
LEZHE- Policia e Lezhës njoftoi sot arrestimin e katër të rinjve të cilët dyshohet se janë autorë të vrasjes së një dite më parë në fshatin Blinish të Lezhës.
Përplasje mes të rinjve, për shkaqe ende të pazbardhura solli edhe vrasjen me breshëri automatike të 17- vjeçarit, D.B nga Kallmeti, si dhe plagosjen rëndë të shokut të tij, V.M, gjithashtu 17 vjeç.
Pas një aksioni të nisur menjëherë pas njoftimit të ngjarjes, kryesuar nga vetë kreu i Policisë, Muharrem Furriku, blutë e Lezhës kanë mundur të venë në pranga katër persona, të gjithë nga fshati Kallmet. Të arrestuarit janë; O.M, 17 vjeç, Nikolin Gjoka, 21 vjeç, Gabriel Marku, 20 vjeç dhe Kol Prendi, 24 vjeç.
Ngjarja
Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, dy djemtë 17-vjeçarë, shokë me njëri-tjetrin, kanë qenë duke ecur në këmbë në mes të fshatit. Papritmas një makinë është afruar drejt tyre dhe në ecje e sipër ata janë qëlluar me dy armë të ndryshme. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se armët kanë qenë një kallashnikov dhe një pistoletë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhjetëra gëzhoja, çka konfirmon breshërinë e armës automatike, por edhe gëzhoja të tjera të pistoletës. Paraprakisht mësohet se viktimat kanë shkuar në fshatin kufitar, Blinisht, në orët e darkës.
© Panorama.al











