Vrasja, dëshmitarja njeh Aldo Hoxhën

Aug 23, 2012 | 13:36

Aldo Hoxha në gjyq

Ekzekutimi i Fatbardha Tafës për një varëse floriri, policia gjen gruan okulare që akuzon 20-vjeçarin.

Banorja e ish-Fushës së Aviacionit: E pashë kur i ra kapela.

Një dëshmitare e identifikon Aldo Hoxhën si personin që ka vrarë Fatbardha Tafën gjatë tentativës së grabitjes më 7 gusht, tek ish-Fusha e Aviacionit në Tiranë. Dëshmitarja në fjalë nuk është Lumturie Gjana, motra e viktimës, e cila ndodhej bashkë me Fatbardhën në momentin e ngjarjes. Gruaja e cila ka vënë gishtin e akuzës ndaj Aldo Hoxhës është një banore e Tiranës, e cila e ka shtëpinë pranë vendit ku ndodhi krimi dhe që ditën e ngjarjes ka qenë duke kaluar aty. Kjo dëshmitare rreth të 50-tave është zbuluar nga Policia pas 7 gushtit, në një moment kur agjentët e krimeve ishin kthyer në vendin e ngjarjes për ndonjë provë apo dëshmi. Në këtë kohë ata kanë marrë vesh se një grua në zonë kishte parë gjithë skenën, përfshi edhe momentin kur gjatë përleshjes me Fatbardha Tafën e Lumturie Gjanën, të riut i ka rënë kapela me të cilën ishte maskuar dhe fytyra e tij ka dalë në shesh. Grupi i hetimit sapo ka marrë dijeni për këtë dëshmitare, i ka paraqitur asaj fotografitë e një grupi personash që ishin ndaluar menjëherë pas vrasjes së Fatbardha Tafës më 7 gusht. Dëshmitarja ka veçuar fotografinë e 20-vjeçarit Aldo Hoxha, duke thënë se ai person ka qenë në vendngjarje dhe ka qëlluar pesë herë me thikë 37-vjeçaren. Në kohën kur dëshmitarja po i jepte këto pohime, i dyshuari për ngjarjen, Aldo Hoxha, ishte lënë i lirë pas shoqërimit dhe marrjes së gjurmëve dhe fotografisë. Ai madje u la në liri për 72 orë për t’u vënë në pranga më 11 gusht, katër ditë pas ngjarjes së ndodhur tek ish-Fusha e Aviacionit.
Historia e kapelës
Krahas zbulimit të dëshmitares okulare e cila ka dhënë deklarimet që fajësojnë Aldo Hoxhën, grupi i hetimit ka sqaruar edhe çështjen e kapelës në të cilën u gjet fija e flokut të 20-vjeçarit. Sipas burimeve nga hetimi, kapela e gjetur në vendin e ngjarjes, e cila i kishte rënë gjatë përleshjes personit që qëlloi Fatbardha Tafën, është dorëzuar në polici ditën e nesërme nga i shoqi i Lumturi Gjanës. Në këtë kohë, Aldo Hoxha ishte lënë i lirë nga policia, e cila menjëherë pas ngjarjes e kishte shoqëruar të riun dhe disa persona të tjerë me precedentë penalë në fushën e vjedhjes. Itinerari i kapelës ka qenë i tillë. Pas goditjes së Fatbardha Tafës pesë herë me thikë, trupi i saj u dërgua në spital. Në vendngjarje mbeti e plagosur Lumturie Gjana, ndërsa fëmijët e saj lajmëruan babain. Ai shkoi me makinë në vendngjarje dhe mori të shoqen dhe fëmijët të cilët morën edhe sendet personale që u kishin rënë në vendngjarje. Pasi la të shoqen në spital, burri i Lumturie Gjanës dërgoi fëmijët në shtëpi mbrëmjen e 7 gushtit. Të nesërmen sapo hap furgonin, ai sheh se një kapele kishte mbetur në makinë. Ai pyeti fëmijët, të cilët i thanë se kapela nuk ishte e tyre. Menjëherë sendi i marrë nga vendngjarja është dërguar në polici. Ekspertët gjetën brenda në kapele një fije floku, e cila pas identifikimit të Aldo Hoxhës nga dëshmitarja u përputh me 20-vjeçarin, ashtu si edhe mostrat e djersës. Kapela kishte në qoshen e saj edhe një gjurmë gjaku, e cila rezultoi se i nuk përkiste Fatbardha Tafës.

Arrestimi
Aldo Hoxha u arrestua katër ditë pas ngjarjes, ndërsa ishte shoqëruar në polici që në datën 7 gusht. Shoqërimi i tij u bë teksa i riu ishte fshehur poshtë krevatit në banesën e xhaxhait. Policia dyshoi tek ai për shkak të precedentëve penalë të mëparshëm.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Bllokohen 1.8 kg flori pa dokumente
“Tregtarët pastruan fitimet e krimit”

TIRANE – Një sasi prej 1.8 kilogramësh flori dhe 10 kilogramë argjend u sekuestruan dje nga grupi i përbashkët Task-Forcë i Policisë së Tiranës dhe Policisë Tatimore. Policia nisi procedim penal në gjendje të lirë për 7 argjendarë, të cilët akuzohen për “tregtim të mallrave kontrabandë”, “fshehje të të ardhurave”, si dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Aksioni i përbashkët i Antikrimit Ekonomik dhe Policisë Tatimore nisi prej katër ditësh, pas dyshimeve se bizhuteritë e floririt që u grabiten me dhunë kalimtarëve, kryesisht femrave, shiten në argjendaritë që blejnë flori të përdorur. Gjatë dy ditëve të fundit, nga verifikimet e kryera në subjektet e ndryshme që tregtojnë flori, janë ndaluar dhe janë marrë në hetim 9 argjendarë, 7 prej të cilëve vetëm gjatë ditës së djeshme. Policia e Tiranës deklaroi dje zyrtarisht se ngritja e njësisë së përbashkët të verifikimit të tregtarëve të floririt është bërë me qëllim parandalimin dhe zbulimin e ngjarjeve të rënda të vjedhjeve me dhunë. Por edhe për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e tregtimit, transportimit dhe ruajtjes e depozitimit të artikujve të floririt, si dhe sekuestrimin e mallrave kontrabandë, me qëllim fillimin e ndjekjes penale ndaj të gjithë atyre që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm të tregtimit të floririt. “Janë kryer një sërë kontrollesh në njësitë e tregtimit të artikujve të floririt, duke sekuestruar sasinë që nuk shoqërohet me dokumentacionin përkatës”, tha Policia.                          e.d

© Panorama.al

Te lidhura