Vrasja e 49-vjeçarit në Tiranë, gjykata: Burg pa afat dy autorëve

Aug 27, 2011 | 11:07
Viktima Abdulla Vrapi

TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj dy personave që akuzohen se kanë kryer vrasjen e 49-vjeçarit Abdulla Vrapi, tri ditë më parë në kryeqytet. Prokurori kërkoi caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për shtetasin Indrit Tresa, 22 vjeç, me akuzën e pjesëmarrjes në vrasjen e 49-vjeçarit Vrapi. Përfaqësuesi i akuzës kërkoi në seancën e zhvilluar dje në ora 09:00 në gjykatë, caktimin e masës së sigurisë për një person të dytë pjesëmarrës në vrasje. Prokurori tha se shtetasi Eduart D. dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Abdulla Vrapit. Për këtë shkak, përfaqësuesi i akuzës kërkoi caktimin e masës në mungesë për personin e dytë, i cili ende nuk është bërë e mundur të arrestohet nga policia. Organi i akuzës shpjegoi dje në gjykatë se mes shtetasit Indrit Tresa dhe viktimës Abdulla Vrapi ka pasur një konflikt një muaj më parë në lidhje me dëmtimin e automjeteve respektive, pas përplasjes së tyre në Tiranë. Dy pronarët e makinave nuk kishin arritur të bënin marrëveshje në lidhje me riparimin e dëmeve në automjete dhe, për këtë, mes tyre ka ndodhur konflikti që ka vazhduar deri tri ditë më parë kur Indrit Tresa, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, ka shkuar pranë banesës së Abdulla Vrapit, në rrugën “Pjetër Budi”, në Tiranë. Pas sherrit verbal mes të akuzuarit për vrasjen dhe djalit të viktimës ka pasur përleshje dhe, në këtë kohë, Abdulla Vrapi ka hyrë mes të rinjve. Prokuroria, duke cituar dëshmitarët, thekson se shtetasi në kërkim Eduart D. ka shkrehur armën, i mbështetur edhe nga Indrit Tresa. Ky i fundit ndërkohë pretendon se e ka kryer vetë vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi po përleshej me viktimën dhe djalin e tij. Një version i tillë i ngjarjes është kundërshtuar nga përfaqësuesi i prokurorisë. Ai theksoi se vrasja ka qenë e paramenduar, pasi në vendin e ngjarjes i akuzuari ka shkuar me armë zjarri me vete. Arma e krimit i është sekuestruar shtetasit Indrit Tresa pas vrasjes së Abdulla Vrapit, mirëpo dëshmitarët kanë thënë se një person tjetër e kishte qëlluar me armë viktimën.

© Panorama.al

Te lidhura