Vrap apo biçikletë? Mjafton të praktikoni njërën…

Aug 28, 2011 | 13:55

…sepse ata që e praktikojnë, kanë kuptuar se funksionon. Përmirëson shëndetin fizik dhe atë psikik. Buzëqeshjet nuk do t’i keni më me kursim dhe imuniteti ndaj sëmundjeve do t’ju rritet. Shumë personazhe të njohur shqiptarë e të huaj i ndjekin këto këshilla. Po ju ç’prisni? Ju kushton pothuajse asgjë…

Çfarë bën të shtunën e të dielën në mëngjes? Mirë, dakord nuk e kemi fjalën për këto ditët e tmerrshme të vapës, kur zgjidhja mund të jetë shumë më e mirë sesa dalja me biçikletë nga liqeni. Po ja, ditëve të nxehta po u vjen fundi, kështu që doni s’doni prapë aty do ktheheni… Te liqeni, duke praktikuar ritin tuaj të zakonshëm të ecjes apo vrapimit. Në mos, i jeni rikthyer… Pedalimi është një nga mënyrat më të mira për të mbajtur mirë formën fizike, e bën trupin më rezistent, rrit dozat e humorit të mirë. Ka studime që guxojnë e thonë se përmirëson edhe raportin në çift, por edhe sikur ta bënte, vetëm të mira do sillte, pavarësisht skepticizmit të shumëkujt… Një tjetër e mirë e vrapit nga liqeni a xhiros me biçikletë është edhe shpenzimi… Nëse ke biçikletën tënde, nuk harxhon asnjë lek. Ndryshe, edhe sikur të përdorësh shërbimet më të reja të biçikletave me qira që janë tashmë në dy-tri pika në Tiranë, kostoja është fare e ulët. Vetëm 60 lekë ora, mjaftueshëm për t’i shërbyer trupit dhe për të kënaqur veten me ajër… Mjafton ta praktikoni këtë sport disa mëngjese me radhë dhe do ta shihni që do t’ju bëhet pjesë e ditëve të nisura mbarë.
Ju nuk keni faj edhe të ankoheni që nuk gjeni kohën për ta bërë këtë, por mund të kishit dëshirë për shembull të shkonit në punë me biçikletë, në qoftë se nuk do t’ju rrezikohej jeta çdo minutë nga trafiku i çmendur (këto dy muaj jo edhe aq në fakt). Qytetet e mëdha duken sikur janë ndërtuar enkas për të na shëndoshur, për të na bërë diabetikë, për të na shtuar stresin e jetesës, ankthin e fobitë e çdo lloji përherë e më shumë. Tashmë mendojmë vetëm me terma “katër-rrotësh”, ashensorë, grila automatike, telekomanda e mekanizma të tjerë gjithfarësh.
E megjithatë, ai që arrin t’i shpëtojë këtij mentaliteti, duke iu qasur një stili tjetër jetese, më natyral, veç të mira përfiton. Biçikleta apo vrapimi i mëngjesit është një mënyrë fare e thjeshtë për t’i shpëtuar gjithë kësaj, një zakon ky që, nëse do të bëhej kolektiv, nuk do sillte vetëm të mira individuale, por do t’i shërbente edhe ambientit (meqë ankoheni për ditë, mund të nisni të jepni kontributin tuaj). Studime të ndryshme të bëra në Europë kanë treguar se njerëzit që ushtrojnë sporte, kryesisht ata që shëtisin me biçikletë, janë disa herë më të shëndetshëm se mesatarja. Përdorimi i saj, përveçse në tonifikimin e muskujve, ndikon edhe në rezistencën ndaj sëmundjeve të ndryshme sezonale, virozave, ftohjeve. Sjell ndryshime pozitive fiziologjike dhe psikologjike. Janë vënë re përmirësime të dukshme kryesisht në rrugët e frymëmarrjes, rrezikut në ulje të obezitetit dhe vuajtjet psikologjike.
Përdorimi i moderuar i biçikletës në fakt ndikon në çlirimin e endrofinës në trurin tonë: këto janë substanca kimike që forcojnë humorin e mirë, vetëbesimin dhe autostimën. Nga një tjetër kërkim i rëndësishëm, me kampionë meshkuj, të cilët kishin shqetësime me ereksionin e nuk mund të përdornin barna për të përmirësuar fuqinë seksuale, ushtrimi i biçikletës kishte dhënë rezultate interesante. Një aktivitet njëorësh për tre herë në javë kishte përmirësuar jetën e tyre seksuale, duke treguar kështu që nuk ishin vetëm probleme organike, por që përfshinin të gjithë trupin dhe mendjen. Sa i përket jetës në çift, asaj që ju përmendëm pak më parë (e që ju rrezik vetëm për shkak të këtij faktori nesër do vraponi drejt stacionit më të afërt të biçikletave për të bërë abonimin), studimet kanë treguar se pedalimi së bashku, pra kur dilni shëtitje të dy, risjell ndjesinë e paqes që mund të keni humbur në daljet e zhurmshme  me makinë, trafik, semaforë dhe me atë dreq parkimi që nuk gjendet kurrë. Kjo ndjesi e munguar harmonie do të rishfaqet tek shëtisni apo i jepni biçikletës me tuta me të gjithë familjen (gjyshërit e përfshirë). Ata që janë frekuentues të rregullt të Kodrave të Liqenit Artificial në Tiranë, e shohin që përditë e më shumë kalimi vështirësohet për shkak të dyndjes së njerëzve. Ka mbetur orar i përshtatshëm vetëm mëngjesi i herët. Pikërisht në një nga këto mëngjese, prej nga mori spunton edhe ky shkrim, hasëm Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Larg kostumeve të ngurta të zyrës, shëtiste me biçikletë e veshur sportive. Ecja në biçikletë nuk të lehtëson procesin e fotografimit për shkak të shpejtësisë, por edhe për shkak të aparatit celular, megjithatë pedalimi është i dukshëm. Por, prokurorja nuk është e vetmja. Gjatë vrapit tuaj të mëngjesit mund të ndesheni me shumë emra që i hasni në televizion. Frekuentuese e rregullt që në orët e para të mëngjesit është regjisorja Vera Grabocka, gazetarja Rudina Xhunga, Arjan Çani, skenaristi Pandi Laço, Andrea Stefani nuk mungon asnjëherë qoftë duke vrapuar, qoftë duke pedaluar, politikanë, si Marko Bello, Kastriot Islami etj. Ama ka edhe nga ato/a që “babagjyshi” u ka dhuruar një palestër në shtëpi, të gjithën për vete. E që shtëpinë e kanë me pamje nga liqeni… Edhe akullore, edhe çokollatë. Producentja Holta Dulaku nuk ka nevojë të zbresë deri poshtë, kur po ai ajër vjen e i troket në shtëpi, në katin e parë të së cilës ka palestrën, të cilës nuk i ndahet për dy orë çdo mëngjes. Stilistja Zina Kondi ka qenë një përdoruese e rregullt e biçikletës, prezantuesja e emisionit ‘Bardh e zi’ në televizionin “Scan”, gjithashtu… e sa e sa të tjera, që ne as mund t’i dimë. Në këtë rast, shembujt janë për t’u ndjekur…

Ina Rama – Prokurorja e Veshur sport

Nuk është gjithnjë e lehtë të dallosh se kush fshihet pas kapelës dhe syzeve të mëdha të diellit që mbajnë njerëzit publikë (femrat) kur shëtisin apo pedalojnë nga liqeni. E para sepse askush nuk ka pse të jetë i vëmendshëm ndaj askujt dhe e dyta sepse të dy këta aksesorë mbulojnë një pjesë të mirë të portretit. Sidoqoftë, të padallueshëm nuk mund bëhen, në mos, i kanë këto aksesorë kod të heshtur mes tyre. Sidoqoftë, duket se prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i ka me shumë qejf shëtitjet me biçikletë pasi e kemi parë disa herë të shëtisë nga Kodrat e Liqenit me biçikletën e saj. Si duket, edhe për të janë të efektshme këshillat që thonë për biçikletën se të përmirëson humorin. Me gjithë trysninë e punës që ka gjatë vitit… Gjatë gushtit, me siguri që ka pasur mundësi t’i shfrytëzojë edhe më mirë mëngjeset, duke shëtitur buzë detit për shembull, përderisa është me pushime… Në çdo rast, forma e mirë fizike dhe mendore ia arrin qëllimit.

Holta Dulaku – Në formë si Holta
Linjat e saj do t’i kishte zili edhe një 18-vjeçare. Edhe pse e ëma vazhdon ta lusë si dukur kur ishte e vogël të hajë pak më shumë se është shumë e dobët. Në sytë e saj ajo vazhdon të ketë mbetur vajza e vogël që ka nevojë për kujdesjet e saj e që duhet të hajë ushqim. Në fakt, jo se Holtës nuk i pëlqen ushqimi, nuk ia mohon vetes kënaqësinë që mund t’i falë shija, ama di të jetë e kujdesshme duke i kufizuar racionet në sasi. Konsumi i shumtë i frutave e perimeve është parësor në dietën e saj ditore, por nuk lë pa provuar edhe çokollatat, picat a akulloret që i ka aq qejf. Kur e sheh që e ka tepruar, i redukton. Tek e fundit, pse t’i eliminojë. Orët e sportit që bën çdo ditë, mund t’i djegin fare kollaj jo vetëm kaloritë e tepërta, por edhe të gjitha tentativat e dështuara të celulitit që nuk i duket askund. Është e gjitha çështje vullneti. Nuk ia ka lënë veten në dorë kapriciove të metabolizmit. Ndjek rigorozisht, përditë, këshillat e trajneres së saj personale. Tek e fundit, kur është një gjë që e bën me kënaqësi, nuk i duket sforcim i tepërt. I pëlqen palestra, e mban fizikisht dhe mendërisht në formë.

Ornela Gaçe – “Eci gjithmonë kundËrvajtje”
Nuk do ketë ngelur njeri pa pikasur vajzën e veshur sport majë një biçiklete të kuqe, që ecën përherë në drejtimin e kundërt të makinave rrugëve të Tiranës. Është Ornela Gaçe, drejtuesja e emisionit ‘Bardh e zi’ në televizionin “Scan”. Ornela ka 13 vite që e përdor rregullisht biçikletën. Bëri një shkëputje të vogël në kohën kur lindi vajzën, por nuk e zgjati shumë. “Ishte mënyra më e mirë që të humbisja kilet e tepërta që mora gjatë shtatzënisë”. Sa për frikën që mund t’i shkaktojë cilitdo trafiku, Ornela ka gjetur zgjidhjen e saj, ecën gjithnjë kundërvajtje. Kështu, i ka përherë makinat përballë dhe nuk rrezikon që mund t’i vijë ndokush befasisht nga pas. Përderisa ka kaq shumë vite që i rezulton e suksesshme kjo mënyrë, mund të jetë për t’u marrë në konsideratë…

 

Të mirat e biçikletës

Të mirat e biçikletës
• Djeg kaloritë: Duke pedaluar me ritëm mesatar, mund të djegësh 300 deri në 600 kalori për një orë. Me ritëm të përshpejtuar shkon nga 500/600 kcal. Pas ½-orëshit të parë, nis eliminimi i rezervave të yndyrave.

• Parandalon sëmundjet kardio-vaskulare. Biçikleta forcon gradualisht zemrën, pastron mushkëritë dhe furnizon muskujt me oksigjen. Me kusht që të përdoret rregullisht.

• Kufizon rrezikun e traumave. Biçikleta është aktiviteti ideal për njerëzit që vuajnë nga mbipesha ose që janë duke rimarrë veten nga një plagosje.

• Tonifikon siluetën. Pedalimi forcon këmbën në gjithë gjatësinë e saj. Por ka ndikim edhe te legeni dhe krahët. Te pjesa e fundme e shpinës dhe abdominalet, sidomos nëse pedaloni pa u ulur.

• Relakson. Në biçikletë: Zero stres! Prodhohet endorfinë, substanca e humorit të mirë.

• Kujdes! Në qytet, përdorimi i saj ngelet deri tani i rrezikshëm. Mungesa e korsive përkatëse ose kur janë makinat që nuk duan të dinë, e bën të vështirë kalimin në rrugë me biçikletë dhe rreziku ndaj aksidenteve është gjithnjë i pranishëm. Shqetësime të tjera që mund të krijojë biçikleta janë edhe dhimbjet e shpinës, në rast se qëndron në pozicion të gabuar. E nëse nuk po kërkojmë shumë, vendosni edhe kaskën, kudo që të jeni duke praktikuar.

 

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura