Vrasja e dyfishtë, tre në kërkim

Jun 16, 2012 | 13:41
Kolë Cuku dhe mbesa 17-vjeçare, të vrarë në Dukagjin të Shkodrës

Dy djemtë dhe vëllai i viktimës së dy viteve më parë janë autorët e vrasjes së dyfishtë në zonën e Dukagjinit. Policia e Shkodrës zbardh emrat e tre personave në kërkim dhe konfirmon faktin se ekzekutimi i gjyshit dhe mbesës 17-vjeçare është bërë për gjakmarrje. Tre persona të fisit Prroj janë duke u kërkuar nga Policia për krimin e dyfishtë. Sipas Policisë së Shkodrës, ata janë vëllezërit Prroj. Për momentin Policia bën të ditur vetëm inicialet e shtetasve të dyshuar për vrasjen e dyfishtë që janë vëllezërit A.Prroj, 27 vjeç dhe 32-vjeçari A.Prroj, 32 vjeç, si dhe xhaxhai i tyre, V.Prroj 43 vjeç, që të tre me origjinë nga fshati i largët, por banues në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimit të hetimeve, Policia ka arritur në përfundimin se vrasja e dyfishtë dyshohet të jetë bërë për motive hasmërie dhe se shënjestër e autorëve ka qenë shtetasi Kolë Cuku, 70 vjeç, ndërsa vajza 17-vjeçare është goditur aksidentalisht pasi ka qenë fare pranë gjyshit të saj. Hasmëria mes dy fiseve, Prroj dhe Cuku, nis me vrasjen dy vite më parë të 63-vjeçarit Ndoc Prroj, që është dhe babai i dy të dyshuarve kryesorë të vrasjes së djeshme. Për këtë vrasje Policia pati arrestuar Gjokë Cukun, vëllain e adoleshentes së vrarë.
Pas përfundimit të hetimeve të para, policia ka arritur të bëjë edhe një rindërtim të skenës së krimit nisur nga provat dhe faktet në momentin e këqyrjes së vendit të krimit. Sipas burimeve policore mësohet se dy viktimat kanë qenë shumë pranë njëri-tjetrit, në arën e mbjellë me misër, dhe fakti që plumbat kanë marrë gjyshin 70-vjeçar dhe mbesën e tij 17-vjeçare, shpjegohet se ata kanë qenë fare pranë njëri-tjetrit. Në momentin kur autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku drejt tyre, 70- vjeçari Kolë Cuku ka marrë tre plumba në pjesën e gjoksit dhe ka ndërruar jetë rrugës duke mbërritur për në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa vajza megjithëse është goditur vetëm nga një plumb, plaga ka qenë vdekjeprurëse dhe i ka shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme. Vdekjen e 17-vjeçares nga një plumb i vetëm Policia e shpjegon me faktin se, nisur nga pozicioni i përkulur i vajzës duke punuar në arë, plumbi e ka marrë fillimisht nga pjesa e prapme duke i goditur veshkën, më pas i ka përshkuar të gjithë trupin duke i dalë në kokë. Konflikti mes dy familjeve Prroj dhe Cuku, të cilat janë fqinje me njëra-tjetrën, në fshatin Kir të komunës Pult, pati nisur për pronësinë mbi një vijë uji. Sherri më pas ka vazhduar duke u acaruar, derisa sot pas 2 vitesh numërohen tri viktima nga të dy familjet. Në të dy rastet skena ka qenë e ngjashme, pasi dy familjet ishin me origjinë nga zona e thellë ku kishin pronat. Dy palët shkonin herë pas here për të punuar aty ku ndodhi vrasja.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura