Vrasja, e dashura e Bashos në hetim

Feb 28, 2012 | 13:26

Yllka Shehaj

Ekzekutimi i laborantes Eleni Basho, grupi i hetimit: I shoqi gënjeu për telefonatat, s’u gjetën celularët.

Prokuroria: Yllka Shehaj dyshohet se kishte dijeni për atentatin.

Prokuroria e konsideron person në hetim të dashurën e Ilia Bashos, 38-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Eleni Basho. Burime nga grupi hetimor kanë thënë dje se shtetasja Yllka Shehaj, e dyshuar si e dashura e Ilia Bashos, është person në hetim për dijeni mbi planin e vrasjes së Elenit Bashos, gruas që u ekzekutua me dy plumba mbrëmjen e 2 shkurtit 2012 në Tiranë. “Nga shqyrtimi i provave materiale të grumbulluara dhe deklarimeve të dhëna nga dëshmitarët, rezulton se shtetasja në fjalë ka pasur një lidhje me të dyshuarin Ilia Basho prej më tepër se një viti. Ata kanë pasur komunikim të vazhdueshëm mes tyre, ndërsa kjo lidhje është bërë shkak për vrasjen e shtetases Eleni Basho nga i shoqi i saj, Ilia, në bashkëpunim me persona të tjerë”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre dyshohet se Yllka Shehaj së paku ka qenë në dijeni të asaj që do të ndodhte, ndërsa po hetohet nëse ka nxitur apo ka ndihmuar në vrasjen e Eleni Bashos. Burimet e Prokurorisë thanë dje se Ilia Basho, bashkëshorti i laborantes dentare Eleni Basho, “ka krijuar kushtet e nevojshme që vrasja e gruas së tij të ndodhë”.
Dëshmia kontradiktore
Gjatë deklarimeve paraprake në polici pas vrasjes së Eleni Bashos, i shoqi i saj Ilia ka thënë se natën e krimit ai ka folur me gruan për herë të fundit rreth orës 15:30. Sipas këtyre thënieve, del që Ilia Basho të ketë biseduar me të shoqen 3 orë e 15 minuta para se Eleni Basho të vritej me dy plumba rrugës teksa kthehej për në shtëpi. Mirëpo, nga të dhënat e mbledhura nga hetimi i çështjes, ka rezultuar se Ilia Basho ka pasur disa komunikime në telefon me të shoqen atë pasdite. “Në fakt, komunikimi i Ilia Bashos me të shoqen vetëm sa ka filluar në 15:30, pasi në vazhdim kanë ndodhur disa komunikime”, thanë burimet nga hetimi i çështjes. Sipas tyre, të qenët e Ilia Bashos në komunikim me të shoqen do të thotë se ai ka qenë në dijeni për lëvizjet që do të kryente Eleni Basho. I shoqi i viktimës ka dëshmuar se kur ndodhi ngjarja në 18:45, ai ndodhej tek Pazari i Ri, ndërkohë që nga Prokuroria mësohet se të paktën në këtë institucion nuk kanë mbërritur si të sekuestruar në cilësinë e provës telefonat celularë të Eleni Bashos.

Arresti për Ilian, zbardhet vendimi i gjykatës
“Eleni Basho u qëllua nga një person kur shkonte në shtëpi”

Ilia Basho në Gjykatë

TIRANE – Zbardhet vendimi gjyqësor, që la në “arrest me burg” Ilia Bashon, 37-vjeçarin e akuzuar si organizator të vrasjes së bashkëshortes së tij, Eleni Basho. Në vendim gjykata pohon se mbrëmjen e 2 shkurtit Eleni Basho është qëlluar nga një person i vetëm dy herë me armë zjarri. Referuar materialeve të paraqitura nga ana e organit të hetimit, gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se autori i kësaj vepre penale është shtetasi Ilia Basho. Në lidhje me masën e sigurisë, gjykata argumentonte se ekzistonte rreziku që Basho mund të largohej. Ilia Basho u arrestua gati tri javë pasi bashkëshortja e tij u qëllua për vdekje, në një rrugë pranë banesës së tyre në Shkozë. Në vijim paraqitet arsyetimi i vendimit të masës së sigurisë.
NGJARJA SIPAS GJYKATES
Më datë 02.02.2012, rreth orës 18:30, shtetasja Eleni Basho po shkonte në banesën e saj, që ndodhet në lagjen “Shkozë”, pranë ambienteve të firmës “Sina Beton”. Disa metra para se të mbërrinte në banesë, kësaj shtetaseje i ka dalë një person me armë zjarri, i cili i ka qëlluar dy herë. Si pasojë e këtyre të shtënave, ka ngelur e vdekur shtetasja Eleni Basho. Nga hetimet e kryera, deklarimet e personit në hetim dhe të personave që kanë dijeni për veprën penale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se autori i kësaj vepre penale është shtetasi Ilia Basho, vepër penale që dyshohet të jetë kryer nga ky person në bashkëpunim.
Për këtë arsye është nxjerrë urdhri i ndalimit, datë 21.02.2012, dhe është bërë ndalimi i tij. Urdhri i ndalimit është ekzekutuar me procesverbalin e datës 21.02.2012. Ai është person në hetim për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”, të kryer në bashkëpunim.
“ARRESTI ME BURG”
Nga parashtrimi i faktit të ndodhur rezulton se ekzistojnë kushtet e ndalimit. Në këto rrethana, ndalimi i personit nën hetim, Ilia Basho, është bërë konform rregullave të përcaktuara procedurale dhe gjykata e vlerëson atë të ligjshëm. Nga përmbajtja e materialit procedues të sjellë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ekziston një dyshim i arsyeshëm se personi nën hetim, Ilia Basho, ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet. Dyshimi i arsyeshëm krijohet nga shqyrtimi i materialit procedues, si procesverbali i ndalimit i datës 21.02.2012, procesverbal i këqyrjes së vendit të ngjarjes datë 02.02.2012, procesverbali për marrjen e të dhënave nga persona që kanë dijeni për veprën penale datë 06.02.2012, procesverbali për marrjen e të dhënave nga persona që kanë dijeni për veprën penale datë 08.02.2012, procesverbali për marrjen e të dhënave nga persona që kanë dijeni për veprën penale datë 21.02.2012 etj, urdhri për regjistrimin e emrit të personit të cilit i atribuohet vepra penale etj. Kështu, duke konsideruar se ekzistojnë nevojat e sigurimit personal të personit nën hetim, që rrjedhin nga elementet konkrete të nenit 228 të K.Pr.Penale dhe pikërisht ekzistenca e rrezikut që personi nën hetim të largohet, gjykata konkludon në caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim. Për sa i përket masës së sigurimit, ajo do jetë masa e kërkuar nga organi i akuzës “arrest në burg”. Kjo masë sigurimi është në përputhje me rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe autorit të saj. Masa e kërkuar nga mbrojtja nuk i përshtatet rrezikshmërisë së veprës penale dhe autorit të saj.    ar.ba

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura