Vrasja e Anwar, 27 të dyshuarit kanë alibi

May 14, 2012 | 14:05

Zv.drejtori i fabrikës së çimentos në Tiranë, Anwar Fuad Rizik

Tiranë, ekzekutimi i palestinezit, pronarët e fabrikës akuza banorëve.

Banorët e Fushë-Krujës: Largimi i tij s’e zgjidh problemin.

Banorët e Fushë-Krujës, rreth 27 persona të shoqëruar pas vrasjes së zv.drejtorit të fabrikës së çimentos në Tiranë, Anwar Fuad Rizik, kanë mohuar akuzat dhe kanë shprehur alibi. Pasi kanë shpjeguar se kanë dëshmitarë për alibinë e tyre se nuk kanë qenë në Tiranë para, gjatë dhe pas atentatit me eksploziv në portën e banesës së shtetasit palestinez, 27 persona të shoqëruar deri tani në Fushë-Krujë, kanë sqaruar se vdekja e 43-vjeçarit nga Palestina nuk ka qenë në interesin e tyre. “Vdekja e Anwar Rizik nuk e zgjidh problemin tonë”, mësohet të kenë thënë banorët e fshatit Zall në Fushë-Krujë, gjatë deklarimeve të dhëna në Policinë e Tiranës, pasi disa prej tyre u shoqëruan nga RENEA menjëherë pas vrasjes në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër, u shoqëruan nga policia lokale mbi bazën e urdhrave të marrë nga Tirana. Burimet nga grupi i hetimit kanë pohuar të premten se deklarimet e banorëve të Fushë-Krujës po hetohen pasi konflikti i pronësisë dhe mosmarrëveshjet për “taksën e ndotjes” së fabrikës janë pistat kryesore në lidhje me vrasjen e biznesmenit palestinez në Tiranë. Nga ana tjetër, mësohet se edhe vrasja për shkaqe konkurrence apo përplasjesh në biznes nuk është lënë jashtë vëmendjes së hetuesve. Tre persona, aksionerë, bashkëpronarë dhe drejtues të fabrikës së çimentos janë marrë në pyetje nga policia shqiptare në lidhje me vrasjen e Anwar Rizik. “Pa u pyetur në lidhje me ndonjë pistë konkrete, këta persona kanë shprehur dyshimet e tyre se konfliktet e pronësisë me banorët e zonës kanë qenë shkak i atentatit me bombë të telekomanduar”, thanë burimet e Policisë. Sipas tyre, drejtues e bashkëpronarë të fabrikës ilustrojnë qëndrimin e tyre me disa episode dhune në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, ku disa herë është vendosur eksploziv në rrugën që e lidh këtë objekt me pjesën tjetër të vendit, por edhe në shtyllat e tensionit që furnizojnë makineritë.
Ekzekutimi mafioz
Vrasja me bombë të telekomanduar në portën e banesës ku Anwar Rizik jetonte me qira, pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, është konsideruar si një krim i sofistikuar mafioz. Dy ditë më parë, agjencia palestineze e lajmeve citonte ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bujar Nishani, në një mesazh ngushëllimi dërguar Presidentit Abass se “nuk ka të dhëna për vrasje në pistën politike, megjithatë asnjë version nuk është i përjashtuar nga hetimi”. Sipas agjencisë MIEMC, një korporatë private ishte përfshirë në hetimin e këtij rasti. Më konkretisht, dyshohej se rivalët në biznes kishin paguar për ekzekutimin e 43-vjeçarit me bombë të telekomanduar në kryeqytetin e Shqipërisë. Policia shqiptare dhe sektori i Antiterrorit kanë sekuestruar zyrën e Anwar Rizik në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, si dhe kanë marrë gjitha shkresat e firmosura nga viktima muajt e fundit. Po kështu, grupi i hetimit ka administruar praktikën e emërimit të Anwar Rizik në postin e zv.drejtorit të fabrikës, duke listuar edhe aksionerët që kishin propozuar ngritjen e tij në detyrë.

Kompania
Kompania “Seament”, e cila ka në pronësi fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, ka disa aksionerë. Mark Bouri është i pari në dokumentet e QKR, shoqëruar nga Alexander Bouri dhe për të vazhduar më pas me Edward Samaha, si dhe me Charles Michael Bouri dhe në fund me Sadi Dahdale. Rezulton se që nga dhjetori i vitit 2010, kompania “Seament” nuk ka bërë ndryshime dhe nuk ka raportuar veprime ligjore në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në Tiranë. Dokumentet e fabrikës janë sekuestruar të premten, mbi bazën e një kërkese të Prokurorisë së Tiranës.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura