që të nxjerrin akuza konkrete. Janë 3 pista kryesore hetimi që përfshijnë kontradiktat në çift, grabitjen dhe prishjen e ortakërisë. Kjo e fundit, duket se është rikthyer më fuqishëm në vëmendjen e hetuesve, për shkak të dyshimeve mbi transaksionet financiare të “Nova Dental Albania” që kanë bërë ortakët Ilirian Bituni dhe çifti i bashkëshortëve, Eleni dhe Ilia Basho. Sipas informacioneve të deritanishme që kanë arritur të marrin ekspertët e hetimit, pavarësisht se pjesa e shitur nga Bituni drejt çiftit Basho zyrtarisht është deklaruar 100 mijë euro, në fakt është rreth 3-fish më shumë. “Ulja e kuotave në çmim mendohet se është bërë për të shmangur taksat. Dyshojmë se vlera reale e shitjes së ortakërisë nga Basho te Bituni është 400 mijë euro në total. Nga këto, përpara noterit janë të justifikuara zyrtarisht vetëm 100 mijë euro. Nga kjo shumë, Bituni i ka paguar Bashos 45 mijë euro. Konkretisht: 25 mijë euro i janë dhënë në nëntor 2011, 10 mijë euro në janar, si dhe 10 mijë euro një natë para se Eleni të vritej, pra më 1 shkurt. Kaq është informacioni që mund të konfirmojmë deri tani, ndërsa për të tjerat jemi ende në proces verifikimi”, thonë për gazetën ekspertët nga grupi hetimor.
E drejta e pagesës, vetëm për Ilian
Kontratat noteriale të shitjes së biznesit “Nova Dental Albania”, por edhe informacione të tjera të siguruara në rrugë operative, kanë bërë që ekspertët e hetimit të rikthejnë dyshimet mbi prishjen e ortakërisë Bituni-Basho. Sipas tyre, Bituni ka pasur detyrimin ligjor në bazë të një kontrate noteriale, që këstet e pagesave dhe faturat e likuidimit t’ia jepte shtetasit Ilia Basho dhe asnjë personi tjetër, përfshirë Elenin.
Tre dëshmitarë: “Ilia ishte me ne kur i dhanë lajmin e vrasjes”
Ilia Basho, bashkëshorti i 35-vjeçares së ekzekutuar me tre plumba, ka arritur që të vërtetojë vendndodhjen e tij në kohën e vrasjes. Sipas dëshmisë që ka dhënë në polici, në kohën kur ka marrë telefonatën për vrasjen e gruas, më saktë se ajo ishte shumë sëmurë, ai ka qenë në një klinikë dentare në zonën e quajtur “Pazari i ri”. Hetuesit e kryeqytetit kanë përcaktuar si moment të vrasjes së Eleni Bashos orën 18:10-18:15 minuta, ndërsa forcat policore janë njoftuar për ngjarjen rreth orës 18:30 minuta. “Në këto orare, janë tre persona që dëshmojnë se kanë qenë me Ilian kur ai ka marrë një telefonatë nga familjarët se Eleni ishte në spital dhe ai ka ikur me vrap, duke thënë diçka nëpër dhëmbë dhe pa i përshëndetur”, deklarojnë burime pranë ekspertëve të hetimit. Sipas tyre, edhe oraret para kohës së vrasjes Ilia i ka të dëshmuara, por kjo nuk e bën atë të padyshuar për policinë, duke qenë se një pistë tjetër hetimi është edhe “vrasja me pagesë”.
“Vrasësi ka qenë me Elenin, ose e ka ndjekur nga pas”
Një tjetër pistë ku po hetohet për vrasjes e nënës së dy fëmijëve gjatë mbrëmjes së 2 shkurtit është edhe ajo e grabitjes. Në këtë linjë, sipas ekspertëve të hetimit, janë dy versione: “E para, mund të jenë edhe dy autorë, të cilët mund të kenë pasur dijeni për eurot që kishte me vete Eleni, ose mund t’ia kenë parë në autobus, duke qenë se sapo kishte zbritur prej tij. Për shkak të vendit të izoluar nga shikimi, nga shiu dhe errësira, grabitësit kanë përfituar dhe kanë tentuar ta grabisin, duke i dalë njëri nga pas dhe tjetri nga para. Nuk mund të themi se si kanë rrjedhur veprimet dhe personi nga pas e ka qëlluar. Siç duket, situata u ka dalë nga parashikimi dhe të dy mund të jenë larguar, pa arritur grabitjen e menduar. Versioni i dytë është që një person, të cilin e njihte Eleni, e ka shoqëruar deri aty dhe e ka vrarë. Megjithatë, është shumë shpejt për konkluzione”.











