Vrasja e Eleni Bashos, hetohen pagesat në banka

Feb 14, 2012 | 12:14

Shtepia e Eleni Bashos ne Shkoze

Hetimi, viktima e vrasjes më 2 shkurt kishte marrë 25 mijë eurot e para

Laborantja i shiti aksionet te “Nova Dental” para atentatit

Prokuroria u drejtohet bankave me një kërkesë për evidentimin e transaksioneve financiare të Eleni Bashos, laborantes dentare të vrarë mbrëmjen e 2 shkurtit 2012 në zonën e Shkozës në Tiranë. Pronësia e saj mbi aksionet e kompanisë “Nova Dental Albania” dhe tërheqja nga ky subjekt pak kohë para vrasjes, janë bërë objekt dyshimesh nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Organi i akuzës që po heton vrasjen ende pa autor të 36-vjeçares, ka kërkuar informacion zyrtar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë nëse Eleni Basho ka llogari në to dhe nëse po, çfarë lëvizjesh financiare ka bërë gjatë vitit të fundit. Kërkesa u është drejtuar bankave që javën e kaluar, ndërsa ditën e djeshme një prej bankave ka kthyer përgjigjen e parë duke deklaruar se nga kontrolli në databasen e saj nuk ka gjetur të dhëna për llogari bankare në emër të Eleni Bashos. “Sipas të dhënave të siguruara nga hetimi i deritanishëm rezulton se shtetasja Eleni Basho ka kryer veprime financiare dhe këto veprime kanë qenë në shuma të mëdha pas vendimit të shitjes së aksioneve që ajo kishte në kompaninë ‘Nova Dental Albania'”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, informacioni nga bankat mund të konfirmojë nëse veprimet në fjalë janë kryer dhe nëse po, ky informacion mund të orientojë hetimin më mirë, pasi nxjerr zbuluar marrësit dhe dhënësit e shumave financiare, duke zbardhur kështu më mirë edhe konfliktet e mundshme.
Biznesi
Që nga viti 2003 shtetasja Eleni Basho drejtonte në letër kompaninë “Nova Dental”, të krijuar nga i shoqi i saj, shtetasi Ilia Basho, i cili në atë kohë punonte në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Për të shmangur formalisht konfliktin e interesit, zoti Basho i vendosi biznesit të produkteve dentare emrin e gruas së tij, në mënyrë që ai si punonjës shteti të mos rezultonte pronar apo administrator. Në mënyrë të paqartë, pak muaj më parë, shtetasja Eleni Basho është tërhequr nga kompania në fjalë, duke krijuar paralelisht një aktivitet tjetër në një klinikë tjetër në të njëjtën fushë veprimtaria me produktet dentare. Ajo i nxori në shitje aksionet e saj te kompania e mëparshme “Nova Dental”, ku u caktua edhe një çmim për këto aksione. Sipas Prokurorisë, parimisht palët kanë rënë dakord për çmimin dhe mënyrën e likuidimit. Pagesa do të realizohej me këste, ndërsa deri në momentin kur vdiq Eleni Basho kishte marrë 25 mijë euro. Sipas hetimeve, të gjitha pagesat do të bëheshin në emër të shtetases 36-vjeçare, pasi ajo kishte qenë pronare e aksioneve të shitura, së paku në dokumente.

Dy pistat hetimore për Eleni Bashon

Ilia Basho

Shtetasja Eleni Basho u vra pranë banesës së saj në Shkozë të Tiranës. Para krimit ajo ka qenë tek një shoqe e saj, njëherësh edhe kolege në fushën e mjekësisë dentare, ndërsa është qëlluar me tre plumba teksa po kthehej në banesë. Kur kanë kaluar plot 11 ditë nga vrasja, Prokuroria thotë se ka në hetim dy pista në lidhje me shkakun e ngjarjes. Pista e parë është ajo e grabitjes, e cila sipas hetuesve mbetet në fuqi, ndonëse çanta e viktimës nuk është prekur edhe pse ka pasur brenda një shumë prej rreth 2 mijë eurosh. Sipas Prokurorisë, pasi kanë shtënë me armë, autorëve u ka dalë situata jashtë parashikimeve, duke u ndodhur në një situatë për të cilën nuk ishin përgatitur dhe për këtë janë larguar me vrap. Pista e dytë është ajo e vrasjes për motive të dobëta, si dhe mundësia e atentatit për shkak të konflikteve në biznes.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura