
FIER/ Në kërkim Enea Hyka, vëllai i të arrestuarit. Morën hakun e babait
Policia e Fierit identifikoi edhe autorin e dytë të vrasjes së biznesmenit të ndërtimit, Spartak Spaho, ngjarje që ndodhi në qendër të qytetit më 1 dhjetor të vitit të kaluar. Viktima u ekzekutua në pritë me armë zjarri, ndërsa mbetën të plagosur në këtë ngjarje edhe dy kalimtarë. Pesë ditë më pas, blutë arritën të arrestonin 33-vjeçarin Agim Hyka, si të dyshuarin kryesor të vrasjes. Ai pranoi krimin duke deklaruar se e kishte vrarë biznesmenin 45-vjeçar, pasi ai i kishte vrarë babain në Greqi. Policia e Fierit deklaroi pas arrestimit të Hykës, se vrasja dyshohet të ketë edhe bashkëpunëtorë të tjerë. Dy muaj pas krimit që tronditi qytetin e Fierit, blutë bënë të ditur se kanë identifikuar autorin e dytë, 28-vjeçarin Enea Hyka nga fshati Hoxharë i këtij rrethi. Ai është vëllai i Agim hykës, arrestuar tashmë si i dyshuar i kësaj vepre kriminale. “Pas një pune intensive u bë i mundur identifikimi i autorit të dytë të ngjarjes së rëndë, ndodhur më 1 dhjetor 2011, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Spartak Spaho. Ai është Enea Hyka, 28 vjeç, banues në fshatin Hoxharë të Fierit, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka vendosur masën e sigurisë ‘burg pa afat'” bëri të ditur Policia. Në vijim, grupi hetimor bëri të mundur edhe identifikimin e automjetit të përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje, tip “Volkswagen Polo” me targa të falsifikuara, i cili pas ngjarjes u gjet i djegur në fshatin Shën Pjetër të rrethit Fier. Sipas Policisë, vrasja e Spahos është bërë për motive hakmarrjeje pas një konflikti familjar. Grupi i hetimit mundi të bëjë një lidhje pas ngjarjes midis viktimës dhe autorit, pasi vite më parë familja Hyka e kishte akuzuar Spahon për vrasjen e kryefamiljarit të tyre, ndodhur në vitin 1997 në Greqi. Madje, policia e kishte hetuar këtë ngjarje, por për mungesë të provave e kishte mbyllur hetimin. Hyka kishte qenë prej shumë vitesh emigrant në Greqi, ndërsa kohët e fundit jetonte herë në emigrim e herë në Shqipëri. Policia tha se “zanafilla e krimit të pak ditëve më parë është rreth 14 vjet më parë në Greqi, ku u vra shtetasi Skënder Hyka, babai i Agim Hykës. Në ato vite, ai punonte taksist në linjën Fier-Athinë”. Në ngjarjen e ndodhur rreth dy muaj më parë ku mbeti i vrarë biznesmeni fierak, u plagosën edhe dy kalimtarë. Por fatmirësisht ata arritën t’i mbijetojnë atentatit, ndonëse fillimisht mjekët dhanë pak shpresa, pasi ata kishin marrë plagë të rënda.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











