
Familjarët e 35-vjeçares i kërkojnë Ilias që të largohet
“Nuk e akuzojmë Ilian, por duam të jemi të sigurt që nuk na fsheh diçka”
Prindërit e Eleni Bashos, 35-vjeçares që u ekzekutua me plumba mbrëmjen e së enjtes në Shkozë të Tiranës, shfaqin dyshime lidhur me implikimin e mundshëm të bashkëshortit, Ilia Basho, në vrasjen e vajzës së tyre. Ata nuk vënë gishtin mbi të duke e akuzuar si vrasës, por njëkohësisht nuk janë të sigurt që Ilia nuk po u fsheh diçka. Kjo pasiguri ka bërë që prindërit e Elenit, Konstandin dhe Theodhori Dodi, t’i kërkojnë me mirësjellje Ilias që të largohet të paktën për disa ditë prej familjes së tyre, derisa të sqarohet më mirë ngjarja. “Të dalë e vërteta siç është. Edhe nëse fajtorja është Eleni. Edhe nëse ajo ka bërë trafik droge. Duam të dimë vetëm pse e humbëm. Nuk po themi që e vrave ti, por nëse di diçka, duhet të na e thuash. Do të jetë më mirë për ty, më mirë për të gjithë ne. Nuk do të ta falim, nëse në fund do të dalësh ti i implikuar”, i kanë thënë ndër të tjera Ilias prindërit e Elenit. Vetë Ilia ka këmbëngulur se është krejt i pafajshëm, se po tregohet i sinqertë me ta dhe se ajo çfarë i shkon në mendje është se mbase vrasësit kanë ngatërruar person, ose kanë dashur ta grabisin. Këtë episod, si dhe gjithçka ka ndodhur gjatë një takimi disaminutësh mes familjarëve Dodi dhe Basho në mesditën e së shtunës, na e treguan disa të afërm, dëshmitarë në bisedë. Jo se ne nuk ishim të tillë, por duke qenë se ata flisnin në gjuhën vllahe, nuk mund të kuptonim dialogun. Megjithatë, mund të dallonim mjaft qartë nervozizmin e të dyja familjeve. Sidomos dhimbjen e një babai të sëmurë me zemër dhe të një nëne që kishte çjerrë faqet me thonj, duke vajtuar të bijën. Thanasi dhe Theodhora ishin në një gjendje… ashtu siç mund të jenë dy prindër kur humbin vajzën e tyre!
Mort i ndarë
Të bashkuar të premten, në ditën e parë të mortit, teksa i dhanë lamtumirën e fundit Elenit në varrezat e fshatit Andon Poçi, dy krushqitë e vjetra, Basho-Dodi, janë ndarë që të nesërmen. Të shtunën, Kostandin dhe Theodhora Dodi, prindërit e viktimës, kanë shkuar në shtëpinë e kushërinjve të tyre për të pritur ngushëllimet e rastit. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Ilia, duke përdorur një banesë të xhaxhait. Pavarësisht se kanë lindur dhe janë rritur në këtë fshat, asnjëra prej dy familjeve Basho-Dodi nuk i kishin shtëpitë e tyre funksionale, duke qenë se prej 10 vitesh jetonin në Tiranë. Megjithatë, dukej sikur nuk kishin ikur kurrë që aty. Banorët e fshatit i kujtonin me shumë nostalgji, por vrasja e Elenit kishte bërë që edhe ata të ndaheshin më dysh lidhur me dyshimet për implikimin e Ilias. Teksa binte borë, disa vinin dorën në zjarr që ai nuk mund ta vriste kurrë Elenin, e disa të tjerë të jepnin përgjigje nëpërmjet një pyetje: “Kush mund ta ketë bërë tjetër?”. Siç duket, e njëjta dilemë ka shoqëruar edhe të shtunën prindërit e Elenit, të cilët kanë vendosur që të mbajnë një lloj distance me dhëndrin për disa ditë. Kaq kohë mendojnë ata se do t’i duhet policisë që të gjejë autorin e vrasjes së vajzës së tyre. E nëse zbardhja e ngjarjes i kalon “këto ditët”, atëherë ata do ta diskutojnë sërish se çfarë qëndrimi të ri do të mbajnë me Ilian.
