Vrasja e Dashajt, asnjë i ndaluar për krimin

Aug 8, 2011 | 12:39
Viktima, Besnik Dashja

SHKODER – Vrasja e Besnik Dashajt në Shkodër ka mbetur mister për policinë. Pas dy ditësh nga krimi i ndodhur në derën e shtëpisë së 49-vjeçarit, shoqërimet dhe hetimet e kryera nuk kanë çuar në një rezultat konkret. Policia e Shkodrës ka shoqëruar në ambientet e komisariatit mbi 25 persona që ajo mendon se kanë dijeni në lidhje me vrasjen, por asgjë konkrete nuk është arritur të mësohet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Policia e Shkodrës shprehet shumë e rezervuar në informacion në lidhje me vrasjen. Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se gjer tani ekspertët janë vetëm në fazën e grumbullimit të provave dhe fakteve, por që akoma nuk ka ndonjë autor të mundshëm të identifikuar në lidhje me këtë vrasje. Gjatë gjithë ditës së shtunë dhe të dielës, në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit shërbime policore kanë kontrolluar hyrjen dhe daljen e automjeteve dhe të personave që ata mendonin se paraqisnin ndonjë dyshim për të bërë të mundur zbulimin e ndonjë gjurme që mund t’i çonte drejt autorëve të vrasjes. Shoqërimi i personave qoftë atyre të dyshuar, por edhe të familjarëve të viktimës ka vazhduar edhe gjatë ditës së diel, për të mësuar më shumë në lidhje me identifikimin e autorëve ose të automjetit nga të cilët është qëlluar mbi viktimën Dashja. Policia është munduar që të hartojë një skemë të qartë të kryerjes së krimit dhe të identifikimit të mundshëm të personave që në ato moment kanë qenë të pranishëm në vendin e krimit si dëshmitarë okularë.

© Panorama.al

Te lidhura