
LEZHE – Vrasja e 17-vjeçarit Daniel Bardhoci në Blinisht të Lezhës dhe plagosja e shokut të tij, Osvaldo Marku, ka sjellë shoqërimin edhe të shumë personave të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen dhe motivet e saj. Gjatë këtyre dy ditëve janë ushtruar kontrolle në disa banesa, pasi dy autorët e dyshuar për këtë vrasje janë ende të lirë. Burime të Policisë bënë të ditur se autorët nuk janë ndër katër të arrestuarit. Ata janë shpallur në kërkim, dhe siç mësohet, janë kushërinj me njëri-tjetrin. Njëri është nga fshati Blinisht dhe tjetri nip në këtë fshat. Dyshohet se dy autorët e kanë kryer krimin ngaqë përballja fizike me kundërshtarët e tyre ka qenë e pamundur, pasi ishin më shumë në numër. Kontrollet e Policisë janë zhvendosur edhe në banesat e të afërmve të të dyshuarve, por pa mundur t’i arrestojnë. Burime nga Policia e Lezhës bënë të ditur se ngjarja është dokumentuar plotësisht dhe ka prova të mjaftueshme si për përfshirjen e 4 të ndaluarve në konflikt, ashtu edhe për dy të rinjtë e shpallur në kërkim për vrasjen. Të ndaluarit janë marrë në pyetje edhe dje. Ata kanë deklaruar se janë nisur drejt Blinishtit për sherr me kundërshtarët e tyre, por nuk e kishin menduar se do të përdoreshin armë. Nga deponimet që kanë bërë në polici, 4 të rinjtë nga Kallmeti kanë pohuar se armët i kishin marrë për presion dhe jo për t’i përdorur. Ata kanë pasur një konflikt me dy djemtë nga Blinishti, pasi këta të fundit kishin shkuar në fshatin e tyre. gj.f