Largimi
Për momentin, familja Dodi i ka treguar derën dhëndrit, babait të nipit të tyre 15-vjeçar dhe mbesës 11-vjeçare, të cilët që nga mbrëmja e së enjtes janë jetimë nga nëna. Teksa Ilia po i ngushëllonte në shtëpinë e xhaxhait të Elenit, prindërit e saj, Thanasi dhe Theodhora Dodi, i kanë dhënë fund shpejt vizitës së tij. Në mesditën e së shtunës, i shoqëruar nga disa të afërm, Ilia ka lënë banesën e familjes Dodi për të shkuar te ajo e xhaxhait të tij, vetëm pak metra më tutje. Për krahësh e mbanin disa të afërm, pasi nuk arrinte dot të mbante ekuilibrin. Në këtë gjendje e gjetëm edhe disa orë më vonë, teksa e intervistuam për gazetën “Panorama”, ku Ilia iu përgjigj pyetjeve që nga njohja me Elenin, vitet e martesës me të, prishjen e marrëdhënieve me ortakun e biznesit të pajisjeve dentare “Nova Dental Albania”, si dhe çdo detaj tjetër lidhur me ditën e fundit të vrasjes së bashkëshortes së tij. Më pas, edhe pse ishte darkë vonë dhe rrugët ishin mbuluar me akull, Ilia është nisur drejt Tiranës, pasi u kërkua me insistim nga ekspertët e hetimit për t’u rimarrë në pyetje.
Facebook, Ilia foto me fëmijët, por jo me Elenin
Duket se nuk i ka me shumë dëshirë profilet në rrjetet sociale, por për shkak të punës, Ilia Basho dispononte dy të tillë në Facebook. Njërin në llogarinë e tij, me emër e mbiemër të saktë dhe tjetrin për firmën “Nova Dental Albania”. Në të dyja profilet nuk është se ishte shumë aktiv dhe njoftimet e reja të tij kishin të bënin lidhur publicitetin e biznesit. Megjithatë, te llogaria personale në Facebook ai kishte vënë disa fotografi të tijat, si dhe të dy fëmijëve, të Thanasit 15-vjeçar (mban emrin e babait të Ilias) dhe Athinasë 11-vjeçare, por nuk kishte asnjë fotografi me bashkëshorten e tij, Elenin. Ky fakt është parë me dyshim nga ekspertët e hetimit, edhe pse deklarojnë se nuk përbën provë. Vetë Eleni nuk dispononte profile në rrjetet sociale. Të paktën jo me gjeneralitetet e vërteta.
Ilia Basho kërkoi shtyrjen e dëshmisë për ngjarjen
I shoqi i Eleni Bashos thirret përsëri në Policinë e Tiranës
TIRANE – Bashkëshorti i laborantes dentare, Eleni Basho, e cila u vra mbrëmjen e së enjtes në Shkozë të Tiranës, pritet të merret sot në pyetje, në cilësinë e personit në hetim për ngjarjen. Burime nga Policia thanë se 37-vjeçari Ilia Basho është thirrur që dje në polici, por ka kërkuar mirëkuptimin e oficerëve të Policisë Gjyqësore për ta shtyrë seancën e marrjes në pyetje. Arsyetimi i tij për plotësimin e këtij favori nga ana e policisë ishte fakti që kishte fëmijët vetëm në shtëpi dhe priste vizita ngushëlluese, për shkak se ishin të tretat e vdekjes së të shoqes. Burime nga grupi hetimor, nisur nga deklarime të ndryshme të personave të njohur të çiftit Basho, por dhe nga një incident i ndodhur në muajin nëntor mes Eleni Bashos dhe një femre tjetër ende të paidentifikuar, kanë dyshime për implikimin në ngjarje edhe të Ilia Bashos. Burimet e Policisë pranojnë se ende nuk kanë prova të sigurta kundër 37-vjeçarit, megjithatë gjatë marrjes në pyetje, Bashos i duhet të sqarojë disa momente të dyshimta në lidhje edhe me deklarimet e tij paraprake natën kur ndodhi vrasja e bashkëshortes së tij. Sipas Policisë, nga dëshmia e tij e parë në polici ka disa paqartësi dhe kontradikta, jo vetëm me dyshimet e tij për motivet e ngjarjes, por edhe në lidhje me një shumë prej 24 mijë eurosh që ai pretendon se mund të jenë grabitur. Basho ka pretenduar gjatë deklarimeve të para në polici se vrasja e së shoqes, në rast se nuk është një grabitje e mundshme, mund të jetë një ngatërrese objektivi. Por, “ngatërresa e objektivit” është hedhur poshtë nga babai i së ndjerës Eleni Basho, i cili pretendon se ka ndodhur e kundërta. Sipas tij, e bija u vra në një vend, që ndryshe nga e gjithë zona pranë shtëpisë së tyre që është e errët, aty kishte dritë dhe vendi ishte i ndriçuar. Pra, sipas bisedave që Kostandin Basho ka bërë me një punonjës policie, është shprehur se ngjarja nuk është ngatërrese, autori ka arritur ta shohë Eleni Bashon dhe e ka qëlluar me dashje për ta vrarë pas shpine. e.d
Nga e derguara jone ELISABETA ILNICA
© Panorama.al












