Vrasja e 39-vjeçarit, zbulohen autorët në Vlorë

Jun 4, 2011 | 11:03

VLORE – Policia e Vlorës identifikoi dhe shpalli në kërkim autorët e një vrasjeje të ndodhur më 30 dhjetor të vitit të kaluar, në aksin nacional Vlorë-Fier. Luis Rosi, 31 vjeç dhe Julsi Tushi, 36 vjeç, rezultojnë të jenë autorë të ekzekutimit me armë zjarri të 39-vjeçarit Romeo Fejzullau nga Patosi. Burime të Policisë bënë të ditur se identifikimi i autorëve është bërë pas një pune intensive hetimore, ku janë marrë në pyetje dhjetëra persona që e njihnin viktimën, por edhe autorët e dyshuar. Një ndihmesë në zbardhjen e kësaj dosjeje kanë qenë personat që kanë parë ngjarjen dhe i kanë njohur autorët e saj. “Të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më 30 dhjetor 2010, rreth orës 11:00, në fshatin Panaja, në rrugën kombëtare Vlorë-Fier, nën drejtimin e një automjeti tip “Mercedes-Benz” Rexhina me xhama të errët, pa targa, kanë ndjekur nga pas furgonin ku ndodhej 39-vjeçari me dy persona të tjerë. Në fshatin Panaja i kanë prerë rrugën furgonit “Renault”, ngjyrë e bardhë, me targë FR 0457 D, i cili lëvizte nga Vlora në drejtim të Fierit. Brenda tij kanë qenë shtetasit Romeo Fejzullau, Eduart Fejzullau dhe Neritan Shpata. Ata janë detyruar të ndalojnë dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri drejtuesin e furgonit”, bëri të ditur Policia e Vlorës. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë 39-vjeçari Romeo Fejzullahu. Viktima, së bashku me dy pasagjerët e tij, sapo ishin kthyer nga Italia nëpërmjet Portit të Vlorës. Sipas hetimeve të prokurorisë, shkaku i krimit ka qenë një mosmarrëveshje për para mes palëve për çështje tregtie mallrash dhe ushqimesh. Për dy autorët e identifikuar, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “vrasje me paramendim” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të kryera në kushtet e bashkëpunimit. Policia tha se është duke punuar për kapjen e autorëve të identifikuar. Ndërkaq, ka të dhëna se bashkë me ta ka qenë edhe një bashkëpunëtor i tretë, për të cilin po punohet për ta identifikuar.                                q.b

© Panorama.al

Te lidhura