Hetimet e protestave, ngjarja në Bengazi mund të jetë e paramenduar.
Ambasadori vdiq nga asfiksia, mjeku u përpoq 90 minuta.
Dy luftanije amerikane janë dërguar në brigjet libiane pas dyshimeve të zyrtarëve të sigurisë, se sulmi në Konsullatën e Bengazit, ku humbi jetën ambasadori amerikan Kris Stivens dhe tre amerikanë të tjerë, ishte i organizuar nga profesionistë. Zyrtarët amerikanë kanë dërguar luftanijet “USS Laboon” dhe “USS McFaul” në brigjet libiane, me raketa “Tomahawk”, pa ndonjë mision specifik, por urdhrat mund të merren nga çasti në çast, me të vendosur Presidenti Obama. Luftanijet kanë secila staf prej 300 personash. Tri luftanije të tjera kanë qarkulluar në Mesdhe prej pak kohësh, që do të thotë se numri i tyre shkon në pesë. Presidenti Obama pritet të urdhërojë edhe dronët (avionë pa pilot) në një mision në kërkim për pika fshehjeje xhihadistësh, të cilët mund të kenë lidhje me sulmin në ambasadë. Sulmi mendohej se kishte marrë spunto nga filmit anti-islamik, “Pafajësia e myslimanëve”, por ka spekulime se ai ishte i planifikuar prej kohësh në përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, apo hakmarrje për vrasjen e një komandanti të Al Kaedës. Zyrtarët thanë se incidentet në Ambasadën e Egjiptit dhe Konsullatën e Bengazit nuk kishin lidhje dhe se sulmi në konsullatë mund të ishte i planifikuar qartë, i koordinuar dhe profesionist. Shefi i Al Kaedës, Ayman al-Zauahri, ka bërë thirrje së fundmi në një video për të sulmuar amerikanët, si hakmarrje për vdekjen e Abu Yahya al-Libi. Ngjarja
Konsullata ishte e cenueshme nga sulmet, sepse nuk kishte xhama antiplumb, dyer përforcuese dhe masa të tjera mbrojtëse. Ajo nuk po ruhej nga kontingjenti i marinsave, që zakonisht ruajnë ndërtesat diplomatike, por zyrtarë të sigurisë libianë dhe të Departamentit të Shtetit. Kaosi në Konsullatë kishte nisur rreth orës 22:00. Autoritetet amerikane dhe ato libiane nuk e kanë marrë dot nën kontroll situatën deri në orën 02:30 të mëngjesit të së mërkurës. Sipas DASH, Stivens dhe ekipi i tij u ndanë për shkak të tymit, kur po përpiqeshin të evakuonin ndërtesën. Nga ora 22:15 dhe 23:20, Stivens ishte çuar nga libianët në spital. Diplomati nuk ishte parë më deri disa orë më pas, kur trupi mbërriti në aeroport nga spitali. Në sulmin e Bengazit, ambasadori Stivens dhe specialisti i kompjuterëve, Shon Smith, u vranë gjatë përpjekjeve të forcave amerikane për të evakuuar stafin në një “shtëpi të sigurt”. Një nga viktimat e sulmit ishte edhe një ish-anëtar i ekipit elitë të komandove, Navy SEAL, Glen Doherty, 42 vjeç. Një avion me njësi sigurimi ka mbërritur nga Tripoli për të dërguar stafin në një “shtëpi të sigurt”, por kur kishin shkuar atje, shtëpia ishte zbuluar dhe grupe të armatosura qëndronin pranë saj. Mjeku që u kujdes për ambasadorin, dr. Ziad Abu Zeid, tha se ka humbur jetën nga asfiksia e rëndë, e cila i kishte shkaktuar hemorragji në stomak. Nuk kishte lëndime të tjera. Fillimisht askush nuk e dinte se ai ishte ambasadori. Mjekët ishin përpjekur për 90 minuta ta sillnin në jetë, por pa sukses.
Krijuesi i filmit
Një zyrtar amerikan i sigurisë ka deklaruar në anonimitet se emri i vërtetë i krijuesit të filmit nxitës kundër fesë islame, me pseudonimin Sem Basil, është Nakoula Baselej. Filmi i tij, ku profeti islamik fyhet si feminist e mashtrues, ka shkaktuar protesta në Egjipt, Libi, Jemen dhe Iran. “Associated Press” e lidhi emrin e Basil me Nakuolën. Ky i fundit tha se është kujdesur për logjistikën në kompaninë prodhuese të filmit, por mohon të jetë Basil.
Protesta të tjera
Mijëra protestues të zemëruar nga filmi kundër profetit Muhamed të prodhuar në SHBA, “Pafajësia e myslimanëve”, ka sulmuar Ambasadën Amerikane në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa. Demonstruesit kaluan muret dhe u vunë zjarrin automjeteve te parkuara. Edhe në Teheran, Iran, rreth 500 protestues bërtisnin “Vdekje Amerikës!”. Protestat kanë vazhduar edhe në Egjipt, ku nga ambasada janë transferuar në sheshin Tahrir.
Arvizu u përgjigjet ngushëllimeve: Jam i prekur!
Ambasadori amerikan Arvizu
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u është përgjigjur ngushëllimeve të shqiptarëve në adresën e Ambasadës Amerikane në “Facebook” (mijëra mesazhe), për ngushëllimin mbi vdekjen e ambasadorit amerikan në Libi, Kris Stivens. Duke theksuar në emër të stafit të tij se ata refuzojnë denigrimin e çdo besimi fetar, ambasadori falënderoi personat që kanë dërguar mesazhet. “U preka shumë pasi lexova mesazhet e shumta të ngushëllimit dhe keqardhjes nga miqtë tanë shqiptarë mbi tragjedinë në Libi. Disa prej nesh në Ambasadën Amerikane në Tiranë kanë punuar me ambasadorin Stivens dhe viktimat e tjera që u vranë në Libi, ose i njihnin ata. Ata ishin kolegë, miq dhe pjesë e familjes së madhe të atyre amerikanëve të përkushtuar, të cilët ndihen të nderuar e të privilegjuar që i shërbejnë vendit tonë jashtë kufijve. Lejomëni të përsëris mesazhin e djeshëm të Presidentit Obama, të cilit i bëri jehonë edhe sekretarja Klinton: “Refuzojmë të gjitha përpjekjet për të denigruar besimet fetare të të tjerëve. Por për këtë lloj dhune të pakuptimtë, nuk ka absolutisht asnjë justifikim. As edhe një të vetëm. Bota duhet të qëndrojë bashkë për t’i hedhur tej këto akte brutale pa ekuivok”. Nga të gjitha komentet këtu në Facebook, me e-mail, nga krerët e shtetit tuaj e qytetarët e zakonshëm, është e qartë që shqiptarët bashkohen me vendosmëri me amerikanët në këtë kohë të vështirë. Të gjithë ne në Ambasadën Amerikane në Tiranë jemi shumë mirënjohës për mendimet, lutjet dhe mbështetjen tuaj”, shkruan ambasadori.
Alarm nga shqiptari Një alarm fals shkaktoi evakuimin e pjesshëm të Konsullatës amerikane në Berlin, Gjermani. Alarmi u vu për një “tym helmues”, meqë personeli i vizave ishte ankuar për probleme në frymëmarrje, pasi një person, që besohet se ishte shqiptar, ia kishte dhënë pasaportën e tij nëpunëses në sportelin e vizave. Policia tha se alarmi ishte i rremë. “Nuk është zbuluar ndonjë kërcënim dhe ndërtesa është hapur përsëri”, tha një zëdhënëse e Policisë.