Vrasësi zhduku celularin e Balliut

Jun 29, 2012 | 13:19

Vendi ku u vra Bledar Balliu

Policia me dy pista për ngjarjen, hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Koliçit e larje hesapesh për drogën.

Tiranë, dëshmitari pa ekzekutorin e të dënuarit për trafik droge.

I dënuari për trafik droge, Bledar Balliu, i vrarë mbrëmjen e së mërkurës pranë gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë, është nxjerrë në pritë nga ekzekutorët që pasi e kanë qëlluar me 7 plumba, i kanë marrë edhe telefonin.
Viktima pati një telefonatë dhe u detyrua të dalë nga lokali ku ndodhej, ndërsa kur policia shkoi në vendngjarje, nuk arriti ta gjente telefonin e tij. Zbulimi i personit që ka telefonuar viktimën duket i vështirë, pasi aparati është zhdukur. Vrasësi, pasi ka qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete të kalibrit 7.62 milimetra, ka marrë me vete nga vendi i ngjarjes edhe telefonin celular të Bledar Balliut. Ky fakt përforcon dyshimet se vrasja ka qenë e organizuar mjaft mirë nga autorët, vrasje që sipas grupit hetimor, paraprakisht dyshohet të jetë kryer

Bledar Balliu

me pagesë. Policia e Tiranës ka ngritur dy pista kryesore hetimi për vrasjen e Bledar Balliut. Sipas burimeve nga grupi hetimor, puna e oficerëve të Policisë Gjyqësore është përqendruar në dyshimet për një vrasje të kryer për hakmarrje dhe për larje hesapesh. Pista e parë lidhet me hakmarrjen për vrasjen e Aleksandër Koliçit më 16 korrik të vitit të kaluar, për të cilën edhe u akuzua, madje u mbajt rreth një muaj në paraburgim 33-vjeçari Balliu, i njohur edhe me emrin Arif Shehu. Ndërsa pista e dytë i lidh dy vrasjet me njëra-tjetrën me dyshimet se mund të jenë porositur nga i njëjti person që porositi dhe vrasjen e Koliçit një vit më parë. Kjo në mënyrë që të mbyllen njëherë e mirë problemet që kishin pasur të dy, si pjesëtarë të grupit “Poter Al”, të përfshirë në rrjetin e drogës. E megjithatë, deri tani, veç personave të shoqëruar si dëshmitarë, të dyshuar dhe që kanë dijeni për ngjarje, të cilët janë lënë sërish të lirë, policia ende nuk ka ndonjë provë konkrete për ngjarjen.
Identikiti i autorit
Ora e vonë në të cilën ndodhi vrasja e Bledar Balliut e ka bërë të vështirë zbardhjen e ngjarjes nga dëshmitarët. Rruga pranë vendngjarjes ka qenë e boshatisur për shkak se në lokale dhjetëra persona ndiqnin ndeshjen Portugali-Spanjë, ndërkohë që policia ka arritur të sigurojë deklarimet e dëshmitarit kryesor të ngjarjes. Sipas Policisë, pranë Balliut, në momentin e ngjarjes ka qenë një person, që është edhe një prej miqve të tij, i cili ka parë gjithë skenën e ngjarjes dhe më pas e ka transportuar në Spitalin Ushtarak 33-vjeçarin, që sipas mjekëve, kur ka mbërritur, nuk ka pasur më shenja jete. Sipas burimeve, miku i Balliut bashkë me një tjetër person tjetër, me të cilin kanë qenë në lokal duke parë ndeshjen, të dy nga Shkodra, janë pyetur gjerë e gjatë në Policinë e Tiranës. Dëshmitari kryesor i ngjarjes ka shpjeguar për policinë se e ka parë autorin kur ka shkrehur pistoletën në trupin e Balliut. Ai ka ndërtuar për policinë një identikit të përafërt, por pa dhënë shumë detaje për fytyrën e të dyshuarit, që sipas tij, mbante një kapele në kokë dhe strehën e kishte të ulur poshtë.
Zhdukja e telefonit
Elementi kyç për hetimin e vrasjes së Bledar Balliut (Arif Shehu), telefoni i tij celular, është zhdukur menjëherë pas vrasjes. Dëshmitari kryesor i ngjarjes ka shpjeguar në Polici se për shkak të panikut, kur ka parë shokun të gjakosur, nuk ka arritur të fiksojë se ku ka përfunduar celulari i tij. Burime nga grupi hetimor thanë se në kompaninë e telefonisë celulare është dërguar një kërkesë për të tërhequr tabulatet e telefonit të Balliut, si e vetmja mënyrë për të zbuluar se nga cili numër është bërë thirrja e fundit në telefonin e 33-vjeçarit. Në këtë mënyrë mund të zbulohet personi që i ka telefonuar duke e nxjerrë në pritë Bledar Balliun para pallatit të tij, ku edhe u ekzekutua me 7 plumba.

Fqinjët: Dëgjuam debat të fortë
“Vinin të bërtitura nga apartamenti ku jetoi Balliu”
TIRANE – Banorët e pallatit pranë të cilit u vra Bledar Balliu treguan dje se ai nuk lëvizte shumë nga lagjja. Kafen e pinte tek i njëjti lokal, përballë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, ku ndodhej edhe mbrëmjen e të mërkurës duke parë ndeshjen Portugali-Spanjë bashkë me miqtë e tij. Fqinjët treguan dje se Balliun nuk para e shihnin në shoqërinë e ndonjë personi. Deri para disa muajsh ai ulej në lokal dhe lëvizte i shoqëruar nga një vajzë që ishte e dashura e tij, ndërsa kohët e fundit, sipas fqinjëve, vajzën nuk e kishin parë më dhe mund të ishte ndarë me të. Sipas disa klientëve të lokalit ku ai qëndronte rregullisht, Balliu ishte person që nuk para tregohej shumë i afrueshëm me njerëzit, madje, sipas tyre, kishte edhe shikim të egër dhe u fliste shumë pak njerëzve. Disa fqinjë të Bledar Balliut, menjëherë pas vrasjes, i kanë telefonuar Policisë së Tiranës për t’u dhënë ndihmë në zbardhjen e vrasjes së tij. Sipas fqinjëve, në apartamentin ku banonte Balliu, në pallatin 11-katësh, prej dy javësh dëgjoheshin debate të forta, me tone të larta, që disa herë i kishin bërë të dyshonin për ndonjë problem. Kjo dëshmi është marrë në konsideratë nga ana e grupit hetimor që po kryen verifikimet e nevojshme.

Gjendet makina, u përdor nga autorët
Mjeti nuk u ndaloi katër postblloqeve të Policisë

Policia e Tiranës dhe ajo e Fushë-Krujës kanë arritur të ndalojnë dy personat që nuk iu bindën urdhrit të 4 postblloqeve të Policisë për të ndaluar pak minuta pas vrasjes së Bledar Balliut në Tiranë. Burime zyrtare thanë dje se dy personat, që aktualisht janë arrestuar për mosbindje të urdhrit të policisë, janë të dyshuar edhe për vrasjen e Bledar Balliut. Pa preferuar të japin emra për të dyshuarit, burimet nga Policia thanë se personat janë dy djem nga Shkodra, njëri i dënuar në Itali për trafik droge dhe tjetri në Greqi për vjedhje makinash. Automjeti tip “Audi A4”, i zi me portobagazh dhe pa targa, pas të cilit ishte vënë në ndjekje policia menjëherë pas ngjarjes, është gjetur pas mesnate përplasur në rrjetën prej teli në parkingun e terminalit të Aeroportit të Rinasit.

Vrasja e Koliçit, dosja u pezullua
Bledar Balliu ishte person i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Koliçit në korrik të vitit të kaluar. Balliu, madje, u ndalua nga policia pas vrasjes së Koliçit, por pas 40 ditësh arrest të dhënë nga Gjykata, Prokuroria nuk ishte e aftë të gjente prova për të mbajtur në qeli të dyshuarin. Sipas Policisë, dyshimi kryesor ishte se Balliu kishte pasur konflikt me Koliçin, pasi ky i fundit bashkëpunoi me Drejtësinë dhe tregoi trafikun. Megjithatë, për shkak të paaftësisë për të gjetur provat e nevojshme, prokurori e pezulloi hetimin ndaj Belliut dhe e ktheu dosjen në Polici.

Shoqërohen vëllezërit e Aleksandër Koliçit

Aleksandër Koliqi, i vrarë në korrik 2011

Personat e parë që janë shoqëruar menjëherë pas vrasjes së Bledar Balliut te pallati ku banonte, përballë shkollës “Petro Nini” në Tiranë, kanë qenë fillimisht dëshmitarët. Më pas edhe njerëzit e afërm të Aleksandër Koliçit, që për koincidencë, është vrarë pothuajse në të njëjtin vend, më 16 korrik të vitit të kaluar. Burime nga Policia thanë se në bashkëpunim me Policinë e Fierit janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje dy vëllezërit e Koliçit, të cilët banojnë në Fier. Ata janë mbajtur disa orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës që pas mesnatës së të mërkurës e deri dje pasdite. Burimet thanë se dy vëllezërit e Koliçit kanë mohuar të jenë përfshirë në vrasjen e Balliut, duke dhënë argumentimet e tyre dhe vendin se ku kanë qenë në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Policia ka kryer edhe procedurën e paraqitjes për njohje, duke përballur me ta dëshmitarin e ngjarjes, mikun e Bledar Balliut, i cili, pasi i ka parë, ka shpjeguar se ata nuk ngjajnë me personin që ka qëlluar, pasi autori ishte më i dobët dhe me tjetër fizionomi.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura