
SHKODER – Vazhdon të jenë mister për Policinë e Shkodrës identiteti i autorëve të vrasjes së 40-vjeçarit Ridvan Begovi në fshatin Shtoj i Vjetër, mëngjesin e së dielës. Familjarët e tij gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë mësohet të jenë përgjigjur se nuk kanë pasur asnjë lloj konflikti, qoftë si familje po ashtu edhe Ridvani si person. Pista e vetme e mundshme e vrasjes është ajo nga frika e njohjes së mundshme të autorëve nga viktima, ndërkohë që pista e hakmarrjes apo të ndonjë konflikti të vjetër është përjashtuar përfundimisht nga ana e policisë, pasi familja Dekovi nuk ka pasur probleme të tilla. Nisur nga të dhënat e mbledhura dhe nga rrethanat në të cilat është kryer ekzekutimi, rezulton se vrasja ka qenë rastësore nga dy persona që kanë pasur si qëllimin vjedhjen e kabllit të pompës së ujit. Nga frika se Begovi do t’i njihte autorët, ata e kanë qëlluar për ta eliminuar fizikisht dëshmitarin. Policia e Shkodrës ka shoqëruar mbi 20 persona të zonës Shtoj i Vjetër dhe më gjerë, të cilët njihen si kontingjent për veprën penale “të vjedhjes”, me qëllim që të bien në gjurmët e autorëve të mundshëm të vrasjes. Por, prej tyre nuk ka rezultuar ndonjë i dyshuar për krimin. Nga verifikimet e kryera gjatë këtyre dy ditëve është saktësuar lloji i armës, një armë brezi, pistoletë, dhe jo automatik siç u pohua paraprakisht nga policia. Nga kontrollet e ushtruara pas ngjarjes, policia ka kryer arrestimin e një personi për armë pa leje, çka i solli prangat 60-vjeçarit Lekë Doçi. r.d











