
Erjon Cjapi gëlltit 3 kokrra fostoksinë pas rrethimit, vdes në spital.
Tri kokrra fostoksinë për t’i shpëtuar burgut. Pesë net pasi vrau të dashurën e tij dhe një të ri në fshatin Toshkëz të Lushnjës, Erjon Cjapi, 32 vjeç, i dha fund jetës duke u vetëhelmuar. Autori i cili kërkohej që nga mbrëmja e 12 majit, kur qëlloi për vdekje 27-vjeçaren Rajmonda Sota, gëlltiti fostoksinën kur policia e rrethoi mesnatën e së enjtes në fshatin Zhelizhan, shumë pranë fshatit Delisuf, banor i të cilit ishte. Burimet të Policisë thanë se ngjarja ndodhi pranë lumit Seman, ku autori u gjet ende në shenja jete. Pas prangosjes, duke parë gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, policia e ka dërguar urgjentisht në spitalin e qytetit të Lushnjës, por rreth orës 05:00 të mëngjesit të ditës së premte, ai ka ndërruar jetë në mjediset e repartit të reanimacionit, duke mos dhënë kurrë dëshminë e tij për ngjarjen që shkaktoi bashkë me të tre viktima. Sipas Policisë së Lushnjës, efektivët blu prej ditësh ishin në ndjekje të tij, madje një herë i ishin afruar, por pa arritur ta arrestonin. Kjo ndodhi në malin e Shpiragut në rrethin Berat, por Cjapi kishte diktuar veprimet e policisë dhe ishte larguar në kohë. Të njëjtat burime saktësuan se u lokalizuan dhe mbaheshin në vëzhgim edhe njerëzit që e kanë ndihmuar atë me ushqim dhe strehim të përkohshëm gjatë këtyre ditëve, njerëz të afërt, por edhe banorë të zonave përreth. Informacione të sakta kishin dhënë vendndodhjen e 32-vjeçarit ditën e enjte, ndërsa policia vijoi të bënte krehjen e zonës. Ai ishte parë afër fshatit të tij të lindjes, Delisuf, ndërsa më pas mes fushave ishte larguar në drejtim të fshatit Zhelizhan. Autori i dyshuar

kishte ndalur në afërsi të një grumbulli shkurresh dhe kallamishtesh pranë lumit Seman, zonë kjo e parrahur nga këmbësorë, pasi kishte marrë sinjal se policia kishte rrethuar zonën. Me dyshimin se ai ishte i armatosur, policët e Komisariatit Lushnjë janë ndihmuar dhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të repartit operacional në Mbrostar, Fier në këto kërkime. Rreth orës 23:30, e gjithë zona është rrethuar plotësisht dhe gjithçka mbahej nën kontroll. Policia i ka bërë thirrje të dorëzohej, por nga autori nuk ka ardhur ndonjë reagim. Në çastin kur distanca ishte e afërt me të, blutë kanë dëgjuar të thirrurat dhe të qarat e tij që kërkonte ndihmë. Burimet në aksionin e së enjtes thonë se janë shtangur kur e kanë parë 32-vjeçarin Cjapi duke nxjerrë shkumë nga goja dhe gati pa ndjenja. Pas kontrollit të ushtruar janë gjetur në xhepin e pantallonave të tij 5 kokrra fostoksinë. Menjëherë forcat e Policisë e kanë dërguar atë në repartin e reanimacionit në spitalin e Lushnjës. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve dhe bluzave të bardha, ai ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të ditës së premte. Rreth orës 12:30 të mesditës së djeshme, arkivoli me trupin e pajetë është sjellë në shtëpinë e tij, në fshatin Delisuf, komuna Allkaj. Familjarët e tij kanë qenë të tronditur, pasi e kanë mësuar fatin tragjik të djalit të tyre nga policia.
Krimi i dyfishtë
Erjon Cjapi qëlloi për vdekje mbrëmjen e 12 majit 27-vjeçaren Rajmonda Sota me 3 plumba, me të cilën kishte pasur një lidhje dashurie, si dhe me 5 plumba Marsel Canin, banues në fshatin Cinar të komunës Allkaj. Nga hetimet e Policisë, autori e kishte ngacmuar prej kohësh Rajmondën, duke i kërkuar që të ndahej nga i shoqi dhe të lidhej me të. Gruaja e re ishte nënë e 2 fëmijëve të mitur.
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











