Vrasësja e dy burrave refuzon ushqimin

May 6, 2012 | 12:26

TROPOJE/ Ndonëse me kriza depresive, 31-vjeçarja mbron të njëjtën dëshmi në Prokurori.

Manjola Dollapi, sot në gjyq për masën e sigurisë.

Prokuroria e Tropojës dorëzon në Gjykatën e rrethit dosjen me provat e mbledhura për krimin e dyfishtë, të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në lagjen “Partizani”. Burime të organit të akuzës thanë dje se ndaj autores së dyshuar, Manjola Dollapi, do të kërkohet masa e sigurisë “burg pa afat”, për vrasjen e bashkëshortit të saj 34-vjeçar, Eduart Dollapi dhe Kaçanik Gjyriqit, 27 vjeç, me të cilin mendohet se ka pasur më parë lidhje intime. Parashikohet një seancë në masa të rrepta sigurie, për shkak të situatës së nderë që ka ngjallur krimi i dyfishtë në qytetin e Bajram Currit. Sot paradite, për herë të parë që nga momenti i ngjarjes tragjike, 31-vjeçarja do të dalë në publik, ndonëse në një seancë gjyqi, për t’u njohur me masën që trupi gjykues do të ndërmarrë për të. Gjatë momenteve të izolimit në ambientet e Komisariatit të Tropojës, mësohet se gruaja e re ka refuzuar të ushqehet rregullisht. Burime të brendshme tregojnë se ajo ka ngrënë vetëm 3 lugë kos që nga momenti kur është prangosur nga policia. Ndonëse ka dhënë shenja të një krize depresive për shkak të ngjarjes së rëndë dhe arrestimit të menjëhershëm të saj, burime nga grupi hetimor thonë se dëshmia e 31-vjeçares ka qenë e njëjta. Ajo ka vazhduar ta pohojë krimin, edhe e pyetur nga Prokuroria, ndërsa është mbrojtur se ngjarja nuk ka pasur lidhje me histori dashurie. Manjola Dollapi ka dëshmuar se burri i saj është zënë me 27-vjeçarin, (të cilin pretendon se nuk e ka njohur më parë), duke nisur nga dera e jashtme dhe kanë përfunduar në afërsi të banjës. Pikërisht aty ajo i ka qëlluar të dy me breshëri automatiku, duke i lënë të vdekur në vend. Policia e Tropojës e arrestoi në flagrancë 31-vjeçaren, duke e akuzuar atë për vrasjen e dy burrave. Mbi bazën e provave të mbledhura nga policia dhe të dorëzuara tashmë në Gjykatë, Prokuroria e Rrethit do të kërkojë sot që masa e arrestit ndaj Manjola Dollapit të cilësohet e vlefshme dhe se ajo duhet të qëndrojë në burg deri në fund të hetimit. Grupi i punës pohon se çështja është ende në fazën e hetimit, për shkak të rrethanave që ende nuk janë zbardhur. Provat kyçe për ngjarjen tragjike janë: ekspertiza e armëve të gjetura në vendin e ngjarjes, (një armë kallashnikov, si dhe një thikë), si dhe zbardhja e tabulateve telefonike nga ana e kompanive celulare. Përgjigjet e tyre do të provojnë zyrtarisht krimin e do të hedhin dritë mbi rrethanat dhe arsyet e ekzekutimit të dy burrave të rinj.

13 gezhoja u sekuestruan nga policia pas vrasjes së dyfishtë në banesën e familjes Dollapi në qytetin e Bajram Currit, ngjarje kjo e ndodhur mesnatën e së mërkurës.

Dëshmia
“Nuk e njoh personin me të cilin u konfliktua im shoq. S’e kam parë kurrë më parë. Burri ishte nisur për në punë, kur u kthye në mesnatë. Ra dera dhe unë dola për ta hapur, por papritur dëgjova zhurmë dhe pashë që ai po rrihej me një tjetër. Duke u përleshur mes tyre arritën deri te dera e banjës. Personi tjetër kishte një thikë në dorë. Me rrëmbim kapa kallashnikovin për ta qëlluar, por plumbat ranë mbi të dy”. Kjo ka qenë dëshmia e dhënë nga gruaja në polici, menjëherë pas arrestimit të saj në kushtet e flagrancës. Ndaj burrit të saj u derdhën 8 plumba, ndërsa ndaj të riut, me të cilin dyshohet se kishte lidhje, 5 të tjerë. Ngjarja ndodhi në shtëpinë e familjes Dollapi, ndërsa në dhomë ishte dhe fëmija 6 vjeç.

Dyshimet
Përplasja e dëshmisë së gruas me skenën pas kryerjes së krimit ka lënë të dyshohet për një vrasje pas zbulimit të tradhtisë nga ana e burrit të 31-vjeçares. I zoti i shtëpisë, Eduart Dollapi, ishte nisur për në punë në HEC-in e Fierzës, ku punonte turn i tretë, por ishte kthyer në mesnatë në banesë, në lagjen “Partizani”. Sipas grupit hetimor, 34-vjeçari ishte kthyer në banesë pasi kishte dyshime se e shoqja e tradhtonte në kohën kur ai ndodhej në punë. Në ato momente ai ka gjetur 27-vjeçarin brenda në banesë dhe ka nisur të përleshet me të. Nuk dihet se pse ka qëlluar me automatik gruaja dhe kujt ia kishte drejtuar atë, por dy personat kanë humbur jetën në vend, pa pasur mundësi të flisnin për çka kishte ndodhur.

© Panorama.al

Te lidhura